Saturday, April 27, 2024

Miqësorja, Shqipëri-Kosovë, të mërkurën ora 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”

Lexo

Në prag të ndy ndeshjeve zyrtare të vlefshme për Ligën e Kombeve, ato të datës 15 nëntor kundër Kazakistanit dhe 18 nëntor kundër Bjellorusisë, takime këto që do të luhen në stadiumin “Air Albania, kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë në orën 16.00 të së mërkurës miqësoren me kombëtaren e Kosovës. Gjatë konferences për shtyp që trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha dhanë për mediat, një ditë para ndeshjes miqësore u shprehen se miqësorja në fjalë do të shërbejë si një test për lojtarët që do aktivizohen në këtë përballje. Ndër të tjera, tekniku Reja foli për ardhjet e reja në skuadër, si Hoxhallari dhe Ismajlgeci si dhe për rastin e Marash Kumbullës, i cili për momentin ka problem në lidhje me mundësinë e bashkimit me skuadrën, jo vetem për miqësoren me Kosovën, por edhe për dy ndeshjet zyrtare të javës së ardhshme.

“Do të jetë një ndeshje e ndjerë, unë e kam të qartë pjesën sentimentale. Tifozët e ndjejnë shumë. Unë do të hedh në fushë një ekip kompetititv, për të bërë disa teste para dy ndeshjeve zyrtare që sigurisht janë shumë më të rëndësishme për ne. Unë pres që të jetë një ndeshje miqësore, pra shpresoj që lojtarët të jenë sa më të motivuar, pa kaluar limitet e një ndeshje miqësore. Uroj që të ketë një atmosferë të mirë. Sa i përket grupit që do të kem në dispozicion, mund t’ju them që Broja nuk mund të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, për probleme fizike. Gjasula do të vijë me vonesë dhe ai nuk mund të jetë në këtë ndeshje. Kam marrë disa lojtarë të rinj, për shembull mund t’ju përmend Hoxhallarin apo Ismajlgecin, të cilët unë i kam parë dhe kam pasur mundësi t’i shoh në aksion edhe më përpara, por këtë herë kam shansin t’i provoj edhe në fushë. Sigurisht kam marrë në konsideratë edhe Çepelen i cili është një lojtar i ri dhe, edhe ai mund të jetë një lojtar që mund të luajë në formacion.”, tha tekniku kuqezi, Edoardo Reja.

Një problem më vete për stafn e kombëtares tonë është mungesa e Marash Kumbullës, për të cilen Reja tha: “Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shëndetësore të Romës, pasi disa kolegë të Kumbullës kanë rezoltuar pozitiv. Kemi ofruar çdo mundësi që të krijojmë një korridor të sigurtë, të ofrojmë edhe një avion për ta marrë lojtarin. Shpresojmë që deri të shtunën të kemi një përgjigje. Vazhdojnë negociatat, nuk e dimë akoma se si do të zgjidhet kjo çështje, por unë shpresoj shumë që qoftë edhe të shtunën sikur ai të vijë, ne ta kemi për dy ndeshje. Lojtari është stërvitur normalisht dhe ai nuk ka probleme në formë. Deri të shtunën shpresoj që kjo çështje të jetë zgjidhur dhe ne të kemi një përgjigje përfundimtare.”, sqaroi Reja.

Ndërkohë, por gardianin kuqezi Etrit Berisha, përballja në miqësore me Kosovën përmban në vetvete jo pak emocione. “Nuk është e lehtë të them të drejtën. Por kur marrim parasysh që është vetëm një miqësore apo vëllazërore si i themi, gjërat janë më të qeta. Mirëpo nëse do kishim luajtur në ndonjë kualifikim apo në ndonjë ndeshje më të rëndësishme, gjë që edhe mund të ndodhë, për ne është shumë e vështirë. Unë e ndjej gjithmonë që është vendi im, si Kosova, si Shqipëria dhe gjithmonë kam shkuar me bindjen që dua t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Dhe shpresoj që në të ardhmen të bëhet një ekip pasi duke marrë parasysh emrat që janë në Kosovë dhe në Shqipëri po të bëhej një ekip, do bëhej një ekip super dhe do kishin respektin dhe frikën e gjithë Evropa. Por fatkeqësisht, ndoshta gjendemi në një moment tjetër dhe duhet t’i shikojmë këto momente që i kemi tani dhe duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore.”, nënvizoi portjeri kuqezi Berisha.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img