Tuesday, May 21, 2024

(Intervista) Krijohet Shoqata e Volejbollit “Vllaznia”-President zgjidhet biznesmeni i njohur shkodran, Florian Zekja

Lexo

Për volejbollin shkodran duket se po vijnë ditë të mira. Krijimi i Shoqatës së Volejbollit Vllaznia për femra pritet të shoqërohet me një organizim krejt ndryshe nga periudha e mëparshme, kur volejbolli ashtu si edhe sporte të tjera financohej me fonde modeste nga institucioni i qeverisjes lokale, Bashkia Shkodër. Në krye të kësaj shoqate është zgjedhur biznesmeni i njohur shkodran, Florian Zekja, i cili nga ana e tij ka nisur menjëherë nga puna për organizimin e strukturave përkatëse që do të drejtojnë volejbollin shkodran, formatimin e ekipeve përkatëse dhe masave të tjera organizative.

Për të mësuar diçka më tepër rreth shoqatës në fjalë, si dhe projekteve të saj për zhvillimin e volejbollit shkodran, Veriu Sport kontaktoi me numrin 1 të kësaj shoqate, presidentin Florian Zekja.

Zoti Zekja, fillimisht, urime për postin  rëndësishëm të presidentit të volejbollit të femrave në Shkodër. Një detyrë sa e bukur, por jo pak edhe e vështirë për ta menaxhuar për kushtet aktuale jo shumë të përshtatshme që shoqërojnë sportin në Shkodër.

Në radhë të parë dua të falenderoj portalin mediatik Veriu Sport, i cili është një dritare informuese dhe profesionale për sportin në përgjithësi.

Me iniciativën e Bashkisë Shkodër për dhënien në përdorim të Sporteve për një periudhë 2 vjeçare, nevoja për të konkuruar në këtë konkurs ishte e pashmangshme. Dy trajnerët së bashku me një staf pune u mobilizuan për të përgatitur dokumentacionin përkatës (shumë voluminoz dhe profesional) dhe arritëm të jemi fitues të kësaj kontrate. Me këtë rast dua të falenderoj Kryetaren e Bashkisë Shkodër znj. Ademi si dhe stafin e drejtorisë së kulturës dhe sporteve, staf i të cilit ka bërë një punë shumë voluminoze dhe profesionale për të na ndihmuar në këtë iniciativë krejt të re për të gjithë.

Si ju lindi ideja e bashkëpunimit me fushën e sportit dhe konkretisht, me disiplinën e volejbollit. Kush u bë më tepër nxitje, pasioni për këtë sport, nxitja nga ndonjë mik i sportit, apo edhe faktor të tjerë?

Bashkëpunimi për sportin e volejbollit për femra ka filluar në mënyrë sporadike që në viti 2016 me një ndihmesë nga ana ime në nivel financimi për uniformat apo sponsorizimi i ndonjë transferte  kryesisht në Tiranë. Alkimia me dy trajnerët e talentuar Ferdinand Bardeli dhe Dorian Tafa ndodhi natyrshëm e cila u konkretizua me themelimin e një OJF me emrin Shoqata  e Shkodrës  VLLAZNIA VOLLEYBALL.

Angazhimin tuaj tek sporti i volejbollit, e shikoni në prizmin e sponsorizimit, apo edhe si biznes në vijueshmëri të aktivitetit tuaj si kreu i kësaj shoqate?

Angazhimi im në sportin e bukur të volejbollit do jetë në rolin e sponsorit, por mbi të gjitha të administratorit dhe menaxherit të kësaj Shoqate. Pjesa kryesore do jetë marrdhëniet me institucionet vendore, Federatën Shqiptare të Volejbollit, apo dhe me partnerët vendas apo të huaj për të lehtësuar punën e trajnerëve por edhe për t’i dhënë një menaxhim komplet tjetër këtij aktiviteti si në aspektin mediatik apo dhe atij imprenditorial. Ekipi zinxhir i volejbollit të femrave në pak kohë duhet të bëhet një aktivitet që me rezultatet dhe publicitetin të ketë një situatë ekonomike pozitive të denjë për një sport kaq popullor në qytetin tonë.

Cilat janë hapat e parë që ju keni ndërmarrë që prej marrjes së detyrës tuaj si president i volejbollit shkodran?

Analiza e trainerëve për këtë situatë solli si emergjencë fuqizimin e ekipit të parë. Masat e para ishin rikthimi i disa volejbollisteve shkodrane  në ekip siç ishte rasti i liberos Kiri nga ekipi i Skënderbeut, rikonfirmimi i lojtareve me eksperiencë si Tuci, Bardeli apo të tjera si dhe fuqizimi me lojtare të nivelit të lartë siç janë Hasku, Picaku etj. Si masë të dytë ne vendosëm fillimin e fazës përgatitore pranë strukturave hoteliere në plazhin e Velipojës. Masa e tretë është nisja e një fushate për gjetjen e sponsorave seriozë dhe të fuqishëm si në qytetin e Shkodrës, po ashtu dhe në të gjithë vendin. Një zë të rëndësishëm do këtë dhe bërja sa më  mediatike e këtij sporti kaq të dashur për qytetin tone. Masa e katërt por jo më pak e rëndësishme do jetë organizimi i kampionatit nga ana e shoqatës tone të volejbollit për femra mes shkollave 9 vjeçare dhe të mesme në muajt nëntor-dhjetor me qëllim bërjen sa më popullor këtë sport por dhe për gjetjen e talenteve të reja. Bisedimet për këtë organizim me bashkinë e Shkodrës si dhe me drejtorinë arsimore kanë filluar dhe vullneti pozitiv dhe mbështetja nuk mungon nga ana e këtyre institucioneve.

Volejbolli shkodran, për femra dhe meshkuj ka një traditë të mirëfilltë në vitet e mëparshme, besoni se do t’i riktheni ekipet kuqeblu në nivelet e pretendentëve për trofe?

Duke parë historikun e volejbollit femra në vite kemi vënë re se ekipet zinxhir kanë qënë gadi çdo vit fituese të vendit të parë ose të dytë, por kur vjen puna për ekipin e të rriturave diçka çalonte. Sportistet ose shkonin në ekipet e tjera ose linin sportin dhe të rriturat nuk arrinin të korrnin sukses. Kjo do të thotë se talentet në ekipet zinxhir nuk mungojnë, gjithashtu dhe puna e trainerëve dhe sportisteve ishte shumë e mirë, por kur vjen puna tek ekipi i të rriturave shumë gjëra sfumohen dhe humbin. Me masat afatshkurtër dhe afatmesëm që po marrim, mendojmë të arrijmë të realizojmë objektivat që i kemi vënë vetes që janë fitimi i të gjitha turneve siç janë kampionati kombëtar apo kupat, riaktivizimi i tifozerisë të mrekullueshme shkodrane në mbështetje të këtij sporti si dhe paraqitja në mënyrë dinjitoze e ekipeve zinxhir në aktivitete ndërkombëtare.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img