Sunday, May 5, 2024

Herald Marku nuk e diskuton Vllazninë pjesë të Europës, madje beson edhe në fitimin e dy trofeve

Lexo

Për Herald Markun, mesfushorin që luan sezonin e dytë me kuqeblutë, përkundër opinioneve të analistëve të futbollit që nuk besojnë tek skuadra kuqeblu, Vllaznia as që e diskuton pjesëmarjen në Kupat e Europës. Madje, sipas tij, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë t’i fitojë të dy trofetë, Kupë dhe Kampionat. Paraditen e së enjtes, Marku ishte në konferencë për shtyp përkrah trajnerit Brdariç, ku ndër të tjera foli edhe për raportet e tij me golin që i ka munguar kohët e fundit, por që mund të vijë që në përballjen me Kukësin.

“Kam bindjen e plotë që në përfundim të ndeshjes t’i nxjerr bllof ata specialistë, të cilët mendoj se kanë gabuar sepse Vllaznia do të jetë në Europë. Do luftojmë fort në të dyja frontet, si për titullin kampion, ashtu edhe për Kupën e Shqipërisë. Në Elbasan do shkojmë të japim maksimumin. Jemi përballur edhe më parë me Kukësin, dimë si ta mundim. Është një ekip cilësor, nuk do ta nënvlerësojmë. Pa diskutim që shkojmë në Elbasan vetëm për tre pikët. Ata na kanë mundur në ‘Loro Boriçi’, por mendoj se kemi dominuar në fazën e tretë. Jemi në një formë më të mirë dhe mendoj se do ta kalojmë me sukses. Kukësi luan për objektivat e veta, ka një ekip me lojtarë cilësorë dhe gjithsecili do të japë më të mirën, edhe për arritje personale. Ne duhet të fokusohemi tek ekipi ynë dhe të jemi të motivuar për të arritur në marrjen e tre pikëve që më pas të vazhdojmë luftën për titullin kampion. Në lidhje me golin, më vjen mirë që i kam mësuar tifozët me gola të bukur, por është pak e vështirë tani pasi më kërkohen. Nuk jam nën presionin golit, pasi luaj në mesfushë, por gjithmonë e kam kërkuar të jap një ndihmë për ekipin, të jem një plus. Ka vonuar pak, por shpresoj të ketë vlejtur pritja dhe të jetë ndonjë gol tjetër i bukur, pse jo edhe ndaj Kukësit të premten.”, tha Herald Marku në konferencën për shtyp dhënë me gazetarët shkodranë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img