Thursday, March 28, 2024

Nuk i binden lojtarët, trajneri Fabian Gjuka dorëhiqet nga drejtimi i Vllaznisë së koshit!

Lexo

Trajneri i ardhur nga Peja e Kosovës, Fabian Gjuka, nuk është më në krye të Vllaznisë së basketbollit të meshkujve. Një lajm ky, aspak i mirë për basketbollin shkodran, duke pasë parasysh vlerat dhe reputacionin e këtij trajneri në fushën e basketbollit kosovar dhe më gjërë.

E mori me shumë dëshirë dhe passion në fillimin e vitit 2022 detyrën në krye të Vllaznisë së basketbollit për meshkuj. Gjë që nuk ka nguruar ta shprehë jo pak herë në prononcimet e tija mediatike duke vlerësuar pa masë edhe mbështetjen që po i jepte kryesia e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia.

Madje, shumë shpejt trajneri pejan, Fabian Gjuka bëri ndryshimet për mirë në radhët e skuadrës kuqeblu duke u shoqëruar me lojra cilësore dhe rezultate pozitive.

Me një pjesëmarrje pa pretendime në Ligën Unike, më tepër në kolaudim të skuadrës, vemendja dhe përqëndrimi i trajnerit Gjuka ishte tek Superliga e basketbollit shqiptar, ku me rritjen e skuadrës së tij, nuk nguroi të shfaqte hapur pretendimin për fitimin e titullit kampion.

Optimizmi në kampin kuqeblu të koshit, filloi të ndjehej ndjeshëm, ku falë punës së tij mjaft të mirë me skuadrën duke harmonizuar edhe elementin e huaj me atë shkodran i dha më tepër gjallëri dhe besim skuadrës.

Në të njëjtën kohë, reagimi pozitiv filloi të shfaqej edhe në radhët e tifozërisë shkodrane, e cila duke konstatuar se Vllaznia e basketit për meshkuj po rikthehej bindshëm me pretendimet e titullit kampion, edhe ato u shfaqën në shkallët e pallaltit të sportit në mbështetje të skuadrës së zemrës.

Por, gjërat nuk shkuan si duhet. Pikërisht, në momentin më të  mirë të tyre, kuqeblutë e koshit marrin goditjen e rëndë duke shkatërruar gjithçka që ndërtuan me dorën e tyre.

“Bomba” shpërtheu në ndeshjen e mbrëmjes të së dieles, kur me humbjen në shtëpi ndaj Partizanit, trajneri Fabian Gjuka dha dorëheqjen. Për hirë të së vertetes, sinjali i parë i kësaj situate konfuze në radhët e basketbollit shkodran të meshkujve u dha dy ndeshje më herët, kur në Superligën shqiptare,Vllaznia u mund nga Dinamo, skuadra e vendit të fundit në renditje.

Pas asaj humbje zhgënjyese dhe krejtësisht të paparashikuar, trajneri Gjuka reagoi ashpër ndaj skuadrës duke pretenduar se skuadra nuk po i bindej dhe se nuk po i kuptonte lojtarët e tij se si silleshin në fushën e lojës. Madje, një gjë të tillë e bëri edhe në media duke theksuar se priste një mbledhje dhe analizë urgjente të skuadrës me praninë e drejtuesve të kryesisë duke paralajmëruar ndëshkime për lojtarët e tij.

Ndeshja e radhës pas Dinamos, ishte ajo me Teutën në “Qazim Dervishi” për Ligën Unike, ku situata në pjesën e parë ishte po ajo e ndeshjes së mëparshme. Por, edhe pse u humb ndeshja, pjesa e dytë dha shenja përmirësimi në radhët e skuadrës kuqeblu duke e lënë të shpresonte trajnerin Gjuka se gjërat tashmë po shkonin drejt përmirësëimit.

Dhe, këtë e priste në përballjen me Partizanin e vendit të parafundit në renditje, ndeshje kjo për llogari të javës së 15-të të Superligës shqiptare që u luajt mbrëmjen e  së dieles në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Por, paraqitja zhgënjyese e Vllaznisë në këtë takim, të cilën kuqeblutë e humbën me rezultatin 76-85, bëri që trajneri Fabian Gjuka të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Vllaznisë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img