Monday, April 29, 2024

Nga: Martin DEDAJ* SKA VEND PËR EUFORI…(Burreli-Besa 4-1)

Lexo

Në fillimt të kësaj jave, bash në ditën e parë të saj, më 02.10.2023, që përkoi me 40-vjetorin e emisionit të parë radiofonik në Radio-Tirana: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, ku radiokronisti i njohur matjan Avni KËRTUKA, do të hynte në histori, si i pari matjan i këtij emisioni dhe ndër të parët në rang vendi, teksa transmetonte ndeshjen “31 Korriku” – “Lushnja”, skuadra e Burrelit ka bërë kthesën më të mirë të mundshme, teksa ka fituar thëllë 4-1, ndaj Besës së Kavajës. Fitore kjo e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit të Kategorisë së parë në fotboll, një kampionat që nga java në javë dhuron surpriza dhe të papritura, për vetë specifikën që ka dhe ekipet që janë pjesë e tij, diferenca e të cilave është shumë e vogël.

Me këtë fitore matjanët i thonë lamtumirë fundit të tabelës së klasifikimit dhe ngjiten tre shkallë më lart në rënditje dhe e pret një tranfertë e vështirë përballë Elbasanit, që u thye në Peshkopi nga Korabi vendas me rezultatin 2-1.

Me këtë fitore skuadra matjane, ka rikthyer entuziazmin tek tifozëria e zjarrtë, që e ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi, që këtë javë ishte më e shumtë në numër, madje e shoqëruar me një të veçantë, të paktën në këto katër edicione që transmetoj nga ky qytet, ku ra në sy prezenca në tribunën kryesore edhe e disa zonjushave të nderuara, që mbështesnin ekipin e Burrelit, që më rezultuan të ishin braziljane dhe kishin ardhur për të mbështetur bashkëkombasit e tyre, që luajnë për ngjyrat e Burrelit.

Për vetë rëndësinë që paraqiste për të dyja skuadrat, ndeshja ishte vlerësuar përpos stafeve teknike dhe futbollistëve edhe nga dy presidentët respektivë të skuadrave, Nexhat Bizhdili i Besës, që u akomodua në tribunën qëndrore pak para fillimit të takimit, dhe kryebashkiaku i Matit, njëherësh president i Burrelit, Agron Malaj që për koeçidencë mbërriti në tribunën qëndrore të stadiumit pak para se Burreli të shënonte golin e parë, si për të treguar jo vetëm mbështetjen por njëherësh se është shans për ekipin e tij. Dhe ska si të ndodhë ndryshe teksa kemi parasysh, interesin dhe përkujdesjen që ai ka treguar dhe tregon ndaj ekipit të Burrelit.

Për tu kthyer tek ndeshja ajo u dominua plotësisht nga skuadra vëndase në të gjithë komponentët e saj, ku ekipi i Burrelit u shfaq potent dhe agresiv në fushë e i harmonizuar në të gjitha repartet, ku padyshim çelësi i kësaj fitorje ishte mesëfusha, ku spikatën Koleci dhe veçanarisht, kapiteni Stana që shënoj edhe golin e parë, pas një gjuajtje potente e të kalibruar nga një distancë 25-30 m, gol i cili ndezi etjen e matjanëve për të shënuar.

Dhe do ti vinte radha e Farukut, pasues dinjitoz i dinastisë FARUKU, i cili do të shënonte dy herë në portën mike dhe çuar rezultatin e ndeshjes 3-0. Falë intuitës dhe ndjekjes së aksionit, kërcen bukur brenda zonës dhe shënon 2-0 me kokë, pas atij topi të gjatë të dhënë nga e djathta e sulmit nga ana e Kurbneshit, për të mbërrirur tek goli i dytë i tij, që pasi merr një top të gjatë nga prapavija, nga mesi i fushës e deri në hyrje të zonës, bën diferencën në shpejtësi ndaj dy mbrojtësve të Besës, dhe me të majtën nxjerr nga arkiva e tij një goditje siç di ai dhe topi pushon në rrjetë dhe shifrat shkojnë në 3-0. Entuziazmi arrin kulmin, shkallët e stadiumit “ndizen” dhe jehojnë nga thirrjet frenetike Burreli-Burreli, Para-Burreli, Zjarr-Burreli të tifozërisë së zjarrtë të këtij qyteti.

Epërsia e vëndasve sa vjen dhe shtohet, teksa trajneri Bubeqi, zbret në fushë, jo vetë, por me të birin Irdo Bubeqi, i cili pasi merr një top nga mesfusha, spostohet paksa në të djathtë të sulmit dhe shkarkon me të djathtën e tij potente një diagonale dhe topi përfundon në rrjetë, në të djathtë të portierit mik.

Dhe rezultati shkon ne 4-0. Nga ana e saj Besa e Kavajës, “ngushëllohet” me golin e vetëm të Shehut, shënuar në minutat e fundit të shtesës, dhe i gjithë takimi mbyllet 4-1, në favor të ekipit të Burrelit, që duhet thënë se na dhuroi vërtet një ndeshje të bukur që i pati të gjitha anët pozitive, dhe vetëm kaq, pasi s’ka kohë për festë, e aq më tepër për eufori, pasi një fjalë e urtë thotë: “Realizimi është detyrë, tejkalimi nder”, ç’ka do të thotë se me këtë fitore, lojtarët kanë bërë vetëm detyrën që u takon për të bërë, të paktën në Burrel pse jo dhe në transferta, duke filluar që këtë javë në përballjen me Elbasanin e ardhur me synime serioze nga kategoria e dytë, por që nuk do ta ketë dhe aq të lehtë përballë ekipit matjan, i cili do të jetë një kockë e fortë përballë çdo skuadre, duke filluar që në ndeshjen e radhës përballë Elbasanit, dhe treguar vlerat reale që vërtet ka në përbërjen e tij.

Falenderoj mikun tim të hershëm z. Frrok FETAJ, për fotografitë e realizuara.

Nga: Martin DEDAJ*

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img