Sunday, May 5, 2024

Largimi i trajnerit Brdariç, KF Vllaznia detyrohet të paguajë të gjitha pagat deri në fund të qershorit kur përfundon kontrata

Lexo

Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë mbrëmjen e së së hënës nga ana e Klubit të Futbollit Vllaznia, njoftohej se klubi kuqeblu ka vendosur ndërprerjen e marëdhënies me trajnerin Thomas Brdariç. Gjithashtu, në deklaratë citohej, se në vazhdimësi ekipi do të drejtohet nga trajneri Elvis Plori. Pjesë e deklaratës ishte edhe falenderimi që klubi shkodran përcjell për trajnerin Brdariç për të gjithë kontributin e dhënë, duke i uruar suksese ne karrierën e tij.

Ndërkohë, nga burime zyrtare pranë KF Vllaznia mësohet, se nuk kemi të bëjmë me një dorëheqje të trajnerit, por me një vendim të marrë nga drejtuesit e presidences kuqeblu me në krye zotin Alban Xhaferi. Vendim i marrë pas humbjes në shtëpi me Tiranën 1-2, rezultat që e largon për momentin Vllazninë nga objektivat duke u rendituar në vendin e katërt të klasifikimit, ndërkohë që gjatë ndeshjeve të fundit skuadra ka shfaqur shumë oshilacione.

Gjithnjë, nga burimet brenda klubit shkodran mësohet se pasi drejtuesit i kanë komunikuar trajnerit Brdariç për vendimin e marrë, nga ana e teknikut ka pasur tentativë për të mos ndodhur një gjë e tillë, dhe se ai ishte i gatshëm të vijonte punën edhe në kushte të tjera të kontratës me bindje se gjendja do të ndryshohej për mirë, por që nuk është pranuar nga drejtuesit.

Në kushtet e një vendimi të pakthyeshëm për largimin e trajnerit, për një vendimmarrje të njëashme pa mirëkuptimin e palës tjetër, Klubi i Futbollit, është i detyruar të pranojë kushtet dhe kërkesat e trajnerit Brdariç. Kërkesa këto që konsistojnë në pagesën totale të rrogave të prapambetura dhe pagën e muajit aktual, e cila është në kufijtë e 7 mijë eurove.

Aventura e gjermano-kroatit Thomas Brdariç në krye të Vllaznisë zgjati një vit e shtatë muaj. Periudhë kjo që realisht është shoqëruar me rezultate pozitive, teksa kuqeblutë kanë fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë pas një periudhë prej 13 vitesh pauze, ndërkohë që në kampionat ishin të dytë me vetem dy gola diferenca nga skuadra kampione Teuta.

Një tjetër informacion zyrtar nga KF Vllaznia ka të bëjë për emërimin e Auron Milotit në detyrën e zv.trajnerit, i cili së bashku me trajnerin e parë Elvis Plori do të vazhdojnë punën në krye të kuqebluve për zbatimin e projektit të Vllaznisë deri në mbyllje të kampionatit, por edhe të kompeticionit të Kupës së Shqipërisë, ku kuqeblutë do të luajnë gjysëmfinalen me Partizanin.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img