Sunday, February 25, 2024

Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme dhe miratojnë raportet financiare

Lexo

Është mbledhur sot Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF, që zhvilloi punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë Asamble morën pjesë edhe përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Evis Kushi, si edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi.

Në nisje të Asamblesë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ndau çmimet e mirënjohjes për tre nga sponsorat e FSHF-së, Vodafone ( I jepet titulli mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Federatën Shqiptare të Futbollit që prej vitit 2008), Sigal Uniqa Group Austria (Për kontributin e palodhur në sigurimin e shëndetit të futbollistëve dhe të aktivitetit të futbollit që prej vitit 2016 dhe në vazhdim) dhe Union Bank (Për kontributin e gjatë e të rëndësishëm në mbështetje të futbollit shqiptar dhe për bashkëpunimin strategjik me FSHF-në prej vitit 2010).

Më tej, fjalën e mori Presidenti Duka, i cili çeli punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së duke falënderuar miqtë specialë të pranishëm e veçanërisht Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi, për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer që i jep futbollit në përgjithësi. Presidenti Duka ftoi znj.Kushi të mbante fjalën e saj përshëndetëse.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu kënaqësinë që sporti kohët e fundit ka marrë një vëmendje të veçantë nga qeveria shqiptare dhe këtë e dëshmojnë shumë vendime dhe nisma të fundit. Ajo theksoi në mënyrë të veçantë vendimin për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë. “Kemi qenë së bashku me Presidentin Duka pjesë të jurisë ndërkombëtare për të vendosur për projektet që do të zbatohen në këto tre qytete dhe jemi shumë krenarë që këto tre projekte nuk janë thjesht për stadiume, por do të jenë pole të reja për qytetet tona, që do të kenë jetë 24 orë në 7 ditë të javës dhe që do të sjellin zhvillim ekonomik, kulturor, social, edukativ si edhe tregtar. Kemi stadiume të reja edhe në Elbasan, Kukës, Shkodër, stadiumin ‘Air Albania’ me impaktin kaq të madh që ka në zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë”, tha Ministrja Kushi, duke shtuar se futbolli është ngritur në një nivel të ri pa diskutim dhe këtë e dëshmojnë edhe eventet e mëdha ndërkombëtare që janë organizuar kohët e fundit.

“Nuk mund të rri pa përmendur finalen e Conference League që e ktheu Tiranën në një qendër për të gjithë Europën dhe me impakt të madh jo vetëm për zhvillimin e turizmit sepse patëm vizitorë nga të gjitha vendet dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Natyrisht, që edhe vizita e Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Mbështetja e FIFA-s dhe kjo marrëdhënie kaq e ngushtë, kaq pozitive dhe e frytshme e Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe e qeverisë shqiptare me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit është tregues i këtyre zhvillimeve dhe i ngjitjes në këtë majë ku futbolli dhe sporti shqiptar nuk ka qenë kurrë më parë. Kualifikimi i vajzave të Vllaznisë në UEFA Women Champions League na bëri të gjithëve krenarë dhe ka qenë një arritje të cilën duhet ta mbështesim për ta zhvilluar edhe në ekipet e tjera dhe pse jo për të pasur rezultate edhe në kampionate të tjera”.

