Wednesday, May 8, 2024

Një shkodran ndëshkon Dinamon. Goli i Hebajt i jep fitoren Teutës, blutë thuajse të rënë nga Supriorja

Lexo

Rubin Hebaj, është autori i golit të fitores për ngjyrat e skuadrës së tij Teuta. Shkodrani, ndëshkoi Dinamon duke përfituar edhe nga një gabim i portjerit Simoni, i cili duke qënë nën presionin e tij e përplasi topin në këmbët e tij, moment që u shfrytëzua nga Hebaj duke e dërguan topin në rrjetë.

Blutë dinamovitë, konfirmojnë krizën e thellë në të cilën ndodhen, pas së cilës duket se shpresat për të qëndruar në Kategorinë Superiore i ka të pakta. Gjashtë humbje radhazi, e fundit ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, atje ku pesë janë me trajnerin italian Rodolfo Vanoli. Haxhiu është i pari që provon për blutë në të 4’, teksa në një shpërthim nga e majta ka krosuar, por Qirko është i saktë në dalje. Dinamo ngutet dhe gabon dhe në zonën e vet, ndërsa në të 7’ Imami ka krijuar panik me kthimin e topit tek Simoni, teksa mbrojtësi i katërkëndorit blu me shumë vështirësi largon rrezikun.

Emiljano Vila i ka patur të gjitha mundësitë për të shënuar në portën dinamovite në të 32’, kjo pas krosimit të Idrizajt nga e djathta, por jashtë. Duket sikur nuk është dita e Simonit, që në të 33’ kishte dalë nga porta, por për fatin e tij tentativa e Peposhit përfundon jashtë. Rexhinaldo mund t’i kishte dhënë avantazhin bluve, por është i pasaktë në goditjen e tij. Dhe në fundin e pjesës së parë, Dinamo ka pretenduar për penallti pas pengimit të Rexhinaldos dhe Haxhiut brenda zonës së rreptësisë së Teutës, por për gjyqtarin Alla gjithçka ka qenë e rregullt.

E pjesa e dytë ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për blutë, sepse Simoni në të 56’ ka gabuar në largimin e topit nga zona e Hebaj nuk ka falur. Teuta në avantazh, kurse Dinamo tani do të duhet të nisë gjithçka nga e para. Gruda rrezikon të shënojë golin e dytë për “djemtë e detit” në të 68’, veçse Simoni grushton në goditje këndi. Gjërat për Dinamon rëndohen në fundin e lojës, teksa Mija është ndëshkuar me karton të kuq.

Dhe në minutën e parë shtesë ai që tentoi barazimin ishte Simoni me roveshiatë, por Qirko i ka thënë “Jo”. E në vërshëllimën e fundit të Allës, Teuta rigjen qetësinë, kurse Dinamo do të duhet të lutet shumë dhe t’i besojë fatit për të mos rënë në Kategorinë e Parë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img