Tuesday, May 14, 2024

(Intervista) Sot, supersfida, Vllaznia-Partizani, sot ora 17:00, në “Loro Boriçi”. Ishi i dy skuadrave, Herald Marku, flet për emocionet e pragandeshjes

Lexo

Vllaznia dhe Partizani përplasen të dielën në duelin kryefjalë të javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Të shumtë janë lojtarët, që kanë provuar të luajnë e të dhurojnë emocione me të dyja këto fanella.

Një ndër tyre është Herald Marku “asi” i mesfushës, që aktualisht është pjesë e UTA Arad në ligën kryesore të Rumanisë. Në një intervistë për “Panorama Sport” 27-vjeçari analizon supersfidën e javës, ku sheh Vllazninë disi më të avantazhuar prej formës së mirë të javëve të fundit. Ai kujton edhe kohët me të dy ekipet.

Herald, si po ju shkon aventura në Rumani tek UTA Arad?

Para një nisjeje shumë të mirë këtu tek UTA në Rumani, ku arrita të ndihmoj ekipin me paraqitjet e mia. Aktualisht situata nuk është më e mira, të paktën jo siç unë e kam pritur.

E keni ndjekur Superioren në këtë sezon? Si ju duket gara?

Po, e kam ndjekur Superioren. Më duket sezon interesant prej faktit që ekipet janë shumë të ngjeshura në renditje dhe nëse nuk e ruan ritmin, e sheh veten brenda pak javësh në fund. E kundërta ndodh nëse ruan ritmin dhe tregon vazhdimësi.

Keni luajtur një sezon me Partizanin. Si e konsideroni në tërësi atë eksperiencë dhe a mendoni se ju ndihmoi?

Kur isha pjesë e Partizanit, rezultoi një sezon me shumë luhatje sportivisht, por momentet që kam kaluar aty më kanë lënë mbresa të mira dhe kam marrë mësime, që më kanë ndihmuar për të bërë përpara.

Cili është kujtimi më i bukur me fanellën e kuqe?

Është goli i shënuar ndaj Kukësit me goditje dënimi. Ishte një ndeshje perfekte nga ana jonë dhe ai gol i imi ishte si “qershia mbi tortë”, pasi e çoi rezultatin 5-0. Mbetet ende një ndër fitoret më të thella të Partizanit në vitet e fundit. Nga ana tjetër, ishte një gol mjaft domethënës për momentin që po kaloja atëherë.

Me Vllazninë keni luajtur më shumë dhe me siguri keni regjistruar kujtime të bukura. Mund të veçoni ndonjë?

Padiskutim. Te Vllaznia kam ruajtur shumë kujtime të bukura, por veçoj dy prej tyre. I pari është suksesi me fitimin e Kupës, por edhe ai sezon fantastik nën drejtimin e Brdariç, kur arritëm të luftonim deri në fund për titullin kampion.

Të dielën dy ish-ekipet tuaja, Vllaznia dhe Partizani përballen në “Loro Boriçi”. Cila ju duket më e avantazhuar?

Nuk kam asnjë dyshim se do të jetë një përballje me emocione dhe shumë luftë sportive, mes dy prej ekipeve më të forta të kampionatit. Duke marrë shkas nga situatat që po kalojnë aktualisht ekipet, mendoj se Vllaznia është në një moment më të mirë dhe e shoh disi më të avantazhuar. Partizani nuk do ta ketë të lehtë.

Cila mesfushë mendoni se do ta fitojë duelin e të dielës?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Po t’i përballësh lojtarët në secilin pozicion të treshes së mesfushës, është e vështirë të dalësh në një përfundim. Mendoj se janë dy prej mesfushave më të forta të këtij sezoni në Kategorinë Superiore

Cilët lojtarë mendoni se mund të bëjnë diferencën në përballje të tilla?

Ndeshje të tilla mes ekipesh me emër dhe të forta, në shumicën e rasteve zgjidhen nga lojtarë, që bëjnë diferencën. Të dyja ekipeve këto elemente nuk u mungojnë. Te Vllaznia do të veçoja Balajn, Malën, Çobën dhe Grudën, ndërsa te Partizani pres që të zgjidhin situatat lojtarë si Cara, Rrapaj apo Skuka.

Si një mesfushor dhe njohës i mirë i këtij reparti, cilët mendoni se janë mesfushorët më cilësorë të këtij kampionati?

Janë disa lojtarë, që luajnë ende në Superiore, por meritojnë të luajnë në liga më të forta. Mendoj se Mala, Alivoda, Rrapaj, Ujka dhe Krymi janë ndër më të mirët e këtij sezoni.

Si ju duket skema e re? Cilat ekipe shihni në katërshen finale, që ju dërgon në “play-off”?

Skema siç e thatë edhe ju është diçka e re, për të cilën duhet pritur fundi për të dhënë gjykime. Por mund të them se deri më tani më duket interesante. Sa i përket katërshes, mendoj se Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Tirana do të luajnë finalet e mëdha. Sa i përket renditjes mes kësaj katërsheje, mendoj se pavarësisht shkëputjes së Egnatias, gara do të jetë e bukur deri në fund.

Denis LALA

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img