Saturday, October 12, 2024

(Intervista) Drejtori sportiv i KF Vllaznia, Tefik Osmani, i kënaqur me ecurinë e Vllaznisë: Mendoj se kemi punuar shumë dhe kemi qenë të bindur që ky ekip do të jetë mes katër të parëve në renditjen e Superiores

Lexo

Suksesin e dyfishtë që pati me Tiranën pak vite më parë, ku fitoi titullin kampion dhe i solli klubit të ardhura të konsiderueshme nga shitja e disa lojtarëve, korçari kërkon ta përsërisë tani në Shkodër me Vlalzninë. Fillimi i këtij sezoni është i mbarë për Vllazninë e fushës dhe për vetë Osmanin: vendi i parë në tabelën e renditjes dhe dy shitje (Smajli dhe Alivoda). Në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i kuqebluve flet për startin pozitiv të Vllaznisë, por në çdo moment është me “këmbë në tokë”, duke larguar euforinë, që në Shkodër ka qenë gjithmonë “virus” i rrezikshëm. Ai ia la gjithçka kohës, por nuk fshihet kur flet për forcën e Vllaznisë.

Kryesim i Superiores pas 6 javësh, me 13 pikë. Një nisje sipas planeve për Vllazninë, apo më mirë se çfarë e prisnit?
Që të jem më “këmbë në tokë”, mendoj se kemi punuar shumë dhe kemi qenë të bindur që ky ekip do të jetë mes katër të parëve në renditjen e Superiores.

Edhe pse me mungesa të rëndësishme, skuadra ka funksionuar. A është një plus ky në lidhje me pretendimet e sezonit?
Ekipi i fortë e tregon veten që edhe kur ka mungesa të rëndësishme, di të fitojë, di të vuajë dhe di të japë maksimumin. Pastaj për rezultatin është edhe fati brenda, që shyqyr Zotit ka qenë me ne. Por mos harroni se Vllaznia ka një ekip të kompletuar për këtë sezon.

Çfarë ka Vllaznia më shumë në raport me rivalët, që ka marrë më tepër pikë, duke hedhur e para kandidaturën e titullit?
Nuk di të jap një përgjigje të saktë për këtë temë, por di të them se ne i kemi marrë ndeshjet një nga një me shumë seriozitet, sikur të jenë të gjitha finale.

Balaj duket si vera, por a mund të themi se skuadra ka krijuar varësi prej tij?
Balaj është një lojtar shumë i rëndësishëm për klubin tonë, është një shembull për të gjithë. Plus që po e tregon me vepra në fushë. A jemi në varësi të tij…? Ishalla nuk na mungon asnjëherë, por le t’ia lëmë kohës të flasë më mirë. Mua kështu më pëlqen, pasi koha tregon gjithçka. Jam kritikuar që nuk kam blerë lojtarë sulmues, por sot më duket se po flasim për Dodajn dhe Delajn…

Sapo keni shitur Alivodën, pas Smajlit. Si drejtor sportiv i Vllaznisë, çfarë do të thotë për ju ky fakt?
Unë si drejtor sportiv, ndihem mirë kur i mbështes këta te rinj. Më duket se e kam pasur si objektiv që kur kam ardhur te Vllaznia që duhet të shesim lojtarë. Duhet të shikoj kontratën… (qesh) Shpresoj që të shesim sa më shumë lojtarë.

Duket se keni gjetur formulën e duhur për të pasur një skuadër kompetitive dhe njëkohësisht me të rinj vendës në formacion, apo me një minutazh të caktuar. Ku qëndron çelësi i suksesit në këtë pikë?
Kjo është diçka që e kam nisur që te Tirana, që të kemi një grup miks me lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj. Dua të falënderoj lojtarët me eksperiencë për këtë pjesë, sepse i kanë mbështetur të rinjtë deri tani, por duhet të vazhdojnë akoma me mirë të mendojnë kur kanë qenë vet ata të rinj.

Përpara është ndeshja me Dinamon. Si e prisni dhe çfarë parashikoni të shtunën në Elbasan?
Mendoj se është ndeshje shumë e vështirë. Mund të them nga më të vështirat, pasi Dinamo ka marrë një trajner, që rezultatet dhe sukseset nuk të lënë të flasësh shumë për të. Por jemi Vllaznia dhe shkojmë për të dhënë maksimumin, siç kemi bërë tani. Unë vetëm këtë i kërkoj skuadrës, që të japë maksimumin e saj në çdo ndeshje.

Fatjon RUPI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img