Wednesday, May 8, 2024

(Intervista) Veleçiku, drejt rikthimit në kategorinë e parë. Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, në mbështetje të skuadrës, premton finalizimin e stadiumit të ri në Koplik

Lexo

Paraqitjet e mira të Veleçikut në këtë fillim kampionati të kategorisë dytë janë një tregues pozitiv për objektivin e rikthimit në kategorinë e parë. Krahas futbollistëve dhe stafit teknik, merita e kësaj paraqitjeje i takon edhe kryebashkiakut të Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, i cili po mbështet maksimalisht projektin e ndërtimit të një skuadre cilësore, çka po e tregon më së miri në këto javë të para të kampionatit.

Fitoret e njëpasnjëshme, përfshirë edhe këtë të fundit 6 me 0 ndaj Internacional të Tiranës kanë krijuar një atmosferë shumë pozitive në radhët e tifozërisë koplikase. Ndërkohë, këtë fundjavë, Veleçiku do të luajë në transfertë me ekipin e Adës së Velipojës në derbin e qarkut Shkodër, një takim jo i lehtë, pasi velipojakët kërkojnë fitore në fushën e tyre, “Adriatik”.

Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, kryebashkiaku Marinaj krenohet edhe për traditën e Malësisë së Madhe në fushën e futbollit, kryesisht me emrat e kombëtares së futbollit, ku i fundit është Armando Broja. Ku, për të gjitha këto, mendon se është shumë i nevojshëm ndërtimi i stadiumit të ri në Koplik, një dëshirë dhe projekt i kahershëm i tij, që mesa duket po merr drejtimin e duhur. Edhe pse duket pak e vështirë, për kryebashkiakun Marinaj, një mbrëmje festive me të gjithë futbollistët kuqezi të kombëtareve shqiptare nga Malësia e Madhe do të ishte diçka mbresëlënëse.

Zoti Marina, skuadra ka nisur një sezon të mirë?

Duke pasur parasysh që kemi rënë nga Kategoria e Parë kemi bërë një organizim tjetër. Kemi marrur trajner të ri, staf të ri, lojtarë më të mirë që janë stërvitur në Akademinë Vllaznia, si dhe nga Liga e Parë dhe Superliga. Stafi po punon mirë dhe jam i bindur që këtë vit do të jemi në Kategorinë e Parë.

Në opinionin sportiv Haris Lika po merr vlerësime me punën e mirë që po bën me skuadrën.

Është e vërtetë, profesor Lika është një profesionist, punon me shumë seriozitet dhe e ka sfidë personale që ekipin t’a ngrejë në Kategorinë e Parë. Kishte disa vështirësi pasi ekipi i formua në momentet e fundit, por jam i shumë i kënaqur me punën e tij.

Si e parashikoni derbin me Adën e Velipojës në fundjavë?

Besoj që ne kemi të gjithë potencialet për ta fituar këtë ndeshje. Ada është një ekip shumë i fortë në fushë të vet, por me lojtarët dhe trajnerin që kemi mendoj se do ta fitojmë këtë ndeshje.

Zori Marinaj, ju njiheni dhe si një pasionant i futbollit, kur kemi parasysh që dy fëmijët tuaj prej vitesh aktivizohen me futbollin, ku aktualisht njëri prej tyre është aktualisht pjesë e Partizanit.

Futbolli është aq i dashur në Malësi të Madhe në çdo derë, përfshirë edhe atë që theksuat edhe ju, pa tjetër që po edhe në familjen time, pasi djemtë e mi kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë të lidhur me futbollin. Në tërësi, interesimet e mija për skuadrën kanë qënë të vazhdueshme, sidomos pas rënies nga kategoria bëmë përpjekjet e duhura për të nisur një projekt të ri për rikthimin e skuadrës në kategorinë e parë.

Ndërkohë që tradita e daljes së talenteve të futbollit nga Malësia e Madhe është prezente në futbollin shqiptar, ku më i fundit është Armando Broja.

Futbolli është shumë i dashur në të gjithë Malësinë e Madhe. Fshati i Kamicës sot njihet vetëm nga talenti Armando Broja dhe jami bindur se ai do të jetë një ndër lojtarët më cilësorë në botë. Edhe tek ekipi i Veleçikut kemi lojtarë të mirë por nuk i është dhënë akoma mundësia të luajnë në ekipe më të mëdha si përshembull Vllaznia, Partizani etj. Ne do të bëjmë çdo gjë që Veleçiku të jetë në nivelin e duhur. Shpresojmë edhe për një stadium tonin, dhe për këtë jemi në procedurat e fundit të zyrtarizimit të atij projekti që kemi hartuar dhe miratuar khë më parë. Duke pasur parasysh që gjashtë lojtarë nga Kopliku, Broja, Hysaj, Balaj, Çokaj, Micaj, si dhe të tjerë që janë tek U-21 dhe tek moshat po kontribojnë sot në ekipin kombëtar, e meriton kjo zonë të ketë një stadium bashkëkohor. Dhe, pse jo, kur të plotësojmë edhe disa kushte të tjera, Veleçiku të shkojë edhe në Superligë, pasi tradita, elementi dhe suporti nuk mungon.

Me gjithë këto talente të kombëtareve kuqezi, do të ishte me interes që Bashkia e Malësisë së Madhe të organizonte një mbrëmje festive dedikuar këtyre talenteve.

Kjo do të ishte shumë kënaqësi për ne, por normal, që ato janë lojtarë që kanë shumë angazhime, nuk është e lehtë që të bëhen të gjithë bashmë, por gjithësesi ne do të bëjmë përpjekjet e duhura, që nëse do të ishte një mundësi e tij, do të ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për Malësinë e Madhe dhe Shkodrën në tërësi.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img