Thursday, March 28, 2024

(Intervista) Taip Piraniqi, themeluesi dhe drejtuesi i KF Shkodra, komenton ndeshjen e derbit, Vllaznia-KF Shkodra U-17(1-1) si dhe në përgjithësi për klubin që ai administron prej mbi 20 vitesh

Lexo

Emocionet e para të derbit shkodran të moshave për kategorinë Superiore, Vllaznia-KF Shkodra, i dhuruan 17 vjeçarët, të cilët në përfundim ndanë nga një pikë duke e mbyllur ndeshjen në barazim  1-1. Pas ndeshjes, duke folur për Veriu Sport, themeluesi dhe drejtuesi i klubit Shkodra, Taip Piraniqi, i cili e administron këtë klub prej më shumë se 20 vite, teksa e quan sukses konkurimin e tre ekipeve të klubit të tij në kategorinë Superiore të moshave, thekson se objektivi i KF Shkodra është puna dhe promovimin i elementit të rinjë me perspektive.

Profesor Piraniqi, brazim 1 me 1 për skuadrën tuaj KF Shkodra përballë Vllaznisë U-17, pozitiv për ju?

Të nisësh nga rezultati i barabartë, një rezultat i kënaqshëm, sepse të luash në fushën e Vllaznisë dhe ndaj Vllaznisë është kënaqësi në radhë të parë, sepse dihet niveli i Vllaznisë dhe i moshave në vite. Pika është e kënaqshme, por mënyra se si erdhi loja, mund të përfitonim edhe tre pikë. Vllaznia mund të shënonte gol, sepse luajti në pjesën e dytë mirë, e kërkoi, por realizimi i golit ishte fatal për ne, sepse po të thuash ishte një gol i dhuruar. Në këtë pikpamje, ne mund të ishim më afër tre pikëve, por me barazim jam i kënaqur në këtë ndeshje.

Me fitoret e javës së parë në të tre kategoritë e moshave, U-13, U-17 dhe U-19, si dhe barazimin ndaj Vllaznisë U-17 për javën e dytë, jeni i kënaqur me këtë nisje kaq pozitive?

Po, natyrisht që jam i kënaqur, por duhet ditur se është bërë një punë përgatitore e shtrirë në kohë dhe është punuar jashtëzakonisht mirë gjatë fazës përgatitore. Dhe, duke u nisur nga puna që kemi bërë i kemi pritë këto rezultate, por sidoqoftë duke luajtë në Superiore jemi të kënaqur me startin, edhe me fitoret që kemi bërë në javën e parë, por edhe me barazimin sot ndaj Vllaznisë U-17. Të shohim, është rrugë e gjatë, kemi të bëjmë me ekipe shumë të përgatitura me nivel në futbollin shqiptar. Ne jemi një klub që kohët e fundit kemi mbërritur në Superiore, luajmë me ekipe dhe klube shumë të organizuara dhe nisur nga kjo pikëpamje them se jam i kënaqur dhe duhet të vazhdojmë me ketë ritëm.

Vazhdimësia e klubit tuaj për këtë sezon futbollistik?

Për të qënë i sinqertë, unë dhe i gjithë stafi jonë pretendojnë për formimin e futbollistëve të së ardhmes. Është në traditën e KF Shkodra përgatitja e futbollistëve të së ardhmes, është ky objektivi, dhe këtë e kemi treguar në vite. Por edhe prezenca në Superligë do të ishte e kënaqshme në vazhdimësi, sepse duke luajtë në këto nivele me futbollistët të cilët ne pikësynojmë ti rrisim, duke u ballafaquar në Superligë, kuptohet që ka nivel tjetër dhe forma sportive dhe rritja e parametrave sportive e tyre është shumë e madhe. Pra, objektivi ynë gjithnjë mbetet për të qënë prezent në Superligë ndër vite, në vazhdimësi, por pse jo në këtë sezon për të pretenduar diçka më shumë.

Ndërkohë, professor Piraniqi, një ëndërr e juaja ndër vite ka qënë dha vazhdon të jetë që me KF Shkodra të përfaqësoheni në Superligë edhe me ekipin e parë, në mënyrë që qyteti i Shkodrës të ketë dy ekipe të sajt në kategorinë Superiore.

Mbetet në fakt një objektiv që shumë herë e kemi tentuar. Unë flas në përgjithësi, futbolli shkodran, jo KF Shkodra, ka nevojë për një ekip të dytë në Superligë. Potenciali futbollistik që është në Shkodër, në të gjitha Akademitë, përfshirë edhe KF Shkodra, ka nevojë për një ekip të dytë. Meqenëse ne e kemi tentuar disa herë, Shkodra, qyteti i Shkodrës, futbolli shkodran ka nevojë për një ekip të dytë që të jetë në nivele të larta. Është si të thuash një ndihmesë edhe për Vllazninë, një konkurencë brenda familjes që do të rrisë nivelin e të dyja skuadrave. Por, për KF Shkodra, për momentin jemi përqëndruar tek futbolli i moshave.

Piraniqi, faleminderit për intervistën dhe suksese në vashdimësi!

Faleminderit Juve që vazhdimisht e ndjekni futbollin e moshave, vazhdimisht jepni informacion për KF Shkodra, informacionet tuaja janë nxitje për të gjithë lojtarët, kështu që, edhe Ju, ju falenderoj shumë.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img