Tuesday, November 12, 2024

Lamtumirë profesor Vili!

Lexo

Lamtumirë profesor Vili!

Keqardhje dhe dhimbje pa fund për ndarjen nga jeta të profesorit të atletikes shkodrane dhe asaj shqiptare, por edhe profesorit, pedagogut dhe nismëtarit të themelimit të Departamentit të Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”të Shkodrës. Biseduam gjatë pak ditë përpara ndarjes nga jeta me të. Kishte kohë që ishte i sëmurë, e kuptonte se po shuhej nga dita-dites, ndaj dhe na ftoj në shtëpinë e tij për tu çmallur. Ishim me kolegët e mi Gjergj Kola dhe Kujtim Draçinin që në rininë e tij e ka patur edhe sportist.

Qëndruam gjatë në oborrin e shtëpisë së tij të vjetër shkodrane. Kujtoi aq shumë gjëra sa me të vertete na habiti, sepse edhe kur ka qënë zyrtarisht i ftuar në studiot tona sportive televizive ka folur më pak. Por, kësaj radhe sikur donte të mos harronte asgjë, qoftë nga karriera e tij sportive deri edhe tek projektet që ai kishte në duar, siç ishte Akademia e Atletikes Shkodrane, apo sportistja e talentuar 15 vjeçarja Erisa Rrasa që ai sterviste, që duke e krahasuar me një Vera Bregu të dytë kishte objektiv të kapte majat e larta të atletikes europiane. Po kështu, me shumë emocione dhe optimizen fliste edhe për mbesen e tij të vogël, vajzen e së bijes, për të cilen kishte besim se do të bëhej një atlete e talentuar për të nderuar traditen e gjyshit të saj në sport.

Në një farë mënyre dukej se po linte amanenet sa i përket lidhjes së gjatë që ai ka pasur me sportin dhe sidomos atletiken, gjë që e bëri edhe katër ditë më vonë kur nga Tirana i erdhen për vizitë krerët e Federates Shqiptare të Atletikes, Presidenti Gjegj Ruli dhe Sekretari Nikolin Dionisi, të cilëve zyrtarisht i la edhe disa porosi dhe kërkesa njëkohësisht, ndërkohë që sistematikisht çdo ditë e vizitonin në shtëpinë e tij edhe kolegët e tij në vite së bashku me trajnerët dhe sportistët aktualë të Vllaznisë. Edhe pse të gjithë prisnin ndonjë mrekulli për rikthimin e tij në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” sëmundja e rëndë që mundonte gjatë periudhes së fundit bëri punën e vet dhe mëngjesin e së dieles sportisti, trajneri, profesori i nderuar mbylli sytë. Një ndarje që ka mërzitur dhe pikëlluar jo vetem familjen e tij, por njëherazi të gjithë boten e sportit që me të marrë lajmin e zi nuk reshten së ngushëlluari familjen “Tufi” dhe duke mos hezituar të përcjellin në media dhe rrjetet sociale vlerësimet më të jashtëzakonshme për këtë figurë të madhe të atletikes shqiptare.

Ai largohet fizikisht nga kjo botë por mbrapa lë kujtime të një karriere shumë të suksesshme sportive, një pjesë e madhe e të cilave fatmirësisht gjendet në arkivat e medias sportive duke pasur mundësinë t’i tregojnë brezave të rinjë se kush ishte Vildan Tufi dhe njëkohësisht të kenë mundësinë të marrin përvojen e duhur nga karriera dhe vlerat e tij të jashtëzakonshme.

Lamtumirë profesor doktor Vildan Tufi, do të na mungosh shumë, pushofsh në Paqe!

G. MARKU, 18.10.2020

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img