Thursday, October 24, 2024

Merkato-Volejboll Femra. Xhesika Kaçi vishet kuqeblu: E lumtur që rikthehem te Vllaznia!

Lexo

Volejbollistja e talentuar shkodrane, Xhesika Kaçi, është larguar nga Barleti për të zgjedhur midis shumë ofertave Vllazninë. 21- vjeçarja rikthehet kështu në skuadrën ku është formuar si lojtare, ndërsa duket tepër e lumtur për këtë zgjedhje, gjë të cilën ajo e deklaron në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, teksa e nis duke kujtuar fillimet e saj në sportin e rrjetës:

“Sportin e bukur të volejbollit e kam nisur në vendlindjen time në Shkodër me Vllazninë, ku kam qenë pjesë dhe e Kombëtares U-16 të Shqipërisë. Pasi kam marrë eksperiencën në Shkodër, m’u dha mundësia të studioj në Tiranë për marketing dhe atje u aktivizova për tri vite me Barleti Volej”, thotë Kaçi, e cila ka shkëlqyer në rolin e liberos. Xhesika më pas tregon zgjedhjen për t’u riveshur kuqeblu: “Pasi mbarova kontratën me Barletin pata shumë oferta nga ekipe të ndryshme dhe një nga këto ishte Vllaznia.

Më pëlqeu projekti i tyre dhe vendosa të firmos një vit. Jam shumë e kënaqur që rikthehem në vendlindje dhe do bëjë ç’është e mundur të dalim kampione. Përveç se do të jem lojtare e Vllaznisë, do të jem dhe zëvendëstrajnere e skuadrave U-16 dhe U-18 të këtij klubi. Tashmë po stërvitem shumë, që të jemi në formën më të mirë në kampionat”, thotë Kaçi, e cila në fund flet për planet e së ardhmes: “Dëshira ime është të luaj jashtë vendit dhe shpresojë shumë t’ia arrij qëllimit dhe të kap majat. Ndërsa për sa i përket shkollës, ajo për mua është kryesore, pasi marketingu është diçka e bukur dhe e shikoj vetën në këtë fushë”, përfundon volejbollistja Xhesika Kaçi.

Mariglen MIRAKA

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img