Friday, April 26, 2024

Gëzuar Vllazni ! 16 shkurt 1919-16 shkurt 2021, plot 102 vite për klubin më të vjetër në Shqipëri!

Lexo

16 shkurt 1919-16 shkurt 2021, plot 102 vite për klubin më të vjetër në Shqipëri! 102 vite kanë kaluar nga dita kur emri “Vllazni” lindi në historinë e sportit shqiptar, i pari i këtij lloji dhe natyrisht më i vjetri në vendin tonë. Një datë kjo historike, me të cilën krenohet çdo shkodran, jo vetëm ato që jetojnë në qytetin verior, por edhe atyre të shumtëve që pej vitesh jetojnë në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, pa lënë mënjanë edhe pjesën tjetër po aq të shumtë në emigracion, Europë dhe deri në SHBA, Kanada dhe Australi. 102 vite nuk janë pak, kur dihet se që prej asaj dite, pra të 16 shkurtit të vitit 1919 që firmosej themelimi i Shoqërisë Kulturore Sportive Vllaznia e deri më sot, ky emër simbolik e kuptimplotë në familjen e madhe sportive të vendit tonë i ka dhënë aq shumë sportit kombëtar. Me emrin e Vllaznisë lidhen sa e sa ngjarje historike të këtij qytetit të lashtë e plot kulturë.

Historia

Referuar edhe të dhënave zyrtare, sporti në Shkodër daton të jetë më i hershëm se 16 shkurti i formimit të shoqërisë sportive “Vllaznia. Bëhet fjalë për vitin 1905, kur në Shkodër filloi të luhej për herë të parë futboll dhe që për këtë kontribuoi një prift maltez, At Gut Ruter, i cili dokumentohet se ka sjellë topin e parë të futbollit në Shkodër po në këtë vit dhe për këtë Këshilli Bashkiak Shkodër e ka dekoruar me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”. Ndërkohë, në vitin 1913, e dokumentuar edhe me foto është zhvillimi i ndeshjes së parë miqësore ndërkombëtare të futbollit në Shkodër. Bëhet fjalë për atë në mes skuadrës vendase “Indipendenca” dhe një formacioni austro-hungarez që përbëhej nga pjestarë të ushtrive të këtyre vendeve që atë kohë kishin pushtuar qytetin. Për herë të parë ky takim zhvillohet sipas rregullores së kohës për 90 minuta, të ndarë me nga dy pjesë nga 45’. Skuadra “Indipendenca” përbëhej nga 11 lojtarë, kapiteni i të cilëve ishte Palok Nika. Këtij takimi iu bë një jehonë e madhe edhe në shtypin e huaj teksa u pasqyrua në gazeta të ndryshme të Europës. Futbolli do të vazhdohej të luhej në këtë mënyrë deri në vitin 1919 kur do krijohej shoqënia “Vllaznia”, e para edhe kjo në Shqipëri duke i shtuar qytetit të Shkodrës një tjetër krenari.

Themeluesit e shoqërisë Vllaznia

Jemi pikërisht me 16 shkurt, dhe padyshim, me këtë rast, ajo që është e domosdoshme të theksohet është evidentimi i atyre që e “lindën” këtë Vllazni 102 vite më parë. Sidomos për brezin e ri që në një farë mase mund të mos jetë në dijeni, ua risjellim në vëmendje një pjesë të atyre që kontribuan për themelimin e kësaj Vllaznie e shndërruar në emblemë për secilin shkodran. Dëshmitë e asaj periudhe, bëjnë të ditur se pas mbledhjeve të grupeve shoqërore që funksiononin aso kohe në Shkodër, në përfundim vendosën që Kryetar i shoqërisë kulturore sportive Vllaznia të ishte Hilë Mosi, Nënkryetar Hys Draçini, arkëtar Patuk Saraçi, Këshilltar Kel Marubi, Luigj Kodheli, Kontrollor Taip Hilmija, Omer Ruzhdija, Sekretar Jonuz Tafilaj dhe Llogaritar Ali Borshi. Ndërkohë, në drejtimin e degëve, mbledhja e parë e kryesisë zgjodhi në detyrën e avokatit-dega letrate Kristo Floqi, profesor-dega teatrore Salih Nivica, profesor-detyra muzikë Ndue Paluca dhe profesor-dega gjimnastikë Kolë Margjini. Një shoqëri kulturore sportive kjo që do të luante një rol shumë të madh në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit në vendin tonë. Madje pikerisht në Shkodër kanë fillimin e tyre sporte të tillë si futbolli, çiklizmi, atletika etj. Ndërkohë, në vitet në vazhdim, brez pas brezi, sportistët shkodranë të inkuadruar në ekipet me emrin kuptimplotë “Vllaznia” kanë qënë më të spikaturit e veprimtarive sportive kombëtare dhe ato ndërkombëtare, gjë të cilen vijojnë ta bëjnë edhe sot.

