Merkatoja e verës po afron dhe në kampin kuqeblu kanë nisur të lëvizin gurët e parë për ndërtimin e skuadrës së sezonit 2026-27. Edhe pse aktualisht merkatoja e Vllaznisë vijon të jetë e bllokuar, ky duket një problem që nuk po shkakton shumë shqetësim në ambientin shkodran.
Një situatë e tillë nuk është aspak e panjohur për klubin, që edhe në të kaluarën ka kaluar momente të ngjashme, por gjithmonë ka arritur të gjejë zgjidhje në kohën e duhur. Drejtuesit kuqeblu ndërkohë kanë nisur punën në prapaskenë për të siguruar afrimet e para, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që mëson
“Panorama Sport” nga burime pranë klubit, emri i parë që pritet të vishet kuqeblu është ai i Patrik Bardhit. Futbollisti anësor shihet si një profi i që mund t’i japë më shumë ritëm dhe eksperiencë repartit ofensiv të Vllaznisë. Bardhi vjen pas një sezoni me Vorën, ku ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Në 34 ndeshje të zhvilluara gjatë kampionatit të sapopërfunduar, 28-vjeçari realizoi 2 gola dhe dhuroi 3 asistime, duke treguar vazhdimësi dhe rendiment të kënaqshëm.
Eksperienca është një tjetër pikë e fortë e Bardhit. Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e disa skuadrave të njohura të Superiores si Tirana, Kastrioti dhe Dinamo, ndërsa sezonin e fundit u aktivizua me fanellën e Vorës. Edhe pse ende nuk ka diçka zyrtare, gjasat janë të mëdha që marrëveshja të fi nalizohet në javët në vijim. Në Shkodër duket se besojnë se merkatoja do të marrë shpejt jetë dhe afrimi i Patrik Bardhit mund të jetë vetëm lëvizja e parë e një vere që pritet të jetë mjaft aktive për kuqeblutë.
Endri ÇINARI


