Wednesday, December 11, 2024

(Intervista) Dritan Smajli: Vllaznia, ka shanse maksimale për titullin. Ekipi nuk duhet të bëhet euforik!

Lexo

Dritan Smajli, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, por edhe i Tiranës në Superioren, ka folur për 28 javët që Vllaznia ka bërë në kampionat, por edhe për ecurinë e saj në Kupë.

Në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri aktual i Besëlidhjes flet për ndryshimet që ka pasur Vllaznia, duke vlerësuar maksimalisht stafin e ri. Ai apelon te lojtarët që t’i shmangin vetëkënaqësisë.

Kur nisi sezoni, a mendonit që Vllaznia do të vinte në këtë pikë, të luftonte për vendin e parë?
Nisur nga merkatoja që klubi zhvilloi, të gjithë ishim skeptik, pasi dhe në takimet evropiane nuk është se ekipi bëri mirë. Ndryshimi i stafit bëri që skuadra t’i kthehet entuziazmi dhe dëshira për të dhënë gjithçka për fanellën dhe për qytetin, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe kjo na bëri të besojmë që Vllaznia këtë vit mund t’ia dalë të jetë si asnjëherë tjetër me afër se kurrë titullit.

Çfarë ndryshoi trajneri Osmani dhe stafi teknik, që skuadra u transformua?
Pak a shumë e preka edhe me lart. Entuziazmi dhe motivimi është gjëja kryesore në një skuadër dhe besoj deri tani stafi ia ka arritur, pasi po merr maksimumin nga çdo lojtar.

Respektivisht, sa e ndihmon dhe e penalizon formula e “Final 4” Vllazninë?
Në këtë situatë që është kampionati mendoj që e penalizon, pasi është vetëm dy pikë larg dhe shumë shpejt mund të arrijë vendin e parë. Ndërsa e ndihmon në qoftë se do të qëndrojë deri në fund në vend të dytë dhe të japë gjithçka në ndeshjet e “Final 4”.

Po ëndërrojnë titullin, sa shanse ka të vijë në Shkodër?
Të gjithë po jetojnë një ëndërr të bukur, duke filluar nga unë i pari dhe dashtë Zoti këtë vit t’ia dalin. Besoj ka shanse maksimale, pasi po e tregon në fushën e lojës dhe po sillen si kampion në interpretimet e ndeshjeve. Sa më të bashkuar, tifozët, skuadra aq më e realizueshme bëhet edhe ajo që mund të quhet e pamundur.

Cili është rivali më i fortë i Vllaznisë?
Të gjithë janë rivalë të fortë, sepse duhet të fitosh çdo ndeshje, por po veçoj kreun, pasi jo më kot janë aty Egnatia dhe Partizani.

A e shihni Vllazninë në dy fronte, kampionat e Kupë?
Për shpirt dua që t’i marrin të dyja, por kemi mbi 20 vjet që po presim titullin dhe titulli do të ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhë. Kjo jo se nuk dua që të marrin Kupën, por titulli është një ndjesi e jashtëzakonshme për atë qytet dhe jo vetëm.

Si e shihni skuadrën në 8 javët e mbetura?
Ndërprerja e kampionatit besoj do e ndihmoj të karikojnë mirë bateritë për të dhënë gjithçka dhe mendoj që do jetë i njëjti sukses si gjithë këto javë. Jam besimplotë që do të arrijë dhe vendin e parë, pasi me të vërtetë e meriton për çfarë kanë dhënë deri tani në fushë.

Ku duhet bëjë kujdes kjo skuadër?
Vetëkënaqësia është gjëja më e dëmshme në futboll dhe kjo nuk duhet të ndodhë, pasi nuk ka kohë për një gjë të tillë.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img