Friday, March 29, 2024

(Konferenca)-Pragndeshja, Kastrioti-Vllaznia. Brdariç:”Jam i bindur se nesër do të fitojmë ndaj Kastriotit dhe duhet të jemi në 100 përqindshin tonë që t’ia dalim.”

Lexo

Vllaznia luan të dielen një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është ajo me Kastriotin në transfertë. E ka mundur lehtësisht dhe thellësisht në fazën e parë në fushën e tij, por në “Loro Boriçi” krutanët arritën ta ndalin Vllazninë me një barazim që në vazhdim rezultoi problematik për skuadrën kuqeblu. Ndërsa, të dielen Vllaznia rikthehet përsëri në Kamzë për të luajtur një tjetër ndeshje me krutanët. Përballje kjo që vjen në një moment delikat sa i takon së ardhmes së kuqebluve, pasi një fitore i mban ato në grupin e skuadrave të kreut, ndërkohë në rast humbje, situatat vështirësohen në lidhje me pretendimet e kreut, por edhe të përfshirjes në Kupat e Europës. Ajo që të bën përshtypje është optimizmi dhe besimi që ka trajneri Tomas Brdariç në marrjen e një fitoreje 3 pikëshe në këtë ndeshje, gjë të cilën e shprehu në konferencen e shtypit të dhënë 24 orë përpara sfides, Kastrioti-Vllaznia.

“Ndihemi shumë mirë, kemi arritur në gjysmëfinale dhe besoj se skuadra ka treguar një lojë të mirë. Gjithçka e kemi arritur me mund e me djersë dhe tashmë na takon të qetësohemi pak dhe të mendojmë për ndeshjen e rradhës që kemi dhe duhet të përqendrohemi 100 për qind për sfidën ndaj Kastriotit.

E rëndësishme është të fokusohemi tek puna dhe tek suksesi. Jam i bindur se nesër do të fitojmë ndaj Kastriotit dhe duhet të jemi në 100 përqindshin tonë që t’ia dalim. Ne i njohim anët e forta të Kastriotit, e dimë që janë një ekip kompakt, kanë përgatitje të lartë fizike. Edhe ne gjithashtu kemi përgatitur një plan për të luajtur ndaj kësaj skuadre, që të dominojmë në fushën e lojës. Duhet të tregojmë vlerat tona dhe të arrijmë tek fitorja.”, tha tekniku kuqeblu.

Gjatë periudhë së fundit, skuadra nuk ka shkuar si duhet, gjë e cila është menduar se vjen edhe nga disa probleme në skuadër,përfshirë edhe çështjen e rrogave, por Brdariç nuk është i atij mendimi, duke sqaruar: “Ne nuk jemi ankuar kurrë për atë pjesë. Nuk jemi shqetësuar kurrë për atë pjesë që nga momenti kur kam ardhur unë këtu. Detyra ime është të punoj me ato lojtarë që kam në dispozicion. Nuk jemi ankuar edhe pse në muajt e fundit disa lojtarë nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë apo dhe kanë gabuar. Ne si staf teknik e kemi për detyrë t’i përgatisim lojtarët që të jenë në maksimumin e tyre. Shumë e rëndësishme është që ta kemi të qartë se në rrugën e gjatë të kampionatit, do të ketë edhe probleme, ka ulje e ngritje, por kjo nuk do të thotë se nuk jemi në nivelin e duhur.”

Sa i përket ndeshjes së ditës së diele, Brdariç, flet me shumë besim se Vllanzia do t’ia dalë të marrë 3 pikë në këtë përballje. “Jam shumë i bindur se nëse gjërat i marrim me qetësi deri në fund, do ta arrijmë objektivin tonë, por e përsëris, duhet ta marrim me qetësi. Nëse na ushtrohet presion se duhet të fitojmë, nuk është gjë e mirë. E rëndësishme është që ekipi të ndjehet mirë, të përmbushë detyrat e tij dhe të zhvillohet në fushë. Në dy fazat e para e kemi bërë këtë gjë kur ekipi ka luajtur shumë mirë. Janë bërë edhe disa gabime dhe i kemi lejuar ato gabime. E rëndësishme është që ato gabime t’i marrim, t’i përpunojmë dhe të mësojmë prej tyre. Detyra jonë është të tregojmë forcat tona që kemi. Nuk duhet të merremi shumë me të kaluarën, por të ecim përpara. Unë mendoj se kemi bërë një sezon shumë të mirë ku kemi dhënë më shumë gjëra pozitive se negative.”

Ditët e fundit është folur shumë në lidhje me ndëshkimt me gjobë nga ana e drejtuesve, përfshirë edhe vetë trajnerin Brdariç. “Gjëja më e mirë është ta mbyllim atë pjesë dhe të mos e marrim shumë nga ana personale dhe të mos fokusohemi aty. Duhet të tregojmë një forcë sa më të madhe, për t’u thënë të gjithëve se jemi të vendosur për ta kapërcyer këtë situatë. Vërtetë lojtarët mund të jenë mirë fizikisht, por presioni vjen nga veshët sepse shumë fjalë ndikojnë tek ato. Gjëja më e mirë gjithmonë është të flasim me lojtarët, në mënyrë pozitive dhe sa më konkrete dhe t’i bëjmë pyetje vetes ku gjendemi për momentin. Jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe po ashtu edhe në kampionat jemi prapë në lojë dhe kjo gjë na motivon edhe për ndeshjet e ardhshme.”, thekson njëshi pankinës kuqeblu duke mbyllje kështu edhe konferencen për shtyp të pragndeshjes, Kastrioti-Vllaznia.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img