Saturday, October 12, 2024

(Intervista) Luan Zmijani: Vllaznia me oshilacione, por me Partizanin fiton këtë të premte. Kuqeblutë, janë pretendentë për titullin kampion

Lexo

Ish-anësori i djathtë Luan Zmijani ka dhënë edhe arsyet e tij për oshilacionet që ka pasur skuadra në këto javë. Ai është shprehur i zhgënjyer nga skuadra në tërësinë e vet. Megjithatë, shpreson se Vllaznia mund të arrijë maksimumin ndaj Partizanit, pavarësisht se të kuqtë nga ana e tyre në këtë sezon janë një skuadër mjaft e mirë dhe cilësore. Ndër të tjera, në interv istën e dhënë për gazetarin e Pamorama Sport Admir Uruçi, Luan Zmijani e sheh Vllazninë pretendente për titull.

Si e shihni Vllazninë e këtyre javëve?

Të them të drejtën kam pritur një Vllazni më të bukur në lojë. Një skuadër me rrjedhshmëri në aksionet e saj pa gabime në mbrojtje. Natyrisht edhe më rezultative.

Prisnit më shumë se një pikë në përballjen e fundit ndaj Teutës?

Duke shikuar situatën që po kalonte Teuta, pse jo. Kisha një besim në vetvete se mund të bënim më tepër.

Shumë oshilacione në lojë e rezultate. Çfarë nuk shkon?

Çfarë nuk shkon unë s’e di, por që kanë mundësi të japin më tepër këta lojtarë, këtë e di, sepse e kanë treguar kohë më parë.

Sipas jush, pse ndodhin këto luhatje?

Duhet të jesh në brendësi të skuadrës që të japësh një mendim të saktë, por këto oshilacione njihen gjatë rrugës. Megjithatë duhet shpejt që të gjendet “ilaçi” që mos të ketë pasoja të pariparueshme në vazhdimësi.

Si e shikoni lojën e Vllaznisë në sulm?

Loja në sulm e Vllaznisë nuk është në nivelin e duhur dhe mesa shikoj skuadra luan jo me sulmues të mirëfilltë, por me gjysmë sulmuesi, siç është Ardit Hoxhaj. Me siguri duhet të ketë arsye që dy sulmues të mirëfilltë janë në stol si Kaina e Aralica. Këtë më mirë e di trajneri.

Sa ka ndikuar mungesa e Latifit?

Mendoj se shumë. Ai është një lojtarë që merr përsipër dhe tepër i rëndësishëm në fazën sulmuese. Skuadra po ia ndien mungesën.

A mund të gjendet një shpjegim për dëmtimet e shumta?

Dëmtimet janë pjesë e rrugëtimit të një kampionati dhe nga njëherë ta vështirësojnë atë. Megjithatë shikoj që ka lojtarë në organikën e ekipit që mund të bëjnë mirë. Mund të përmend rastin e të riut Alivoda, që po bën mjaft mirë punën që i është ngarkuar.

Përballë këtë fundjavë është Partizani në “Loro Boriçi”, si e shikoni këtë përballje për Vllazninë?

Tepër të vështirë. Do të ketë përballë një kundërshtar shumë të fortë. Kështu e shikoj unë këtë sezon Partizanin. Një ekip, që ka bërë një start të mirë. Përveç ndeshjes me Tiranën. Kështu, duhet të kemi kujdes dhe të marrim maksimumin duke shfrytëzuar dy mungesat e tyre. Mendoj se Vllaznia ka shumë shanse të fitojë, por duhet të luftohet fort dhe të besojnë se mund të arrihet suksesi.

Çfarë duhet të ndryshojë për të kthyer vazhdimësinë?

Në çdo repart duhet kujdes. Në mbrojtje më pak gabime dhe më fanatikë në markime dhe mbylljet e zonave të lira. Mesfusha duhet të luajë më shpejt dhe me sa më shumë vertikalizime dhe kryesorja për mua të luhet me sulmues kryesor. Pra, një Vllazni solide e fiton këtë sfidë.

Si e shikon vazhdimësinë e Vllaznisë në këtë sezon?

A e shikoni atë një prej pretendenteve për titull? Mendoj se skuadra do të ketë rritje dhe me siguri që do të jemi pretendentë për titullin. Gjithsesi, rruga është shumë e gjatë.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img