Saturday, October 12, 2024

(Intervista) Uliks Kotrri: Vllaznia e këtij sezoni është për titull. Rivalë të denjë janë Egnatia dhe Partizani

Lexo

Uliks Kotrri, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe aktualisht menaxher, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton nisjen shumë të mirë të sezonit, punën që është bërë dhe atë çfarë pret nga kjo skuadër në të ardhmen. Kotrri, i cili bëri të mundur transferimin e Rejan Alivodës në Emiratet e Bashkuara Arabe, flet edhe për elementët e rinj të Vllaznisë.

Uliks, një start mjaft i mirë i sezonit nga Vllaznia. Sa mund ta mbajë ajo këtë ritëm?

Fillimi është vërtet shumë i mirë. Mendoj se mundësitë janë për ta mbajtur këtë ritëm, pasi nga sa kemi parë në ndeshjet e para, Vllaznia është në një nivel të kënaqshëm krahasuar edhe me ekipet e tjera rivale. Nuk kam parë asnjë ekip që të jetë dominues, siç ka qenë sezonin e kaluar Egnatia, prandaj mendoj se i ka mundësitë për vijuar me këto ritme. E thashë, janë ritme shumë të kënaqshme.

Edhe pse me mungesa, ekipi ka marrë pikët që e mbajnë në vendin e parë? Sa ndikon ky fakt?

Mendoj se mungesat kanë ndikimin e tyre, pasi të kesh lojtarë kryesorë që mungojnë, nuk është gjë e vogël. Megjithatë, edhe ata që janë aktivizuar, kanë treguar se kanë vlera. Rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar rrit konkurrencën në skuadër dhe e bën atë më të fortë.

Duke parë që rivalët këtë herë nuk duken “të frikshëm”, a mendon se titulli më në fund mund të vijë në Shkodër?

Skema e “Final 4” lejon që ekipet të mos shfaqen siç duhet në tri fazat e para të sezonit. E thashë më lart që ekipet nuk janë me shumë diferenca. Unë do të veçoja sërish ekipet e Egnatias dhe Partizanit, që i shikoj në luftën për titull, por e theksoj se vetë skema i lë ekipet që të mos tregojnë vlerat e tyre. Nuk e përjashtoj Vllazninë këtë sezon, që me kontigjentin që ka, të kërkojë titullin kampion.

Çfarë mendimi keni për çështjen e fundit mes tifozëve dhe klubit?

Nuk jam shumë i informuar në këtë drejtim, por do të thosha që të dyja palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Tifozët duhet të mirëkuptojnë presidentin, i cili harxhon për ekipin. Ata duhet që të jenë në ndihmë të ekipit dhe jo një barrë për të. Vllaznia është e përbashkëta, por për të qenë ajo mirë, duhet që të gjithë të jenë në sinkron.

Cili është lojtari që të pëlqen më shumë te Vllaznia dhe pse?

Bekimi (Balaj) është një nga lojtarët që po merr përsipër shumë për këtë ekip. Por nuk është vetëm ai, pasi janë edhe lojtarë të tjerë, si Krymi, por edhe Gurishta, që besoj se do të kthehet në ditët më të mira. Ata do ta udhëheqin këtë skuadër drejt suksesit.

Vllaznia po lëviz me shitjen e lojtarëve. Si menaxher, a mendoni se ky klub ka lojtarë të tjerë që mund t’i shesë?

Nuk ka rëndësi kush e bëri të mundur lëvizjen e Alivodës, e rëndësishme është që të lëvizet në këtë drejtim. Mendoj se te Vllaznia ka elementë që mund të jenë pjesë e lëvizjeve me mua, apo me menaxherë të tjerë. Por mund të them se një gjë e tillë nuk është e lehtë. Tregu ynë, por edhe ai ballkanas dhe europian ka shumë elementë të rinj, që kërkojnë të shpërthejnë. Të rinjtë te Vllaznia dhe në futbollin shqiptar duhen të punojnë shumë për të bindur drejtues të ekipeve jashtë që t’i bëjnë pjesë të tyre.

Në fundjavë Vllaznia përballë Dinamos. Si e shikoni këtë ndeshje për kuqeblutë?

Dinamo ka bërë një ekip të mirë dhe për më tepër me një trajner si Ilir Daja do të dijë të kërkojë më të mirën. Për ne nuk është e lehtë, madje do ta thosha është shumë e vështirë. Por kam besim se Vllaznia do të arrijë të ruajë ritmin e tri ndeshjeve të fundit.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img