(Intervista) Nga Fatos LAMAJ – Hallaçi dhe Sopoti misioni i dytë pas ngjitjes!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Pas një sezoni të suksesshëm që kulmoi me ngjitjen në Kategorinë e Parë Sopoti përgatitet për një sfidë të re tashmë në një nivel më të lartë të futbollit shqiptar.

Në krye të skuadrës do të jetë sërish Rraman Hallaçi i cili ka mar përsipër të vijojë projektin për të dytin sezon radhazi.

Trajneri e konsideron vazhdimësinë një dëshmi të besimit të klubit te puna e tij ndërsa tashmë objektivi është i qartë konsolidimi i Sopotit në Kategorinë e Parë dhe ndërtimi i një skuadre që të jetë konkurruese ndaj çdo kundërshtari.

Hallaçi e nis këtë aventurë të re me një grup që në pjesën më të madhe ka mbetur i pandryshuar duke zgjedhur vazhdimësinë si një nga çelësat për të përballuar një sezon më të vështirë.

Në të njëjtën kohë merkatoja mbetet e hapur dhe trajneri kërkon përforcime cilësore në disa reparte me synimin për t’i dhënë skuadrës më shumë alternativa dhe personalitet.

Në një kampionat ku sipas tij nuk ka më kundërshtarë të lehtë Hallaçi e di se çdo ndeshje do të ketë peshën e saj.

Për trajnerin Hallaçi, qëndrimi është objektivi fillestar por ambicia nuk mungon teksa me eksperiencën e mëparshme në Superiore ai synon të ndërtojë një Sopot që të jetë sa më konkurrues dhe të mos jetë thjesht kalimtar në Kategorinë e Parë.

Në këtë intervistë Rraman Hallaçi flet për rrugëtimin drejt ngjitjes,vazhdimësinë te Sopoti, grupin e ruajtur, merkaton, objektivin e sezonit, ndryshimin mes Kategorisë së Parë dhe Abisnet Superiore,përgatitjet dhe rëndësinë e tifozëve, ndërsa shpalos edhe ambicien e tij për një rikthim të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar.

Tashmë jeni në sezonin e dytë në drejtimin e Sopotit. Sa e rëndësishme është për ju kjo vazhdimësi në një projekt që solli edhe ngjitjen në Kategorinë e Parë?

Kam marrë përsipër edhe misionin numër dy për të vazhduar përsëri me Sopotit këtë sezon. Unë si trajner jam profesionist, punoj aty ku më kërkojnë dhe më vlerësojnë punën dhe seriozitetin që kam në punë. Sigurisht, është shumë e rëndësishme vazhdimësia pas një sezoni pozitiv.

Sezoni i kaluar u mbyll me objektivin e madh të ngjitjes. Çfarë përfaqëson për ju kjo arritje dhe sa e vështirë ishte të realizohej?

Arritja ishte e madhe, pasi Sopoti kishte shumë vite në Kategorinë e Dytë. Ishte shumë e vështirë, pasi ne kaluam në play-off, por asnjëherë nuk u dorëzuam dhe besuam deri në fund.

Pas një sezoni pune me këtë grup,sa më e lehtë është për ju të ndërtoni skuadrën dhe të aplikoni filozofinë tuaj?

Kam mbajtur 80% të skuadrës dhe kemi bërë pak blerje. Kemi ruajtur grupin kryesor. Puna na ecën mbarë pasi kemi bërë pak blerje, pikërisht që të mos krijojmë situata jo pozitive duke bërë skuadrën nga e para. Do të kemi përsëri një stil loje, por do të kërkojmë më shumë personalitet që të konkurrojmë denjësisht me çdo skuadër.

Sa ka ndryshuar atmosfera dhe përgjegjësia te Sopoti pas ngjitjes në Kategorinë e Parë?

Atmosfera është shumë e mirë, shumë pozitive. Përgjegjësia është e madhe, sigurisht, pasi tani nuk duam të kthehemi atje ku ishim, por të qëndrojmë sa më lart.

A mendoni se grupi që ju solli ngjitjen ka potencialin për të konkurruar edhe në Kategorinë e Parë?

Patjetër. Grupi që solli objektivin ka shumë potencial për të vazhduar, është i uritur për sukses, gjithmonë me mend në kokë.

Sa e rëndësishme ka qenë merkatoja për forcimin e skuadrës dhe në cilat reparte mendoni se keni nevojë për përforcime të tjera?

Kemi nevojë në të gjitha repartet. Kemi marrë lojtarë dhe do të vazhdojmë të marrim lojtarë cilësorë.

Çfarë objektivi i keni vendosur Sopotit në këtë sezon të parë pas rikthimit në Kategorinë e Parë?

Objektivi është qëndrimi. Pastaj ia lëmë kohës se kush do të jetë më i zoti në fushë dhe jo në letër.

Riktheheni pas disa vitesh si trajner në Kategorinë e Parë. Ju keni drejtuar edhe Kukësin në Superiore. Cili është ndryshimi që vini re mes dy kategorive?

Kam pasur Kukësin si trajner të parë tri herë në drejtim. Sigurisht që Superiorja është ndryshe. Ndryshimi është se ka më shumë luftë sportive në Kategorinë e Parë dhe duhet të gjej lojtarët e duhur për këtë kategori. Për mua nuk ka rëndësi në çfarë kategorie jam, bëj punën time i përkushtuar. Kam bindjen që shumë shpejt do të jem në Kategorinë Superiore, pse jo në një të ardhme të afërt me Sopotit.

Si e shikoni konkurrencën në Kategorinë e Parë këtë sezon dhe cilat skuadra mendoni se do të jenë pretendente?

Pretendente janë të gjitha skuadrat. Janë të forta të gjitha, nuk ka më skuadra të lehta. Futbolli ka ndryshuar.

Sa të rëndësishme do të jenë ndeshjet e para për të kuptuar se ku mund të pozicionohet Sopoti në këtë kampionat?

Do të jenë të rëndësishme të gjitha ndeshjet, jo vetëm ndeshjet e para. Kampionati është shumë i fortë.

Çfarë kërkoni të përmirësoni te skuadra gjatë fazës përgatitore?

Faza përgatitore është kryesorja në skuadër. Sigurisht, do të korrigjojmë disa gjëra për të mirën e skuadrës.

Sa rëndësi kan ndeshjet miqësore për ju në ndërtimin e formacionit dhe përshtatjen e futbollistëve të rinj?

Unë nuk luaj për rezultate në ndeshjet miqësore. Kryesorja është që lojtarët e ardhur të futen sa më shpejt me grupin dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë të vazhdojnë të jenë të bashkuar.

Në fund çfarë mesazhi keni për tifozët e Sopotit dhe çfarë mund t’u premtoni për sezonin e ri?

Tifozëve të Sopotit u them një gjë qëndroni gjithmonë afër skuadrës ashtu si bëtë në play-off. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo hap. Pa tifozë nuk mund të fitosh një ndeshje dhe pa ata nuk bëjmë dot asgjë.

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img