Friday, April 26, 2024

Marsi kuqezi / Nga transferta e Varshavës te Kombëtaret U-21, U-19, U-17 & 3 turne ndërkombëtar me Shqipërinë si mikpritëse

Lexo

Muaji mars do të jetë në shenjën kuqezi me shumë prej ekipeve Kombëtareve do të jenë të impenjuara me ndeshje zyrtare dhe miqësore, ndërsa tre turne ndërkombëtarë për moshat do të zhvillohen pikërisht në Shqipëri në kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Duke e nisur që nga Kombëtarja A për nga rëndësia me ekipin e drejtuar nga trajneri Sylvio Mendes Campos Junior që do të drejtojë për herë të parë Shqipërinë në ndeshjen debutuese ndaj Polonisë. Sfida më e rëndësishme e kuqezinjve në eliminatoret e Kampionatit Europian 2024 do të luhet më datë 27 mars në transfertën e Varshavës. Një ndeshje që padyshim do të jetë shumë e rëndësishme për objektivat e Shqipërisë, që synon të kualifikohet në finalet e Euro 2024.

Më tej, duke vazhduar me Kombëtaren U-17 që do të jetë e angazhuar në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë e shortuar në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë. Gjashtë ndeshjet e grupit do të luhen në Shqipëri në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena” dhe do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Më konkretisht ndeshja Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars 2023 në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30 ndërsa po atë ditë do të luhet ndeshja tjetër Letoni-Zvicër në “Elbasan Arena” që nis në ora 15:30. Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars me Francë-Letoni, ora 11:30 në “Elbasan Arena” dhe Zvicër-Shqipëri ora 17:00 në “Air Albania”.

Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars 2023 dhe të nisin të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Nëse Shqipëria U-17 do të mund të kualifikohet për në finalet e Europianit U-17 do të arrijë një sukses madhor për një ekip kombëtar shqiptar të moshave.

Sakaq, edhe Kombëtarja U-21 do të jetë e impenjuar në dy ndeshje miqësore në muajin mars, që do të luhen në transfertë. Miqësorja e parë e Shqipërisë U-21 do të jetë kundër Azerbajxhanit më 23 mars, ndërsa miqësorja tjetër do të jetë ajo kundër Polonisë, më 27 mars. Të dyja këto takime miqësore do të zhvillohen në Antalia të Turqisë, ku kuqezinjtë do të grumbullohen që në datën 21 mars dhe do të qëndrojnë 7 ditë.

Edhe Kombëtarja shqiptare U-19 do të ketë dy ndeshje miqësore në muajin mars ndaj Maltës U-19 në datat 23 dhe 26 mars në transfertë. Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për ekipin kuqezi dhe stafin e Kombëtares U-19, me në krye trajnerin Armando Cungu në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Ekipi i 19-vjeçarëve do të grumbullohen në Maltë duke nisur nga 20 marsi për t’u përgatitur për ndeshjet.

Sakaq, janë edhe dy turne të tjera ndërkombëtarë për vajza që do të zhvillohen në Shqipëri gjatë muajit mars. Në datat 7 deri më 12 mars do të luhen ndeshjet e turneut UEFA Development U-16 për vajza me Shqipërinë që është në një grup me Moldavinë, Kosovën dhe Andorrën.

Në datën 7 mars luhen ndeshjet Shqipëri-Moldavi (ora 14:30) dhe Kosovë-Andorra (ora 11:00), ndërsa më datë 9 mars Shqipëri-Kosovë (ora 14:30) dhe Andorra-Moldavi (ora 11:00). Dy ndeshjet e fundit Shqipëri- Andorra (ora 09:30) dhe Moldavi–Kosovë (ora 12:30) luhen më datë 12 mars.

Turneu tjetër është ai i eliminatoreve të Kampionatit Europian U-17 për vajza me ndeshjen e Grupit B4 që do të luhen në Shqipëri. Së bashku me Shqipërinë U-17 për vajza në këtë grup janë shortuar Luksemburgu dhe Islanda. Sfida e parë Shqipëri-Luksemburg luhet më datë 15 mars në “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30, ndërsa sfida e dytë Luksemburg-Islandë luhet më datë 18 mars po në “Air Albania”, duke nisur nga ora 11:30. Ndeshja e tretë dhe e fundit e grupit është ajo Islandë-Shqipëri më 21 mars në ora 11:30, po në stadiumin “Air Albania”.

Pra, na pret një muaj plot emocione të mëdha dehe me shumë ndeshje për t’u shijuar nga tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të shijojnë nga stadiume ndeshje të nivelit të lartë ndërkombëtar.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img