Më tej, znj. Kushi u shpreh krenare për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm që Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka me FSHF-në. “Gjithmonë ka qenë e mirë, por mua më pëlqen të them që më mirë se kaq nuk kemi qenë asnjëherë më parë. Dhe këtë marrëdhënie e kemi të konkretizuar në projekte konkrete, siç është edhe ai FIFA-s ‘Football for Schools’, që është një projekt që është përqafuar menjëherë nga institucionet tona të arsimit parauniversitar. Po kështu edhe projekti ‘Uniforma ime’, një projekt për të cilin dua t’ju përgëzoj, pasi kanë qenë rreth 15 mijë fëmijë që janë furnizuar me uniforma falas, një kontribut i jashtëzakonshëm i FSHF-së. Nuk dua të lë pa përmendur edhe projektin ‘Topi yt’, si edhe projektet që kam veçanërisht përzemër si ‘UEFA Playmakers’ dhe ‘Grassroots’ që mbështesin futbollin e vajzave. Dhe këtu dua t’i shpreh mbështetjen FSHF-së dhe Presidentit Duka, të cilin përveç se ta falënderoj për këtë kontribut, t’i ofroj të gjithë mbështetjen që ne ta zhvillojmë edhe më shumë futbollin e vajzave. E di shumë mirë që ka një strategji për këtë dhe këtu kemi edhe Anila Bashën, që jo për solidaritet femëror këtu në një sallë që ka më shumë burra, por e meriton vërtetë mbështetjen që i jep futbollit të vajzave”, tha ndër të tjera Ministrja e Arsimit dhe Sportit.

Punimet e Asamblesë së FSHF-së i ka përshëndetur edhe përfaqësues i FIFA-s, Lorenzo Cavallari, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretares së Përgjithshme të FIFA-s Fatma Samoura, si dhe të gjithë administratës së FIFA-s. “Me morinë e aktivitete të organizuara gjatë vitit të kaluar, është e vështirë të vendosësh se nga t’ia fillosh. Vetëm 12 muaj më parë, ju organizuat finalen e parë të Ligës së Konferencës së UEFA-s. I gjithë futbolli europian i kishte drejtuar sytë nga Tirana dhe ambientit të bukur të stadiumit ‘Air Albania’, dhe sigurisht qe u tejkalua çdo pritshmëri. Ju organizuat një event të jashtëzakonshëm, të nivelit më të lartë, dhe do të doja t’ju përgëzoj edhe një herë për të gjithë punën e palodhur që është bërë prapa skenave për të mundësuar këtë arritje. Pak muaj më vonë, u inaugurua zyrtarisht ndërtesa ku jemi mbledhur sot, Shtëpia e Futbollit. Presidenti Infantino pati kënaqësinë të merrte pjesë në inaugurimin e muajit Shtator dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë që mundëm të kontribuonim financiarisht, nëpërmjet Programit të FIFA Forward, në ndërtimin e një strukture kaq fantastike. Pata rastin të vij për vizitë kur punimet nuk kishin përfunduar ende dhe është e mrekullueshme për mua, të shoh tashmë selinë e re plotësisht funksionale për të plotësuar nevojat e familjes së futbollit shqiptar”, tha ai, duke uruar edhe Presidentin Duka për rizgjedhjen e tij si anëtar i KE-së së UEFA-s.
“Do të doja të përfitoj nga rasti për të uruar ngrohtësisht Presidentin Duka për rizgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s muajin e kaluar në Lisbonë. Rezultatet e zgjedhjeve janë një dëshmi e qartë e nivelit të besimit dhe lidershipit që keni treguar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel evropian. FIFA është shumë krenare për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me miqtë dhe kolegët e administratës së FSHF-së dhe presim që të vazhdojmë të punojmë krah për krah për t’i investuar këto fonde në projektet e zhvillimit të futbollit. Në veçanti, ne jemi shumë të kënaqur të shohim se strategjia juaj e vitit 2025 përfshin investime të qëndrueshme në infrastrukturë në partneritet me Qeverinë, e cila është plotësisht në përputhje me vizionin e FIFA-s dhe me siguri do të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për të gjithë futbollistët e rinj anembanë Shqipërisë”, tha Cavallari.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, uroi Presidentin e FSHF-së, Armand Duka për rizgjedhjen si anëtar i Komitetit Ekzkeutiv të UEFA-s dhe u shpreh i nderuar që merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së

