Friday, April 26, 2024

Parmeza: Murlani futboll femra, synon vendin e tretë në kampionat. Ambicjet për stafin e Brdariç

Lexo

Arben Parmeza, është një emër shumë i njohur i sportit shkodran dhe më gjërë. Fillimisht, kampion dhe rekordmen i atletikës shqiptare në garat e shpejtësisë. Më pas trajner atletike me Vllazninë, trajner atletik në stafin e ekipit të parë të futbollit Vllaznia, trajner i futbollit të femrave me ekipin “The Door-Albania”, trajner me Akademinë Ajaks Shkodër, Zv.trajner i Vllaznisë në futbolll femra, dhe së fundmi, trajner i parë në ekipin e futbollit të femrave, KF Murlani.

I ftuar në emisionin “Sport Show”-TV1 Channel të mbrëmjes së hënë, Arben Parmeza ka folur gjatë për karrierën e tij të pasur sportive, synimet dhe objektivin që ka për të qënë në treshen më të mirë të Superligës së futbollit shqiptar me ekipin e tij, KF Murlani. Ndërkohë, në bisedë me drejtuesen e emisionit, Silvi Kastrati, Parmeza, flet edhe për ekipin e Vllaznisë të kategorisë Superiore, duke zbuluar për herë të parë që largimi nga Vllaznia e femrave në periudhën e verës ishte pikërisht për të kaluar në stafin e Brdariç si trajner i përgatitjes atletike.

KF Murlani

“Është një ambicje e imja, e cila mu realizua, dhe për këtë falenderoj presidencën “Rraboshta” të KF Murlani, Nuk është në eksperienca e ime e parë, sepse pas disa eksperiencave që kam drejtuar në futbollin e femrave, ekipin “The Door”, “Ajaksin”, dhe vij nga stafi i Vllaznisë së futbollit të femrave. Tani jam në një klub që ka ambicjet e veta, që dhe pse është një klub i ri në vitin e dytë të tij, është mjaft i kompletuar, ka një akademi të mirëfilltë, ka ekipin e parë në kategorinë e dytë të meshkujve me trajnerin Altin Xhahysa, ka ekipin e femrave të Superligës, dhe ajo që duhet evidentuar është ndër të paktat Akademi që ka fushën e vet stervitore dhe për ndeshje, ë është një bazë shumë e rëndësishme për ecurinë e një klubi futbolli.”, u shpreh Arben Parmeza, në cilësinë e trajnerit të KF Murlani në futboll femra.

Duke vijuar të flasë për KF Murlanin e futbollit të femrave, Parmeza, tha se starti nuk ka qënë fort i mirë, pasi e filluam me shumë problem. “Kishim largimin e disa vajzave, me dëmtime, penalizime nga sezoni i kaluar, dhe sot e kësaj dite, pengu më i madh i imi është se nuk kam mundur të hedhë në fushën e lojës, 100 përqind të vajzave që ne stervitim. Edhe starti nuk na ndihmoi sepse u ndeshëm me dy ekipet më të mira të Shqipërisë, Vllazninë dhe Apoloninë. Duhet pak kohë që të shkojmë aty ku duhet, megjithatë rezultatet e fundit pozitive na inkurajojnë, tregojnë se këto vajza kanë kualitet dhe meritojnë diçka më tepër. Realisht, unë mendoj se jemi pretendent për vendin e tretë.”, theksoi ndër të tjera trajneri Parmeza.

Vllaznia e Brdariç dhe sektori atletik

Duke folur për Vllazninë e kategorisë Superiore të drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç, Parmeza tha se ka një staf të kompletuar. “Sot, Vllaznia ka ndër stafet më të plotësuar në historinë e saj, me trajnerin e parë, zv.trajner, përgatitës atletik, trajner portjerësh, video-analist, ku së bashku edhe me stafin mjekësor që e ka pasë gjithmonë OK, e bëjnë atë më të mirin në futbolin shqiptar. Por, më bën përshtypje, një farë indiferentizmi, nuk kam informacion, qoftë edhe në lajmet sportive, në drejtim të trajnerit atletik që ka Vllaznia. Vetëm sa është bërë prezantimi dhe duhej të kishte një vemendje më të shumtë ndaj këtij pozicion, qoftë edhe nga media. Unë do të isha kureshtar të di që sa GPS, (paisje për monitorimin e treguesve fizik që vendosen në jelekët e futbollistit, si dhe përformancën gjatë ndeshjes), ka sot Vllaznia. Federata e Futbollit Kosovës, ia ka dhuruar çdo ekipi, nga 20 copë për ekip, është një investim goxha i madh.”, tha Parmeza.

Duke dashur që të mos paragjykohet për shqetësimin që po ngre, Parmeza, tha: “Asnjëherë nuk kam folë për këtë problem, dhe nuk e shoh të arsyeshme. Mos ta bëjmë personale, unë kam luftu gjithmonë për një pozicion të tillë që të vlerësohet realisht në stafin e Vllaznisë, dhe kjo është e rëndësishme që sot ka një trajner atletik tek Vllaznia.”, shtoi ai.

Parmeza, kandidat për stafin e Brdariç

Në opinionin sportiv shkodran ka pasur zëra që gjatë periudhës së verës, Arben Parmeza të jetë kandidat për t’u bërë pjesë e stafit të Vllaznisë si përgatitës atletik, pozicion të cilin e mori trajneri Mihail Tzokov, i ardhur nga Bullgaria. “Unë realisht e kam diplomën për këtë pozicion, dhe vazhdoj të jem aktiv edhe në raportet komunikuese me struktuat e FSHF-së për këtë sektor. Asnjëherë nuk e kam përmend, por është e vertetë që janë bërë kontakte për t’u bërë pjesë e Vllaznisë si preparator atletik. Asnjëherë nuk e kam deklaru që arsyeja që unë u largova nga Vllaznia e futbollit të femrave ka qënë arsyeja për të shkuar tek djemtë, ekipi i parë i Vllaznisë.”, sqaroi Parmeza.

Megjithatë, në vijim, ai bën të ditur se është mjaft i kënaqur në bashkëpunimin e nisur me KF Murlani. “Unë jam shumë i kënaqur këtu ku jam sot, kam marrë përsipër një punë, është një ambicje e ime personale për të drejtuar ekip dhe e shoh që tek vajzat mund ta kem këtë mundësi. Edhe histori botërore njohin që trajnerë të suksesshëm kanë qënë me karrierë të spikatur futbollistike, apo kanë qënë në disiplina të tjera sportive, por që kanë arritë rezultate jashtëzakonisht të mëdha. Dhe unë shikoj që paragjykohem jo pak, një sportist me karrierë të gjatë që vij nga një fushë tjetër si atletika  me rezultate dhe CV shumë të pasur. Nuk vlerësohet që kam tash 12 vite që jam tek fusha e futbollit, kurset, specializimet, kualifikimet që kemi marrë gjatë kësaj periudhe, dhe paragjykohesh që nuk je një ish futbollist i shquar. Dhe kjo është ajo që më ngacmon pak. Megjithatë, tek futbolli i femrave unë kam gjetë një ambient krejt tjetër, kam disa vite që e ushtroj këtë profesion, edhe si trajner i përgatitjes fizike dhe po ashtu edhe si trajner i parë”, përfundoi trajneri, Arben Parmeza.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img