Thursday, April 25, 2024

FSHF prezanton sistemin VAR për mediat dhe opinionin publik

Lexo

Kategoria Superiore, që duke filluar që nga kjo e premte (10 shtator) do të ketë emrin “Abissnet Superiore”, pas marrëveshjes së nënshkruar mes FSHF-së dhe kompanisë Abissnet, do të nisë zyrtarisht sot sezonin e ri futbollistik, 2021-2022.

Ndeshja e parë hapëse do të luhet mes Teutës dhe Partizanit, në stadiumin “Elbasan Arena” ku edhe do të përdoret sistemi VAR (Video Assistent Referee), një nga projektet dhe investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Institucioni i futbollit në vend ka më shumë se dy vite që punon për ta implementuar këtë sistem edhe në Shqipëri, që do të sjellë pa dyshim rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në futbollin shqiptar, duke minimizuar edhe gabimet e gjyqtarëve.

Shefi i Drejtorisë së Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci ka prezantuar ditën e sotme për përfaqësuesit e mediave dhe opinionin publik sistemin VAR, ku ka shpjeguar rastet se kur duhet të ndërhyjë dhe kur nuk ka nevojë të ndërhyjë VAR-i, duke përdorur edhe video të shkurtra nga ndeshje të kompeticioneve europiane, për ta bërë më të kuptueshme për të pranishmit dhe për publikun.

I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, i cili përshëndeti këtë projekt dhe u ndal te risitë e këtij sezoni. “Edicioni i ri ka risi krahasimisht me edicionin e kaluar apo qoftë edhe me të mëparshmit. Risia kryesore është që do të kemi 30% të spektatorëve në stadium që do ta ndihmojë akoma më shumë garën dhe në një lloj mënyre do të shërbejë dhe në jetën sociale të njerëzve. Risia tjetër është përdorimi i teknologjisë në fushë, pra sistemi VAR. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që këtë vit të fillojë Abissnet Superiore me sistemin VAR në të gjitha ndeshjet. Do të doja të falënderoja të gjithë Drejtorinë e Arbitrimit në FSHF, Sektorin e IT-së, të cilët në një kohë rekord kanë bërë të mundur realizimin e projektit dhe jam i bindur që do të funksionojë normalisht. Duke qenë një gjë e re, do kërkojë përgatitje akoma më të mirë të arbitrave, që të mësohen sepse tashmë duhet të mësohen më një vendimmarrje ndryshe, me ndihmën e teknologjisë. Në njëlloj mënyre duhet të kërkojmë mirëkuptimin e opinionit dhe të mediave për t’i ndihmuar për të qenë sa më profesionalë dhe të marrin vendime të drejta dhe objektive. Kampionati nis sot dhe unë uroj që të kemi një edicion futbollistik sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm, garë sa më të fortë dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit e sa më pak Covid.

Drejtoria e Arbitrimit në FSHF ka zhvilluar disa seminare me përfaqësues të klubeve mbi sistemin VAR, si edhe me arbitra të cilët janë trajnuar edhe më herët nga përfaqësuesë të këtij projekti në FIFA dhe tashmë janë certifikuar nga FIFA për të punuar si VAR dhe AVAR.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img