Friday, April 26, 2024

Kombëtarja U-19 në grumbullim, Cungu: Synojmë të fitojmë sa më shumë lojtarë të rinj nga jashtë

Lexo

Kombëtarja shqiptare U-19 vazhdon grumbullimin 3-ditor me 23 lojtarë të vitlindjes 2005, të cilët do të testohen nga stafi teknik që po përgatitet për të krijuar bazën e skuadrës për miqësoret e radhës dhe eliminatoret e Europianit të kësaj grup-moshe.

Për trajnerin e ekipit kuqezi, Armando Cungu ky grumbullimi është mjaft i vlefshëm për të testuar këtë grup lojtarësh, me pjesën më të madhe që aktivizohen jashtë vendit, me shpresën për të fituar elemente të vlefshme që mund t’i shërbejnë si Kombëtares U-19 ashtu edhe Kombëtareve të tjera. Tekniku shprehet se ai dhe stafi i tij janë gjithmonë në kërkim të lojtarëve të rinj me objektivin për t’i dhënë shanset çdo futbollisti shqiptar kudo nëpër Europë që të tregojë vlerat me fanellën kuqezi.

“Grumbullimi në këtë moment është shumë pozitiv dhe natyrshëm jemi fokusuar te lojtarët që i kemi parë gjatë seleksionimit të zhvilluar në Gjermani në muajin dhjetor dhe nga ai grup i madh lojtarësh që kemi vëzhguar atje ne kemi përzgjedhur elementët më të spikatur, duke i dhënë mundësinë që të testohen këtë herë në Shqipëri. Përveç atyre që kanë ardhur nga Gjermania ne kemi arritur të ftojmë edhe disa lojtarë që luajnë në vende të tjera apo edhe nga kampionati shqiptar për të plotësuar grupin në ato pozicione ku kishim nevojë. Bëhet fjalë për lojtarë që shfaqin perspektivë dhe premtojnë në të ardhmen. Uroj shumë që gjatë këtij grumbullimi të kemi mundësi të evidentojmë elementë të talentuar, që mund të jenë nesër pjesë e ekipeve Kombëtare apo edhe të jetë pjesë e grupit bazë të Kombëtares U-19 për eliminatoret e Europianit. Jemi gjithmonë në kërkim të lojtarëve të rinj për të pasur grupin më cilësor të mundshëm të lojtarëve të cilët janë në qarkullim”, – tha Armando Cungu për Fshf.org.

Gjithashtu, trajneri i Kombëtares U-19 shpreson që të marrë maksimumin nga lojtarët në këtë grumbullim, teksa sipas të gjithë do t’i kenë dyert e hapura dhe duhet thjeshtë të dëshmojnë aftësitë e tyre për të vazhduar rrugëtimin me ekipet Kombëtare.

“Detyra jonë është që t’i japim mundësi çdo lojtari që na sugjerohet edhe nëpërmjet skautëve tanë, sigurisht duke pasur parasysh edhe CV-në e çdo lojtari. Nuk është e lehtë, pasi një pjesë e lojtarëve që kanë shfaqur talent nuk kanë pasaporta shqiptare, por ne i kemi dyert e hapura për të gjithë ata shqiptarë që duan të luajnë me ekipet kombëtare. Urojmë të kemi lehtësira në rastet kur kemi lojtarë, të cilët janë të vlefshëm e që duan të pajisen me pasaporta shqiptare. Gjatë këtyre tre ditëve do të kemi mundësi të arrijmë në konkluzione për këtë grup lojtarësh, shpresoj që të përzgjedhim disa lojtarë prej tyre për të ardhmen. Ne u kemi dhënë mundësinë të tregojnë veten, tani është në dorën e tyre për të na dëshmuar aftësitë që kanë”, – u shpreh trajneri Armando Cungu.

Përveç seancave stërvitore grupi ka planifikuar edhe një miqësore në ditën e tretë të grumbullimit. Sakaq, Kombëtarja shqiptare U-19 do të ketë dy ndeshje miqësore në muajin mars ndaj Maltës U-19 në datat 23 dhe 26 mars në transfertë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img