Futbolli shqiptar është në zi. Një prej emrave më të respektuar të Skënderbeut dhe komunitetit sportiv korçar Albano Vaso, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të thellë jo vetëm në sport,por edhe në jetën qytetare të qytetit.
Djali i legjendës së futbollit Teodor Vaso, Albano trashëgoi jo vetëm mbiemrin e madh,por edhe pasionin,përkushtimin dhe karakterin e një sportisti të rrallë. Kontributi i tij për ekipin e Skënderbeut mbetet i paharruar,ndërsa sjellja e tij brenda dhe jashtë fushës ishte shembull frymëzimi për brezat e rinj.
Përtej talentit si futbollist, Albano Vaso u dallua për integritetin,urtësinë dhe angazhimin e tij për të promovuar vlerat sportive dhe qytetare në Korçë. Ai ishte një figurë që i bashkonte njerëzit,një zë i qetë,por me peshë,që respektohej nga të gjithë.
Largimi i tij është një humbje e madhe për familjen,për miqtë,për komunitetin sportiv dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër. Skënderbeu humbi një pjesë të shpirtit të tij,ndërsa Korça një bir të denjë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vaso dhe të gjithë të afërmve.
Fatos LAMAJ