Thursday, April 18, 2024

Përkujtohet ish hanballisti dhe presidenti i Handballit shkodran, Nikolin Karroca. Çertifikatë “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër-SK Vllaznia dhe KH Ferizaj Kosovë në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta

Lexo

Një vjetori i ndarjes përpara kohe nga jeta në moshën 51 vjeçare të ish handballistit kampion, dhe ish presidentit të Vllaznisë në handball, Nikolin Karroca, ka bërë së bashku pjesëtarët e komunitetit të sportit, ish kolegët e tij të klubit Vllaznia, si dhe një përfaqësi të zgjeruar handballistësh të ardhur nga Kosova të KH Kastrioti Ferizaj. Pjesë e kësaj ceremonie nderuese në përvjetorin e ndarjes nga jeta të ish presidentit të handballit shkodran, Nikolin Karroca ishte edhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila siç e tha në fjalën e saj, ka pasë fatin ta njohë nga afër dhe të bashkëpunojë me të ndjerin Karroca, jo vetem në fushën e sportit, por edhe më tej, pasi ai njihej dhe ishte ndër biznesmenët më të suksesshëm të Rajonit të Shkodrës dhe më gjërë.

Në praninë e familjarëve më të afërt të ish presidentit të handballit shkodran, miqve dhe dashamirëve të shumtë të familjes “Karroca”, në shenjë respekti dhe konsiderate për punën e tij të çmuar në vite në fushën e sportit dhe më tej, gjatë ceremonisë dhe drekes së shtruar nga familja “Karroca” në lokalin “ELITA” Shkodër, u akorduan dy Çerfitikata “Mirënjohje”, njëra nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia, si dhe tjetra nga KH “Kastrioti” Ferizaj Kosovë.

***

Fjala e Kryebashkiakes Voltana Ademi:

“Mirdita të gjithëve, zonja dhe zotërinj, të dashur prind, familjarë, shokë të ftuar, miq, sportistë, trajnerë, miqtë e ardhur nga Kosova. Ju falenderojmë shumë për pjesëmarrjen në një ditë përkujtimore për një nga qytetarët më të mirë të qytetit të Shkodrës, për një biznesmen, për një sportist, për një dashamirës dhe kontribues të sportit në Shkodër, për një djal të ri, për një shok, për një mik, për të ndjerin, zotni  Nikolin Karroca.

Unë marr pjesë në fakt këtu si kryetare e Bashkisë Shkodër, por mbi të gjitha  marr pjesë këtu si një nga ato njerëz që e kanë njoft nga afër, që ka diskutu dhe ka qesh, me një njeri që asnjëherë nuk ka bërë kompromis Përkundrazi ka qënë shumë kritik, por ka qënë kritik duke dashtë të japë kontributin e vet si një qytetar i mirë i qytetit të Shkodrës për atë që ai ka ditë me ba ma mirë në fushën e sportit, por jo vetem, edhe në fushën e atij që ka kontribu për të mirën publike. Unë kam pasë nderin dhe kënaqësinë ta njoh nga afër dhe në shumë momente të rëndësishme edhe të jetes time personale, si dhe në karrieren time, me pasë një lloj ballafaqimi për atë që ne bëjmë në qytetin e Shkodrës.

Gjithësesi, ne jemi sot këtu për me kujtu Nikolinin tuaj e mendu se e kemi mes nesh. Ne mendojmë në fakt shpesh për të dhe diskutojmë shpesh në familjet tona për atë çfar ai është për jeten tonë. Por, këtu sot, unë dua që përmes një mirënjohjeje të mund të përcjell atë që ne çfar diskutojmë për të në tryezat tona familjare, qytetare, në kafet e qytetit. Ndërmjet miqsh dhe qytetarësh ta përcjellim me pak fjalë duke cilësu këtë mirënjohje që i vjen nga Bashkia e Shkodrës, dhe me këtë rast, me zanin e kryetares së Bashkisë Shkodër me përcjellë edhe zanin e atyre qytetarëve që unë fola më përpara.

Me kënaqësi unë dua me iu drejtu stafit, familjes, prindit të dashtun duke i dhuru një nderim mirënjohje, falenderimi për gjithçka Nikolin Karroca ka kenë dhe mbetet për ne. Dhe jo vetem kaq, sepse unë ndoshta kam shumë e shumë për me folë për mikun tim Nikolin Karroca. Ne do ta kujtojmë me nder, unë mendoj se i ka dhënë nder familjes tuaj, qytetit tonë, emër të mirë sportit të Shkodrës, dhe për këtë ne falenderohemi gjithmonë. Ju faleminderit që na batë edhe neve pjesë të kujtimit  tuaj familjar, duke qënë edhe ne sot këtu.”

