Paris Saint-Germain ka shkruar historinë duke fituar për të dytin vit radhazi Champions League, pasi mposhti Arsenalin vetëm pas goditjeve të penalltive në finalen spektakolare të zhvilluar në “Puskas Arena” të Budapestit.

Finalja nisi me ritëm të furishëm dhe ishte Arsenal që goditi i pari. Në minutën e 6-të, Kai Havertz përfitoi nga një aksion i shpejtë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar londinezët në avantazh dhe duke ndezur entuziazmin e tifozëve anglezë.
PSG reagoi menjëherë dhe mori kontrollin e lojës, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj mbrojtjes së Arsenalit. Francezët kërkuan edhe një penallti në pjesën e parë për një prekje të dyshuar të topit me dorë nga Bukayo Saka, por arbitri vendosi të vazhdonte lojën.
Pavarësisht rasteve të krijuara nga skuadra e Luis Enrique, pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Arsenalit. Gjithçka ndryshoi në minutën e 65-të, kur PSG fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Cristhian Mosquera ndaj Khvicha Kvaratskhelia brenda zonës. Nga pika e bardhë nuk gaboi Ousmane Dembele, i cili riktheu baraspeshën dhe ringjalli shpresat e kampionëve në fuqi.
Parizienët iu afruan përmbysjes pak minuta më vonë, por shtylla i mohoi golin Kvaratskhelias, ndërsa Arsenal rezistoi deri në fund të kohës së rregullt.
As 90 minutat dhe as koha shtesë nuk prodhuan fitues. Me rezultatin 1-1, gjithçka u vendos nga penalltitë, aty ku PSG u tregua më e saktë dhe më e qetë psikologjikisht në momentet vendimtare.
Gabimet e Arsenalit nga pika e bardhë rezultuan fatale, ndërsa lojtarët francezë ruajtën gjakftohtësinë për t’i dhënë klubit një tjetër natë historike në Europë.
Me këtë sukses, PSG bëhet skuadra e parë që mbron titullin e Champions League pas shumë vitesh dhe konfirmon statusin e saj si një nga forcat dominuese të futbollit europian. Për Arsenalin, ëndrra për trofeun e parë në historinë e klubit në Champions League shtyhet sërish, pas një finaleje që u vendos vetëm nga detajet.
Fatos LAMAJ