“Dua ta falënderoj për punën që ka bërë presidentin Duka, i cili u votua i pari në Asamblenë dhe Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Është nder për ne. E uroj sot, pasi nuk kam pasur mundësinë të jem pjesë e atij kuvendi për arsye personale. Është nder për ne dhe gjithë futbollin shqiptar dhe kosovar, që e kemi një njeri të tillë. Nuk është e lehtë që të votohesh dhe të marrësh pikët maksimale e të jesh i pari i votuar në Komitetin Ekzekutiv. Prandaj mirënjohje të madhe nga gjithë komuniteti i futbollit shqiptar. Jam gjithmonë i nderuar kur vij në këto kuvende, pasi po shihet të flitet për suksese në rezultate në klube. Rezultatet janë ato që shihen, por meqë futbolli është sport kolektiv dhe luhet me disa futbollistë dhe me një staf tjetër, mendoj se kështu të bashkuar dhe kolektivisht duhet ta udhëheqim edhe futbollin tonë, që të ngrihemi sa më lart në Europë, e pse jo të kthehemi – ndoshta të dy ekipet, ekipi kombëtar dhe përfaqësuesja e Kosovës – në Europian, por edhe në Kampionatin Botëror. Shqipëria ka qenë edhe më parë në Europian, dëshiroj që ta përsërisë këtë sukses”, – tha Ademi.

Punimet e Asamblesë vijuan me fjalën e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarve specialë, u shpreh se politikat e FSHF-së gjatë kësaj periudhe gjithmonë kanë pasur vetëm një qëllim, zhvillimin e lojës së futbollit në Shqipëri, masivizimin e tij dhe sigurimin e një të ardhmeje të ndritur për këtë lojë.

“Asnjëherë ne nuk jemi nisur në politikat tona për interesa personale, por gjithmonë për interesin e institucionit, duke vendosur lojën mbi të gjitha. Çdo projekt, financim, aktivitet që kemi kryer gjatë kësaj periudhe është në përputhje të plotë dhe për të realizuar objektivat e miratuara nga ju në strategjinë ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’, duke filluar që nga projektet ‘Uniforma ime’ dhe vazhdimi i projektit ‘Topi yt’, investimet e gjithçka tjetër. Po shkon drejt fundit sezoni i parë i kampionateve të moshave, pas reformës se propozuar nga komisionet perkatese e miratuar nga KE. Një reforme jo vetem e nevojshëm por e domosdoshëme për të rritur më shumë profesionistë nëpërmjet garave më të forta, por edhe për të krijuar më shumë hapësira për shtimin e numrit të futbollistëve nëpër zona rajonale. Falë kesaj reforme, projektit ‘Uniforma Ime’, ‘Topi Yt’, e investimeve në infrastrukturë gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1 mijë e 100 fëmijë më shumë. Në total sot  kemi 21,720 lojtarë të regjistruar  18.100 djem dhe vajza nga 7-19 vjec. Nuk do të ndalemi në financimin, mbështetjen dhe incentivimin e futbollit të fëmijëve. Ne kemi shpallur objektivin për të arritur në 23 mijë fëmijë që luajnë futboll në shoqatat e akademitë tona deri në vitin 2025 dhe nuk kam asnjë dyshim që falë reformave dhe projekteve tona ky objektiv do të tejkalohet”, tha Presidenti Duka, renditur më tej investimet e rëndësishme që janë bërë në infrastrukturën sportive gjatë vitit të fundit.

