Friday, April 26, 2024

”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Meta për veteranët e volejbollit shkodran:Hyrije Shkëmbi(pas vdekjes), Bukurie Alibali, Kristina Nikolli, Irfan Boriçi, Aleksandër Leqejza, Gjon Çoba

Lexo

Me anë të një ceremonie të veçantë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi disa volejbollistë kampionë, të ekipit “Vllaznia”.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan:

Hyrije Shkëmbi (Erkoçaj) (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e njohur shumëvjeçar si volejbolliste e spikatur e ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Znj. Bukurie Alibali: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e njohur shumëvjeçar si sportiste, organizatore e spikatur ekipit të volejbollit ‘Vllaznia’, me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Znj. Kristina Nikolli: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për talentin dhe përkushtimin dhe arritjen e rezultateve të larta, fryt i angazhimit dhe personalitetit të saj triumfues në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

  1. Irfan Boriçi: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për rezultatet e larta në sportin e volejbollit, si një nga volejbollistët e dalluar në ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, me arritje të suksesshme në arenën kombëtare e ndërkombëtare.”;
  2. Aleksandër Leqejza: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e dhënë në sportin e volejbollit, si një sportist i talentuar, i dalluar në shumë arritje të skuadrës ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”;
  3. Gjon Çoba: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në sportin e volejbollit, si organizator i ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, i dalluar për përkushtimin e tij si trajner i suksesshëm në volejbollin italian.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar sportistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i lumtur të nderojmë sot disa personalitete shumë të shquara të volejbollit shqiptar dhe ekipit “Vllaznia”.

Vlerësojmë sulmuesen ‘bombarduese’ Hyrije Shkëmbi (Erkoçaj), e cila u nda nga jeta në vitin e mbrapshtë 1997, një lojtare model por edhe një vajzë e mrekullueshme, plot pasion dhe energji, që i akordoj Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, duke qenë të bindur se kontributet e saj do të mbeten të paharruara në sportin e volejbollit.

Një tjetër volejbolliste shkodrane, këtë herë organizatorja ose shpirti i skuadrës, që vlerësohet me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ është Bukurie Alibali. Një lojtare e kudondodhur, e palodhur për të frymëzuar vajzat shkodrane drejt fitoreve. Një pasuese dhe mbrojtëse e jashtëzakonshme, e cila kontribuoi edhe si lojtare e Ekipit Kombëtar.

Kristina Nikolli është pjesë e lojtareve të gjeneratës më të re e përgatitur në klasat sportive të volejbollit. Në Shkollën e Mesme ajo u bë fituese e shumë aktiviteteve, u shpall e dalluar si lojtarja më e mirë, dhe u vlerësua si një nga talentet e ardhshme të volejbollit. Që në moshë të re ajo u bë pjesë e ekipit të ‘Vllaznisë’ dhe formacionit kryesor, në rolin e sulmueses. Ajo njihet për vullnetin e saj për të mos u dorëzuar kurrë, në mënyrë të veçantë. Nikolli ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe po kështu ka kontribuar në klubin Studenti, përpara se të rikthehej në ekipin e zemrës tek ‘Vllaznia’. Suksesi dhe talenti i saj e çuan edhe drejt mundësive të reja jashtë Shqipërisë, në volejbollin profesionist në Itali.

Ekipi i volejbollit ‘Vllaznia’ edhe për meshkuj, padyshim ka qenë ndër ekipet më të mira të volejbollin shqiptar.

Irfan Boriçi, ka qenë sulmuesi kryesor i ekipit të ‘Vllaznisë’. I papërmbajtshëm, me një kërcyeshmëri dhe forcë që e dallonte nga të tjerët, ai ka qenë gjithmonë një sportist shembullor, një qytetar i mrekullueshëm, që gëzon një respekt të veçantë në opinionin sportiv, por edhe atë qytetar.

Aleksandër Leqejza, është një tjetër volejbollist i talentuar, sportist i niveleve të reja dhe moderne të volejbollit, i cili me cilësitë e tij mund të luante me sukses edhe në ekipet më të mira të Europës, me një kërcyeshmëri për t’u admiruar dhe aftësi teknike të parametrave më bashkëkohorë.

Gjon Çoba, lojtari organizator aq i dobishëm për ‘Vllazninë’, truri i skuadrës që dinte të drejtonte ekipin me cilësitë e tij drejt fitores, i përgatitur në shkollën e volejbollit shkodran, ai arriti të jetë i suksesshëm edhe në volejbollin italian, si lojtar dhe së fundi si trajner. Performanca dhe rezultatet e tij në Itali bënë që Gjon Çoba të vlerësohet nga shumë klube dhe institucione të sportit Italian, për përgatitjen e tij profesionale me rezultatet e larta dhe pasionin për volejbollin.

Duhet t’i nxisim më të rinjtë dhe fëmijët në rrugën e sportit dhe suksesit, sepse në këtë mënyrë i ndihmojmë ata, por edhe vendin tonë, për të qenë i suksesshëm edhe në ta ardhmen në fushën e sportit.

Një falënderim të veçantë edhe për familjarët për të gjithë mbështetjen që u kanë dhënë këtyre sportistëve të mëdhenj.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img