Sunday, February 25, 2024

(Video) FSHF-Seleksionimet e futbollistëve të rinj që jetojnë në Europë dhe Amerikë, në ditën e dytë. Endrit Bejiç, Arjan Ramadani dhe Mario Gega, flasin për emocionet e këtij proçesi: Ëndërr për të veshur fanelen kuqezi

Lexo

Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” po zhvillohen seleksionimet me futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë në Europë, SHBA dhe kudo në botë. Pas përfundimit të ditës së parë me një pjesë të futbollistëve të vitlindjes 2006-2007, ditën e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” janë duke u provuar futbollistët e vitlindjes 2008-2009.

Këtë të martë janë paraqitur 74 lojtarë të vitlindjes 2008-2009 dhe pas përfundimit të procedurës së regjistrimit janë vënë menjëherë nën urdhrat e stafit teknik. I gjithë procesi monitorohet nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave si dhe nga Drejtori Teknik i FSHF-së , Fulvio Pea së bashku me Përgjegjësin e Sektorit të Skautizmit dhe Përgjegjësin e Portierëve. Lojtarët fillimisht kanë zhvilluar një seancë stërvitore e më pas janë ndarë në grupe për të zhvilluar ndeshje testuese.

Vetë futbollistët që kanë ardhur nga jashtë janë shfaqur mjaft entuziastë për këtë seleksionim dhe kanë vlerësuar nismën e FSHF-së. Në një prononcim për fshf.org tre lojtarë të ardhur nga Zvicra, Austria dhe Belgjika kanë rrëfyer eksperiencën e tyre në këtë grumbullim dhe janë shprehur mjaft të kënaqur që patën këtë mundësi për të luajtur me fanellën kuqezi, që është një ëndërr për të gjithë futbollistët e rinj shqiptarë. Lojtarët kanë treguar dhe futbollistët e tyre të preferuar në ekipin Kombëtar.

Endrit Bejic – “Jam Endrit Bejic, nga Berni i Zvicrës. Luaj në Team AFF është partnere me BSC Young Boys i Bern që luan edhe në Champions League. Të vijë këtu është kënaqësi, është edhe ëndërr e çdo shqiptari që luan futboll për të patur mundësi të veshë fanellën kuqezi. Shpresoj që një ditë të luaj me ekipi e parë të Shqipërisë. Ishte e mrekullueshme, ndeshja shkoi mirë, realizova dy gola, pata mundësi të shënoja dhe një por fatkeqësisht nuk ia dola. Prapë ishte kënaqësi dhe një ndjenjë shumë e bukur të shënoja dy gola me fanellën kuqezi. Ekip Kombëtar është shumë i fortë, e pamë edhe tani që u rendit në vendin e parë dhe u kualifikua në Europian. Lojtari im i preferuar është Broja. Është i madh si trup, ashtu jam edhe unë, ka shpejtësi dhe kualitet”.

Arjan Ramadani – “Emri im është Arjan Ramadani, luaj në Austri në ligën e dytë me klubin e Amstetten. Falenderoj shumë FSHF-në që më ka dhënë mundësi të luaj këtu për të treguar cilësitë e mia. Jam shumë krenar me Shqipërinë dhe shpresoj që një ditë të luaj me Kombëtaren. Lojtari im i preferuar te Shqipëria është Keidi Bare. Ëndrra ime është të luaj me Shqipërinë, t’i japë sukses Kombëtares dhe të arrijë diçka në futboll”.

Mario Gega – “Jam Mario Gega, 17 vjeç. Luaj në Belgjikë te Cercle Brugge si sulmues. Kam ardhur në Shqipëri për grumbullimi. Jam shumë i lumtur që kisha mundësi të luaj me fanellën kuqezi, shpresoj që të luaj edhe ndeshje të tjera. Kisha pak emocione, por nuk isha nervoz, pasi kisha besim te vetja ime që do luaj një ndeshje shumë të mirë. Pastaj filloi ndeshja dhe besoj që kemi zhvilluar një ndeshje të fortë dhe kam treguar kapacitetet e mia. Te Shqipëria idhulli im është Armando Broja. E shikoj çdo herë dhe e analizoj lojën që bën ai. Dëshira ime është që të luaj me Shqipërinë në ekipin e parë’’.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img