Sunday, October 13, 2024

(Intervista) Surpriza ekstra nga tifozëria kuqeblu për kryendeshjen Vllaznia-Tirana. Sherif Fregja(Sheri Snajperi) sqaron përgatitjet e grupimit Power 12

Lexo

Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, takimi kryesor i javës së 21-të të kategorisë Superiore  po pritet me shumë interes në opinionin sportiv. Ndeshja në fjalë do të startojë në orën 13.00, por nga sa bëhet e ditur, tifozëria shkodrane ka rezervuar një surprizë me një banderolë gjigande dekorative e paparë ndonjëherë në stadiumin “Loro Boriçi”, e cila pritet të zbulohet vetem pak minuta përpara ndeshjes në shenjë mbështetje ndaj rritjes së moralit të skuadrës kuqeblu për fitore ndaj Tiranës.

“Sheri Snajperi”, siç njihet në opinionin e sportdashësve shkodranë Sherif Fregja, pohon se falë organizimit që po realizon grupimi i tifozëve, Power 12, do të jetë një super spektakël në “Loro Boriçi”, para dhe gjatë ndeshjes.

Po është e vërtetë. Kemi menduar të bëjmë diçka të veçantë për sa i përket pragndeshjes Vllaznia-Tirana që do të luhet ditën e shtunë në orën 13:00. Besoj që gjithë spektatorët do të kënaqen. Deri në atë moment do të jetë surprizë dhe surprizat nuk tregohen. Do të jetë diçka e madhe që jo kushdo mund ta realizojë. Prandaj kemi vendosur ta bëjmë në ndeshjen me Tiranën, në klasiken e futbollit shqiptar.

Surprizat nga ana e tifozëve shkodranë ndaj Vllaznisë nuk kanë munguar por këtë radhë do të jetë në aspektin e dekorit?  

Po, pak a shumë dekor dhe një frymëzim për çunat në fushë dhe për tifozërinë në shkallët e stadiumit dhe nga shtëpia.

Kjo suprizë që keni menduar, do të ndikojë tek skuadra, atmosfera për ndeshjen me Tiranën?  

Po, besoj që po. Poëer 12 i është gjendur gjithmonë ekipit pranë kur mediat ose tifozët nuk ishin të pranishëm në stadium, ne momentet më të vështira të saj. Ndaj po bëjmë një banderolë shumë të bukur, diçka të madhe vetëm për skuadrën tonë të zemrës.

Në radhët e tifozëve shkodranë ka besim për fitoren e skuadrës së zemrës për këtë ndeshje?  

Unë kam besim shumë tek djemtë sepse të gjithë mungesat që kishim me Skënderbeun do të kthehen si Izaevski, Imami dhe Adili në ndeshjet e kaluara. Shpresoj të kthehet dhe Marku sepse i mungon shumë ekipit si një ndër artileritë në gjuajtjet e tija spektakolare siç e them unë.

Krahas të tjerave pragndeshja Vllaznia-Tirana do të shërbejë edhe si një ditë simbolike për të kontribuar ndaj tifozit shumë të njohur të Shkodrës Mondit, që po kalon momente të vështira shëndetësore.  

Po është e vërtetë. Edhe për këtë kemi menduar të bëjmë diçka të bukur. Të paktën t’i japim një kontribut sado të vogël, të paktën ti mundësojmë ilaçet. I bëj thirrje të gjithë tifozëve shkodranë, sidomos ato që janë në Europë, ta ndihmojmë Mondin me aq mundësi sa kemi. Edhe ne si tifo grup do të jemi pranë Mondit gjithmonë. Dhe kemi menduar të bëjmë një surprizë në këtë ndeshje duke e pasur edhe Mondin të pranishëm në stadium në një dhomë të veçantë për shkak të Covid-it.

Sheri faleminderit për intervistën dhe shpresojmë që ky organizim i juaji do të ndikojë në atmosferën e skuadres kuq e blu me fitore ndaj Tiranës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img