“Përfunduam dhe inaguruam Shtëpinë e Futbollit. Një kompleks që është padiskutim një krenari për futbollin tonë duke mundësuar kushte të një niveli europian për ekipet tona Kombëtare. Me tre fusha futbolli, sistem ndriçimi, fizioterapi, palestër, ambiente rikuperuese, 4 dhoma zhveshjeje e ambiente për zyrtarë ndeshjes për të mirëpritur ekipin Kombëtar dhe turne ndërkombëtar siç ishte turneu i 12-të, UEFA Development Tournament që u mbyll javën e shkuar në Shtëpinë e Futbollit. Një kompleks stërvitor i orientuar drejt energjisë së pastër dhe të rinovueshme, eco-friendly, falë investimit që kryem për panelet diellore. Ka nisur transformimi i Qendrës Sportive Kamëz, ku po rinovojmë të gjithë ambientet dhe në të njëjtën kohë po ndërtojmë një fushë të tretë stërvitore me bar artificial. Kemi vijuar investimet në stadiumin Kukës Arena, përfunduam aneksin e Kukës Arena, një investim në kuadër të projektit tonë të 100 fushave. Kemi mbështetur investimin gjigand të familjes Demi për klubin e Partizanit. Gjej rastin ta falenderoj Presidentin Demi për këtë vlerë të shtuar në futbollin shqiptar. Përfunduam një ndërhyrje rrënjësore në stadiumin e Lushnjes, inaguruam një fushë me bar artificial për akademinë e Lushnjes dhe po ecën investimi për ndërtimin e fushës të dytë me bar natyral pranë stadiumit. Përmbyllëm me sukses investimin në stadiumin e Vorës, një tjetër bashkëpunim i frytshëm me Bashkinë atje për ndërtimin e një stadiumi komod ku ne si Federatë kishim një pjesë të ndjeshme të investimit. Në Vorë gjithashtu po ecim për finalizimin e një tjetër investimi, konkretisht në Ahmetaq për ndërtimin e një terreni të ri stërvitor me tapet artificial ku do të stërvitet ekipi i Vorës dhe të gjithë skuadrat e akademisë. Transformuam krejtësisht stadiumin e Luzit duke e kthyer në një ambient model, një investim që na shërben shumë edhe ne për turnet ndërkombëtar që organizojmë. Një investim madhor ishte në Orikum ku sëbashku me Bashkinë rinovuam plotësisht bazamentin dhe vendosëm tapetin artificial. Inaguruam aneksin e dytë të Klubit Teuta, edhe ky një projekt në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe klubin Kemi miratuar shtrirjen e investimeve në të gjithë vendin siç janë fushat në Shkodër, Laç, Divjakë, Përmet, Roskovec, Lezhë e Berat”, – shtoi Presidenti i FSHF-së, ndërsa vlerësoi rritjen e profesionalizmit të administratës së Federatës së Futbollit, që tashmë organizon në mënyrë të shkëlqyer shumë aktivitete ndërkombëtare me UEFA-n, duke theksuar mikpritjen në Tiranë të finales së madhe të UEFA Europa Conference League, që ktheu Shqipërinë në epiqendrën e futbollit europian dhe atij botëror me 155 shtete në të gjithë botën që transmetuan këtë finale duke i bërë vendit dhe futbollit tonë një reklamë mbreslënëse. Gjithashu, Presidenti Duka vlerësoi mbështetjen e pakursyer të UEFA-s dhe FIFA-s që kanë qenë çdo hap pranë FSHF-së me frymën e madhe të solidaritetit, përmes programeve të tyre mbështetëse. Kreu i qeversië së futbollit nënvizoi edhe progresin e madh që është bërë në drejtim të zhvillimt të futbollit të vajzave si një tjetër prioritet i madh i shpallur nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“Mbështetur te strategjia jonë 5 vjeçare rritja ka qënë cilësore dhe sasiore. Ekipi ynë Kombëtar i vajzave arriti rekordin e pikëve në një fushatë eliminatore për Kupën e Botës plot 10 pikë, duke na bërë shumë krenar. Ekipi jonë kampion, Vllaznia, arriti të shkruajë historinë duke arritur në fazën e grupeve të Champions League duke u përballur me skuadrat më të mëdha të botës. Arritje këto që konfirmojnë se politika jonë për të investuar një pjesë të rëndësishme të buxhetit te futbolli vajzave ka dhënë frytet e veta”, – shtoi Presidenti Duka, duke përmendur edhe zhvillimet pozitive të futbolli amator, sektorin e edukimit përmes kurseve të formimit, kontributin e KE-së, ecurinë dhe objektivat e ekipeve kombëtare si edhe sfidave që FSHF a përpara.

