Tuesday, April 23, 2024

Ish-trajneri Dedja: “Vllaznia ka humbur nga loja që e ka karakterizuar ndër vite. Europa është e arritshme”

Lexo

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri kampion i Vllaznisë, Hysen Dedja, e shikon të keqen e situatës te kuqeblutë që prej merkatos së bërë në verë dhe deri te prishja e stilit të lojës që ka pasur historikisht futbolli shkodran. Dedja ka analizuar atë që ka shkuar keq në skuadër, ndërsa ka shumë besim se Europa është e arritshme nga kampionati dhe Vllaznia nuk duhet t’i humbasë shpresat.

Zoti Dedja, çfarë përshtypje ju bëri eliminimi i Vllaznisë nga Kupa?

Të them të drejtën, jam shumë i zhgënjyer nga ai eliminim kundër Egnatias. Nuk nisem fare nga emri i kundërshtarit, por nga ajo që dha në fushë ekipi shkodran. Më vjen keq që Vllaznia nuk arriti të shkojë në finale, por mendoj se më shumë se fizikisht, skuadra ishte e rënduar psikologjikisht në këtë takim dhe gjithë këtë periudhë.

Pse ndodh kjo, sipas jush, mos ndoshta ka probleme të brendshme, duke iu referuar edhe një deklarate të trajnerit Sedloski pas ndeshjes…?

Këtë s’mund ta thotë askush, përveç atyre që janë në stafin e ekipit dhe drejtuesit e klubit. Unë mund të flas vetëm për atë që shikoj.

Atëherë, teknikisht çfarë nuk po shkon te kjo skuadër?

Këtu nuk ka pasur të bëjë fare trajneri apo ndryshimet që janë bërë. Unë nuk shikoj asgjë të re nga trajneri që ka ikur me atë që ka ardhur. Vllaznia për mua ka humbur totalisht nga loja që e ka karakterizuar si skuadër ndër vite. Nuk po luhet me krahë, nuk ka një lojë që niset aksioni që nga porta dhe me pasime të sakta dhe ide të qarta për të shkuar te goli. Që në ndërtim mendoj se është gabuar.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Normalisht që në merkato u gabua. Në katër sulmues që kanë, tre prej tyre janë shtatlartë. Pra, që në fillim është gabuar duke krijuar një strategji që të luhet me topa të gjatë, një lojë që asnjëherë s’i ka shkuar Vllaznisë. Janë marrë emra që kanë dhënë më pak se djemtë e rinj, qofshin edhe ata 21-vjeçarë. Nuk dua që të merrem me emra se janë shumë dhe harroj ndonjë. Kush ashtë marrë me merkaton, ka gabuar totalisht.

Shikoni probleme fizike në ekip?

Nuk mund të them se kanë probleme fizike. Më shumë për mua është problem psikologjik. Ekipi ka hyrë në ngërç, që duhet bërë çmos që në këto katër takime të mbetura të marrë maksimumin e pikëve. Djemtë duhet që të shikojnë përpara dhe të mos shikojnë se çfarë ka ndodhur.

Është Europa e arritshme nga kampionati me këtë situatë?

Kjo do të ishte e pakuptimtë që të mos mendohet. Pra, nuk ka pse të mos quhet mision i arritshëm. Kur ekipet që janë më poshtë flasin për Europën dhe Vllaznia që ka një kalendar favorizues, më duket absurde të mos e mendoj arritjen e një vendi që të siguron një biletë.

Pavarësisht asaj që ka dhënë ekipi, me pak më shumë impenjim dhe karakter të fortë, Europa është e arritshme. Kanë dy ndeshje brenda dhe dy jashtë. Edhe me Partizanin skuadra ka treguar se di të fitojë, prandaj për mua Europa është e arritshme.

Si një ish-trajner fitues me Vllazninë, keni një apel për skuadrën?

Të punojnë fort dhe të mos merren me çfarë thuhet, por të fokusohen çdo ditë në stërvitje për këto katër javë të mbetura.

Admir Uruçi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img