Bashkia Shkodër dhe Sport Klub Vllaznia

Çertifikatë Mirënjohje    Z. Nikolin Karroca

             Në shenjë vlerësimi dhe nderimi për personalitetin e gjithanshëm në sport dhe në jetë, duke dëshmuar cilësi të rralla protagonisti, jo vetëm si sportist, por dhe si drejtues dhe donator.  Puna dhe kontributi i tij në sportin shkodran, do të jenë një shembull frymëzimi për të gjithë.

Voltana Ademi-Kryetare e Bashkisë Shkodër

***

Fjala e veteranit të sportit kosovar, Xhavit Morina

“Në emër të Klubit të Kastriotit të Hendbollit Ferizaj, në shenjë respekti për kolegun tonë, Nikolin Karroca, ne kemi shprehë dëshirëm për t’i akorduar një “Mirënjohje” për angazhimin në sportin e handballit dhe sidomos në angazhimin dhe kultivimin e shoqërisë sonë nga Shkodra në qytetin tonë Ferizaj. Ne, dhimbjen tuaj, të jeni të bindur se e kemi ndarë së bashku, dhe prap do ta ndajmë së bashku. Do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të mirë, një dashamirë, i cili ka qënë shumë i afërt me neve dhe urë lidhëse mes dy qyteteve, Ferizajt dhe Shkodrës.

Besoj se kjo traditë do të vazhdojë prapë, sidomos me këto shokë të tjerë të mirë, dhe besoj se nuk do të jetë takimi i fundit i joni me familjen tuaj. Kështu që, në emër të klubit dhe veteranëve të handballit T Ferizajt Kosovë jua dorëzoj këtë mirënjohje në shenjë kujtimi për familjen tuaj.”

Klubi i Handballit Kastrioti-Veteranët Ferizaj

Mirënjohje  postmortem   Për Nikolin Karroca

Në emër të angazhimit dhe vepres tënde për ngritjen e sportit të hendbollit si dhe për ruajtjen dhe kultivimin e miqësis me KH Ferizaj. I përmortshëm kujtimi për Ty. KH “Kastrioti” Ferizaj

Mirënjohja e familjarëve

Në emër të familjes “Karroca”, ka qënë babai i të ndjerit Nikolin Karroca, Ludovik Karroca, i cili ka shprehur falenderimet dhe mirënjohjen ndaj shoqërisë së sportit, të Shkodrës dhe të Kosovës, klubit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër, për pjesëmarrjen, nderimin dhe vlerësimin që ato i bënë djalit të tyre Nikolin në një vjetorin e ndarjes nga jeta, dhe familjes “Karroca” në përgjithësi.

Karriera e Nikolin Karrocës

Nikolin Karroca ishte njëri prej figurave më të spikatura të sportit të handballit shkodran. Pjesë e brezit të ekipit Vllaznia në vitet 1987-1993, duke luajtur me shumë sukses si titullar ku edhe u shpall kampion i Shqipërisë përkrah emrave të tillë, si: Edmond Zenuni, Naim Haliti, Arben Rrjolli, Artan Durro, Gentian Kiri, Andrea Hila, Mark Kushi, Aldo Jana, Rrokin Daberdaku, Ridvan Dibra, Artan Xhindi, Artur Vrilla, Artan Bajraktari, Nikolin Kalaj, Aleks Vata, Ladi Duli, Bled Bajraktari, Atfi Hefovija etj. Gjatë viteve të fundit ai kontribuoi si donator dhe president i KH Vllaznia ku së bashku me kolegët e tij Ali Matlija, Ridvan Dibra, Artan Durro, Mark Kushi, Aldo Jana, Arian Ibershimi, Vili Haxhija, Ardit Çiellza, Xhulio Dushi, Indrit Albunesa, Arjet Dani, Fatjon Barbullushi, me trajnerët Lekë Sinishta, Ali Matlija dhe Ylber Dibra etj, e ngritën Vllazninë në nivelin skuadrës kampione të Shqipërisë. Në anketen e organizuar nga SK Vllaznia me rastin e 100 vjetorit të saj, Nikolin Karroca është vlerësuar si një nga handbollistet më të mirë të shekullit. Gjithashtu ai njihet si biznesmen i suksesshëm në fushen e fasonerisë, ku prej vitesh ishte administrator i fabrikës së këpucëve, “Niko Shows”.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img