“Ekipi Kombëtar ka përpara një objektiv të rëndësishëm, por plotësisht të arritshëm: Kualifikimin në Kampionatin Europian Gjermani 2024. Me mbështetjen e Federatës, tifozëve, opinionit publik dhe duke qënë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët ne besojmë se do ta rikthejmë Shqipërinë në Euro2024. Në këtë vit ne do të vazhdojmë të investojmë pandalim projekte infrastruktore për të ndërtuar sa më shumë fusha futbolli në të gjithë vendin. Sfidat janë të mëdha, por ne pëlqejmë të sfidohemi dhe ti arrijmë të gjithë ato. Ashtu si edhe atë për organizimin e një Kampionati Europian në Shqipëri. Dua të ndaj me ju lajmin e shkëlqyer se administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit sapo ka përmbyllur aplikimin për organizimin e një Europiani për moshat në vendin tonë. Jam shumë optimist se aplikimi jonë do të jetë fitues dhe Shqipërisë do ti besohet organizimi i një kompeticioni madhor europian”, tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.

Më tej, Presidenti Duka sipas rendit të ditës ftoi përfaqësuesin e Komisionit të Verifikimit, Mikel Furxhi për të raportuar mbi thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Në bazë të nenit 28 të Statutit përbëhet nga 24 klube të futbollit profesionist dhe po aq delegatë nga futbolli amator si dhe 3 delegatë për shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin. Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble nga 51 delegatë ishin prezentë 48 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur ne Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë vëren se thirrja e asamblesë së përgjithshme është kryer në përputhje me statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.

Sipas Statutit, u kërkua që anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të miratonin rendin e ditës. Më tej u vijua me zgjedhjen e delegateve për të verifikuar procesverbalin e kësaj asambleje, ku Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku propozoi  tre emrat: Eronaldo Gjici (KF Kukësi), Krenar Bardhi (KF Erzeni) dhe Ismet Ajazi (FK Tomorri), të cilët u votuan nga delegatët e pranishëm në Asamble. Më pas u votuan edhe delegatët e propozuar si vëzhgues të Asamblesë: Genc Tomorri (SHRFT), Albert Lusha (Luzi Vogel 2008) dhe Marius Sula (FC Lushnja).

U votua në këtë Asamble edhe Komisioni i Verifikimit, që do të ketë një mandat dy vjeçar dhe sipas statutit kandidatët e propozuar janë juristë që përmbushin kriteret e vendosura nga Neni 15 i Rregullores së Asamblesë. Delegatët votuan si anëtarë të këtij komisioni tre emrat e propozuar janë Rozeta Shira, Ervin Sherifaj dhe Krenar Bardhi.

Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke miratuar procesverbalin e Asamblesë së kaluar, duke diskutuar raportin e aktivitetit të FSHF-së përgjatë vitit 2022, raportin financiar të FSHF-së për vitin 2022 i cili përfshin pasqyrën e te ardhurave dhe shpenzimeve si dhe bilancin për vitin 2022, raportin e auditorit te pavarur për pasqyrat financiare te FSHF për vitin 2022, miratimin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2022, miratimin e buxhetit për vitin 2023, emërimin e audituesve të pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2023 që do të jetë “Grant Thornton”.

Pjesë e rendit të ditës ishin disa propozime për azhurnimin e statutit, ku anëtari i KE-së, Envi Hicka shpjegoi se ndryshimet e propozuara ndonëse synojnë vetëm shkrimin e të njëjtave rregullave në mënyrë më të qartë dhe më të lehtësisht të zbatueshme për të gjithë. Më pas u kalua në votim me anëtarët e Asamblesë që votuan pro ndryshimeve në statut, për të kaluar te miratimi i propozimeve të Komitetit Ekzekutiv për anëtarët e organeve juridike të FSHF.

Me miratimin e anëtarëve të rinj të organeve juridike u mbylllën dhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img