Tuesday, October 8, 2024

Goli i fitores ndaj Kastriotit nga Dilaver, meritë edhe e Krujës. Mesfushori kuqeblu i kënaqur me fitoren, optimist për sfiden me Partizanin

Lexo

Boshnjaku Haris Dilaver ishte ai që shënoi në portën e Kastriotit duke i dhënë tre pikë shumë të rëndësishme Vllaznisë, e cila pas javës së 34-t të Kategorisë Superiore e gjen veten në pozita shumë të favorshme për fitimin e titullit kampion. Një gol që padyshim ka meritën kryesore shtatlarti Dilaver, por që në të njëjtën kohë, pjesë jo të vogël kontributi në këtë gol ka edhe mesfushori Arsid Kruja. Ka qënë minuta e 78-të kur Herald Marku lëshon një kros diagonal në zonën krutane, aty ku Kruja fiton dyluftimin ajror me mbrojtësin kundërshtar duke dhënë një asis perfekt për kolegun e tij Dilaver, i cili në një zhytje spektakël me kokë e dërgon në rrjetë. Ndaj, me të drejtë, menjëherë pas ndeshjes, urimet ndaj tij kanë qënë të shumta, pasi goli i fitores erdhi përmes një aksioni model, pjesë e të cilit ishte edhe Kruja.

“Faleminderit, ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi na duheshin pikët si neve ashtu edhe Kastriotit. Ato i kishin për pikë mbijetese, ndërkohë që ne për të realizuar objektivat tona, pse jo për të mos dalë kampion dhe për të siguruar Europën.”, i përgjigjet Kruja urimeve të shumta të marrë nga miqtë e tij, përfshirë edhe gazetarët.

Për t’u theksuar është se goli i fitores për kuqeblutë erdhi nga stoli, pikërisht nga dyshja Kruja-Dilaver. Në lidhje me këtë fakt, Kruja pranon se ka disa ndeshje që ndodh një gjë e tillë, por për të e rëndësishme është që skuadra të marrë rezultatin pozitiv. “Me thënë të drejtën, jo vetem në këtë ndeshje, por në shumë ndeshje e kam filluar nga stoli, por për mua nuk ka shumë rëndësi, si nga stoli apo formacioni, e rëndësishmje është që të japim më të mirën dhe të marrim rezultatet që na duhen, pra rezultatet pozitive”, sqaron Kruja në lidhje me aktivizimet e tij në këtë sezon futbollistit.

Më tej, mesfushori Kruja, flet edhe për ndeshjen e radhës, atë që Vllaznia do ta luajë në transfertë me Partizanin ditën e premte, një sfidë shumë e rëndësishme për të cilën Kruja premton se do të kërkojnë fitoren duke synuar titullin kampion. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Normalisht që edhe ne edhe Partizani kemi bërë një kampionat shumë të mirë, por mendoj se e gjithë Shqipëria do t’i ketë sytë tek ne, dhe pse jo të mos shkojmë për fitore dhe t’i afrohemi titullit kampion”, përfundon Kruja në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes, Vllaznia-Kastrioti e fituar nga kuqeblutë me rezultatin 1 me 0.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img