Saturday, July 27, 2024

Hysen Dedja: “Vllaznia lejon kundërshtarët të qarkullojnë topin, drejtuesit duhet të kishin menduar dëmtimet”

Lexo

Ish-trajneri kampion i kuqebluve në vitin 1998, Hysen Dedja ka analizuar startin e Vllaznisë, si dhe ka folur për ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë.

Në intervistën për “Panorama Sport”, Dedja mendon se Vllaznia po del nga tradita që ka pasur me lojën që bënte, duke e bazuar te qarkullimi i dendur i topit. Ai shikon një skuadër që nuk është agresive dhe i lejon kundërshtarët të bëjnë çfarë të duan. Nga ana tjetër, ish-trajneri u bën apel tifozëve që të mbështesin skuadrën, ndërsa thekson se duhet të mposhtin nesër bardheblutë, pasi më në krizë se kaq nuk do ta gjejnë këtë rival.

Zoti Dedja, çfarë përshtypjeje ju ka lënë Vllaznia në këto 7 javë kampionat?

I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e Vllaznisë dhe për hir të së vërtetës është një skuadër që nuk luan topin, një veçori që ne në Shkodër e kemi në traditën tonë. Shikoj që skuadra nuk është e ashpër as në luftën me topin, pasi kundërshtari e qarkullon me lehtësi kur e ka në zotërim. Kjo ndodh edhe në fushën tonë, ku kujtoj se Partizani dhe sidomos Egnatia, e mbajtën topin aq sa deshën. E theksoj këtë, sepse veçanërisht në ndeshjet në Shkodër duhet të jemi më të ashpër në luftën për topin e parë.

Në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos u godit atëherë kur e kishte rezultatin në dorë. Mendoni se ndikuan mungesat në këtë takim?

Te një skuadër që janë larguar mbi 65% e lojtarëve dhe janë afruar po kaq, mendoj se është e vështirë që futbollistët të përshtaten shpejt me veprimet tekniko-taktike, ashtu edhe në atë psikologjike për rezultatin pozitiv në transfertë. Sigurisht që ndikojnë edhe dëmtimet, por në organizimin e skuadrës, drejtuesit duhet ta kishin menduar, sepse dëmtimet apo kartonët, janë të pashmangshëm në gjithë kompeticionet.

Si një ish-trajner kampion, si mund të rregullohet kjo situatë për vazhdimësinë, që Vllaznia të jetë në rrugën e duhur?

Së pari, unë gjykoj se është herët që të themi se çfarë nuk po shkon me skuadrën. Kam mendimin se tifozët dhe gjithashtu pseudospecialistët, duhet të përkrahin ekipin në këto momente. Pastaj, në fund nëse skuadra nuk është në objektivat e pritshëm, duhet të bëhen këto analiza.

Të shtunën Vllaznia luan ndaj Tiranës, që dje shkarkoi trajnerin Shehi. Çfarë ndeshjeje prisni?

Këtë herë mendoj se duhet ta kalojmë me sukses Tiranën, sepse e gjejmë në krizën më të madhe që ka pasur në këto dy vite. Megjithatë, gjithmonë duke e vlerësuar si nënkampione.

Ndaj Tiranës do të luhet në Kukës, pasi stadiumi “Loro Boriçi” i është nënshtruar procesit të mbjelljes së barit. Sa mund të ndikoj kjo situatë me fushën për Vllazninë?

Shiko, në këto kohë që jemi, s’ka problem fusha, pasi në Superiore vetëm Laçi, Egnatia, Teuta dhe Kukësi po luajnë në stadiumet e tyre. Këtu stadiumet janë pa spektatorë, kështu që nuk ndikon fusha kundërshtare.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img