Vllaznia U17-Partizani U17, 0-1(Shënuese: Andrea Klleci 49’)
Vllaznia- U17 dhe Partizani U17 janë dy ekipet finaliste të Kampionatit Kombëtar të futbollit për Kategorinë e Superiores së femra U17.
Sfida finale është zhvilluar pasditen e sotme, prej orës 18:00, në stadiumin “Shtëpia e Futbollit” pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku pjesa e parë, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, mbyllet pa gola, në barazim 0 me 0.
Pjesa e dytë nis me gol për skuadrën e Partizanit, kur vetëm katër minuta nga fillimi i kësaj pjese është Andrea Klleci që shënon në portën shkodrane të mbrojtur nga Ambra Reshiti.
Pas pësimit të golit, trajnerja e Vllaznisë Paula Jaku orienton skuadrën që të hidhet e tëra në sulm në kërkim të golit të barazimit, dhe pse jo më pas edhe të fitores, sepse ecuria e kësaj skuadre gjatë të gjithë sezonit ka qënë vazhdimisht në cilësinë e kryesueses.
Por, megjithë këmbënguljet e vazhdueshme, skuadra kuqeblu nuk arrin ta çojë topin në rrjetën kundërshtare duke bërë që vërshëllima përfundimtare e arbitres Cemeri të fiksojë rezultatin 0 me 1 në favor të Partizanit, i cili shpallet kampion i Shqipërisë për sezonin 2025-2026.
Gaspër MARKU