Heshtja e institucioneve   

Por, edhe pse kemi të bëjmë me ngjarjen më të rëndësishme të sportit në qytetin verior, në Shkodër asgjë nuk lëviz. Ashtu si edhe vitet e tjera janë mediat ato që ia rikujtojnë opinionit sportiv një gjë të tillë, kur në fakt janë institucionet përkatëse ato që duhet të ishin në këtë rol. Data e themelimit të klubit kuqeblu, data e lindjes së këtij klubi që i dha aq shumë emocione qytetit verior dhe më gjërë kurrësesi nuk duhet anashkaluar. Konkretisht, klubet përkatëse, që institualisht janë dy të tillë që përfaqësohen me logon e Vllaznisë kuqeblu, Sport Klub Vllaznia me përfshirjen e të gjithë ekipeve të garës së shumësportëshit dhe Klubi i Futbollit më vete, dhe nga ana tjetër kupola e tyre, Bashkia Shkodër që zyrtarisht është edhe pronarja dhe administratorja e tyre, asnjëri prej tyre nuk ka marrë përsipër të kujtojë dhe respektojë ato emra dhe figura të nderuara që formuan këtë klub. Dhe, kjo realisht nuk tingëllon mirë.

KF Vllaznia

I vetmi që ka dhënë një sinjal rikujtimi të kësaj ngjaje të shënuar është KF Vllaznia, i cili në faqen zyrtare të tij ka postuar një polifoto interesante me disa nga ekipet e Vllaznisë në vite.

“102 vite më parë lindi shoqëria VLLAZNIA………një emër që dritheron, përmallon dhe mbledh shumë zemra bashkë pasi historinë e saj e shkruvi me djersë dhe me mund dhe të gjitha ato trofe të fituar janë trofe sakrifice prandaj sot të gjithë i urojmë këtij emri të madh përjetësinë në lavdine e meritume”, shkruhet në urimin që vjen nga institucioni në fjalë, që gjithësesi, edhe pse ka vlerën sensibilizuese për opinionin sportiv, mendojnë se është fare pak për këtë ditë të shënuar.

Tifozëria

Me jehonën e kësaj date të shënuar janë bashkuar patjetër edhe tifozëria kuqeblu, ato që i japin emocionet e duhura sportit shkodran. Të shumtë janë urimet dashamirëse dhe plot ndjenjë për këtë ditë të shënuar me postimet që përcillen në rrjetet sociale nga grupimet e tifozëve kuqeblu Siç citojnë edhe ato vetë, e ndjejnë veten krenar për këto dy ngjyra të zemrës kuq dhe blu, që për hirë që së vertetes, me këtë paraqitje speciale të Vllaznisë së sotme që kryeson kategorinë Superiore, këtë sezon futbollistit po e përjetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Urimi i Veriu Sport

Respekt dhe mirënjohje për këtë datë të shënuar të sportit shkodran! Respekt dhe konsideratë maksimale emrave të mësipërm që i lanë trashëgim qytetit të tyre këtë shoqëri kulturore sportive, e cila sot mbush 102 vjeç. Ndaj, me këtë rast, stafi i portalit “Veriu Sport” duke përfshirë edhe të gjithë opinionin dashamirës të sportit shkodran dhe më gjërë, Uron me gjithë zemër: Vllazni, Gëzuar ditëlindjen! Vllazni, të duam kampione këtë sezon për të gëzuar pa masë këtë Shkodër që prej vitesh e pret me padurim trofeun e munguar prej 20 vitesh!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img