Saturday, July 27, 2024

(Intervista) Zv.trajneri Plori sqaron çështjen “Da Silva” dhe situatën e skuadrës në pragndeshjen me Egnatian

Lexo

Brdariç dhe Da Silva kanë nëshkruar paqe. Ndërkohë që opinionin sportiv pritej ndoshta edhe ndonjë masë disiplinore ndaj brazilianit për atë çfarë ai paraqiti në “Air Albania” në momentin e largimit nga fusha, pasi më herët stafi e kishte zëvendësuar me boshnjakun Mustedanagiç, të dy palët janë mirëkuptuar duke e mbyllur konfliktin në fjalë. Kjo ka ndodhur gjatë një mbledhje të organizuar sot me skuadrën, ku menjëherë pas saj, ka qenë zv.trajneri kuqeblu Elvis Plori që ka komentuar situatën në fjalë.

Profesor Plori, sapo keni përfunduar një mbledhje me skuadrën. Patjetër që është diskutuar edhe për problemin e sulmuesit Viktor Da Silva. Si është situata rreth brazilianit?

Është sqaruar gjithçka me Da Silvën. Ajo që ndodhi ne i quajmë nervat e lojës dhe duhet t’ia lëmë fushës së lojës. Da Silva ka pasur një mosmarrëveshje në momentin e zëvendësimit të tij sepse ai ka menduar që mund të vazhdonte të luante, por ishte një dëmtim shumë i rëndë që nuk mund të luante dhe ai e ka kuptuar që është nxituar me mënyrën e reagimit. Ai ka kërkuar të falur dhe ekipi e ka pranuar. Kjo është diçka brenda familjes dhe ne jemi mbushur përsëri me besim sepse ekziston harmoni dhe jemi të bindur që ekipi po funksionon shumë mirë.

Si reagoi Da Silva në analizë?

Kërkoi falje dhe të gjithë ne me në krye kapitenin sqaruam çdo gjë dhe gjithçka është në rregull. Nga ana shëndetësore ka pak problem me dëmtimin që ka marrë, por shpresoj shumë që ta kemi të gatshëm edhe për ndeshjet e radhës. Unë e përgëzova për gjestin dhe mënyrën se si kërkoi ndjesë para skuadrës. Kjo tregon se pavarësisht asaj që ka bërë, ne jemi njerëz dhe jemi në sport dhe kur e kupton gabimin dhe kërkon falje mes gjithë grupit është pjesa më kryesore si një familje e madhe që jemi.

Ka mungesa Vllaznia në ndeshjen me Egnatian?

Kemi mungesë Latifin i cili ka plotësuar numrin e kartonave. është një mungesë shumë e rëndësishme për ne, por do mundohemi me lojtarët që do ta zevëndësojnë të kenë besimin tonë dhe të krijojnë një imazh shumë të mirë.

Da Silva mund ta kalojë dëmtimin për fundjavën?

Do të ketë një rezonancë sepse ka marrë një goditje të rëndë mbi vetull dhe nesër marrim një përgjigje të saktë.

Një skuadër si Egnatia që mbyll renditjen e Superiores është në fundjavë në Shkodër.

Nuk duhet shikuar aspak në atë pjesë sepse këto skuadra mund të bëjnë shumë mirë dëm. Nuk besoj që është një rezultat real ai me Partizanin sepse Egnatia nuk ka luajtur aq keq sa të humbasin 3-0.

Paraqitja fantastike ndaj Tiranës ju ka dhënë më shumë optimizëm?

Fantastike janë vetëm kur marrim pikët. Ne normalisht jemi mërzitur nga barazimi sepse zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, por jemi në një moment që na duhen pikët. Ne gjithmonë kemi besuar tek skuadra dhe vazhdojmë të besojmë.

Plori faleminderit profesor!

Faleminderit ju!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img