Vllaznia e futbollit për femra luan këtë fundjavë ndeshjen e javës së tetë të Kampionatit Kombëtar, duke pritur në shtëpi ekipin fierak Apolonia. Një kundërshtar ky që vitet e fundit ka qënë rivali kryesor i Vllaznisë në fitimin e titullit kampion.
Këtë sezon futbollistik, pas shtatë javëve të para, Vllaznia dhe Tirana, duke pasur të regjistruar vetëm fitore, kryesojnë me pikë të barabarta, nga 21 të tilla, ndërkohë që i ndjek në vendin e tretë Apoloninë me 18 pikë.
Ndeshja në fjalë do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Reshit Rusi” duke filluar nga ora 12:00 dhe skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka është e karikuar për të marrë tre pikëshin e radhës.
Edhe pse, Vllaznia vazhdon të jetë e përqëndruar në pjesëmarrjen e ndeshjeve në grupe të Champions League, Kampionati Kombëtar vijon të jetë një objektiv kryesor i Vllaznisë për të siguruar titullin kampion, trofe që i jep të drejtë skuadrës kuqeblu të jetë sërishmi pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve të Europës edhe në sezonin e ardhshëm europian.
Në përgjithësi, java e tetë e Kampionatit të Femrave është programuar të luhet në dy ditë, e shtunë dhe e dielë. Po të shtunën, Partizani do të presë në shtëpi durrsaket e Teutës. Të dyja skuadrat vijnë të karikuara mjaftueshëm këtë javë, pasi fundjavën e kaluar arritën të siguronin fitore në ndeshjet respektive. Një ndeshje jo e lehtë për të dyja ekipet, pasi si Partizani, ashtu edhe Teuta kërkojnë të marrin tre pikët e radhës. Takimi do të nisë në ora 11:00 në QSK Kamëz.
Sakaq, dy ekipet e tjera kryeqytetase, përkatësisht Tirana e Kinostudio do të luajnë në transfertë. Tirana do të përballet me korçaret e Skënderbeut të shtunën, në një sfidë të lehtë në letër për vajzat bardheblu, të cilat e kanë nisur mjaft mirë kampionatin, ku në 7 javë kanë marrë 7 fitore, teksa juglindoret kanë vetëm 1 fitore në 7 javë të luajtura. Ndeshja do të luhet në Korçë të shtunën, në ora 14:00.
Nga ana tjetër, Kinostudio do të luajë në transfertë ndaj Kukësit sfidën e javës së shtatë që është planifikuar të nisë në ora 13:00 e që pritet të jetë shumë e luftuar nga të dyja ekipet. Takimi përmbyllës i javës do të luhet të dielën, Lushnja – KF Laçi. Myzeqaret nuk e kanë bërë ende sefte për këtë sezon të ri futbollistik, duke u renditur në vendin e fundit me 0 pikë, ndërsa vetëm një pikë më shumë ka Laçi kundërshtar. Ndeshja do të luhet në Lushnje, ditën e diel në ora 13:00.
Ndeshjet e javës së tetë në kampionatin e vajzave:
Partizani – Teuta, e shtunë, ora 11:00
Vllaznia – Apolonia, e shtunë, ora 12:00
Kukësi – Kinostudio, e shtunë, ora 13:00
Skëndërbeu – Tirana, e shtunë, ora 14:00
Lushnja – KF Laçi, e diel, ora 13:00
Renditja aktuale:
Vllaznia 21 pikë
Tirana 21 pikë
Apolonia 18 pikë
Kinostudio 12 pikë
Partizani 10 pikë
Kukësi 6 pikë
Teuta 6 pikë
Skënderbeu 3 pikë
KF Laçi 1 pikë
Lushnja 0 pikë