Friday, April 26, 2024

Lajm i mirë për Vllazninë, Brdariç sjell djalin tek kuqeblutë dhe mendon të qëndrojë gjatë në Shkodër

Lexo

Në pamje të parë, kur mëson se trajneri Tomas Brdariç ka sjellë djalin e tij 20 vjeçar Tim tek Vllaznia, të duket sikur po përfiton për ndonjë favor nga drejtuesit e klubit kuqeblu. Por, nga ana tjetër, duke ditur peshën dhe vlerat që ka gjermani i pankinës kuqeblu në arritjen e rezultateve pozitive, ky veprim të lën të kuptosh se tekniku kuqeblu ka ndërmend të qëndrojë gjatë në Shkodër. Dhe, padyshim nëse vertet është kështu, atëherë ky është një lajm shumë i mirë për kampin kuqeblu, pasi për hirë të së vërtetës jo pak herë është komentuar gjatë periudhës së fundit se me këto rezultate pozitive kuotat e gjermanit janë rritur ndjeshëm duke provokuar kalimin e tij në skuadra të niveleve më të larta europiane.

Megjithatë, nuk është vetëm kjo që e bën lajmin të jetë i mirë për shkodranët, pasi, sipas informacioneve që drejtuesit e klubit kuqeblu kanë në dispozicion, bëhet fjalë për djalë të talentuar dhe me të dhënë shumë premtuese. Konkretisht, 20 vjeçari Tim Brdariç që i përket pozicionit të qëndërmbrojtësit me një gjatësi 1.95 metra është një lojtar me cilësi të mira dhe i perspektivës. I rritur në Akademinë e Volfsburgut dhe Dyseldorfit, ai ka vijuar të luajë me të rinjtë e Alemania Ahen dhe më pas edhe me klubin Duquesne Dukes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që për pjesën e parë të sezonit të sivjetëm është aktivizuar në Ligën e Katërt gjermane me ekipin Manheim.

Burimet në fjalë bëjnë të ditur se 20 vjeçari Tim Brdariç është në Shkodër, madje ka dalë në stervitje me Vllazninë, dhe se për fatet e tij në vazhdimësi pritet të mësohet në ditët në vazhdim, nëse do të jetë kontigjent i skuadrës U-21, apo do të kalojë direkt tek ekipi i parë për t’u vënë nën urdhrat e babait të tij, Tomas Brdariç.

Realisht, në faqen zyrtare të transferimeve UEFA-s, Transfer Markt, futbollisti në fjalë Tim Brdariç që prej ditës së djeshme figuron zyrtarisht i federuar në listën e KF Vllaznia, por deri më tani nuk ka një komunikatë zyrtare nga ana e drejtuesve të klubit kuqeblu, gjë e cila me të gjitha gjasat pritet të jetë në orët apo ditët në vazhdim.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img