Thursday, April 18, 2024

Post Vllaznia-Laçi, Kapiteni Gurishta, analizon humbjen me Laçin, sqaron momentin e pësimit të golit të dytë, dhe të ardhmen e tij

Lexo

Humbja e Vllaznisë me Laçin në “Loro Boriçi” me rezultatin 1 me 2 ka marrë dhe vazhdon të marrë diskutime të shumta në opinionin sportiv për atë që dhanë skuadrat në fushën e lojës. Në këndvështrimin e kapitenit kuqeblu, Laçi ka një ekip të mirë, por sipas tij, Vllaznia e humbi ndeshjen më shumë për gabimet e veta.

3 gabime, 2 gola të pësuar

“Nuk besoj se duhet ta bëjmë dramatike këtë humbje, sepse Laçi kishte ekip të mirë. Më vjen keq për mënyrën se si ne e humbëm ndeshjen, se duke e riparë ndeshjen me video gjatë analizës, nuk është se Laçi na ka dominuar, por thjeshtë Laçi ka përfitoi nga gabimet tona. Ne nuk mundëm të përfitonim nga gabimet e Laçit, gaboi shumë herë, gaboi edhe portjeri, por ne gabuam tre herë dhe Laçi na ndëshkoi dy herë, dhe kjo të vjen keq, por futbolli kështu e ka. Nuk duhet të humbim shpresat, sepse jemi përsëri në vend të parë me 6 pikë më  shumë se rivali më i afërt”, shprehet Gurishta. Më tej, duke vijuar të flasë për këtë ndeshje, Gurishta nënvizon konkretisht gabimet e kuqebluve në këtë ndeshje. “Më shumë ishin gabimet që tentuam të krijonim aksionet dhe ekipi ishte i hapur duke gabuar disa herë në pasime dhe kundërshtari na zinte shpeshherë në befasi me kundrasulm. Kjo vinte edhe nga ajo se ne ishim shumë të hapur në fushë, pasi ekipi po luante me tre mbrojtës dhe jo me 4 si gjithmonë”, citon ai.

Goli i dytë, duhej faull taktik, apo jo?!? Brdariç ishte për faull!

Jo pak komente nga specialistët dhe analistët e sportit ka marrë edhe momenti i pësimit të golit të dytë të Vllaznisë. Dhe konkretisht dyluftimi i Gurishtës me futbollistin mik Obanor që shënoi në portën kuqeblu, nëse do të ishte më mirë që ai të ndërhynte me faull taktik duke marrë të kuqe, gjë të cilën e sqaron edhe vetë Gurishta.

“Edhe unë për vete ndjehem fajtor tek rasti i golit të dytë. Kisha mundësi ta ndaloja kundërshtarin, por rrezikoja kartonin e kuq, ishte fragment sekondi, ashtu e mendova në atë moment. Tani që e mendoj me qetësi, ndoshta edhe kam gabuar, sepse edhe mund të ndikoja që të mos e pësonim golin, por ashtu e mendova në atë moment. Unë e kam diskutuar edhe me trajnerin pas ndeshjes, dhe Brdariç më tha se ndoshta më mirë ishte që të merrja të kuqe dhe mos  të ndëshkohej ekipi. Por, përsëri mendoj se ishte një rrisk, sepse ishte minuta e 70-të e ndeshjes dhe po të mbetej ekipi me 10 lojtarë, nuk dihej se si mund të shkonte loja për ekipin tonë, ndoshta prap, mund të kishim barazu, apo humb dhe nuk i dihet. Gjithsesi, ai ishte një vendim që erdhi në çast, por tani mbrapa ta dija se po përfundonte me gol, normalisht që do të ndërhyja dhe të merrja të kuqe. Obanor ishte nën presionin tim dhe mendova se ai edhe mund të gabonte, pasi edhe portjeri doli për ta bllokuar, dhe nëse do të kishte ndodhë një gjë e tillë, të gjithë do të kishin thënë, bravo që nuk bëri faull dhe nuk mori të kuqe”, sqaron me imtësi Gurishta.

Mesazhi për tifozët

Pas humbjes me Laçin, në radhët e tifozëve nuk kanë munguar edhe kritikat, apo edhe ofendimet ndaj ekipit apo edhe individëve në veçanti. Dhe, për këtë Gurishta ka një mesazh për tifozërinë shkodrane.

“Shumë tifozë pas kësaj ndeshje kanë filluar të shajnë ekipin dhe lojtarë të caktuar, por dua të them se Vllaznia në 18 javë kampionat ka luajtë më këto lojtarë, këto lajtarë i kan marrë këto pikë. Mendoj se nuk është moment me kritiku apo me sha lojtarët, këto lojtarë e kanë sjellë Vllazninë në këtë gjendje të gjithë bashkë, dhe besoj se të gjithë së bashku kemi për të ecur përsëri”, tha Gurishta në mesazhin për tifozët.

E ardhmja e Gurishtës me Vllazninë në pikëpyetje, në maj mbaron kontrata

Sezoni futbollistik 2020-2021 për Erdenis Gurishtën është më i miri i gjithë karrierës së tij sportive. Falë këtyre vlerave që po tregon në fushën e lojës, atij i është besuar edhe shiriti i kapitenit të skuadrës. Në fund të muajit maj, Gurishtës i përfundon kontratë me kuqeblutë, dhe natyrshëm ofertat në adresë të tij nuk mungojnë.Por, a do të vazhdojë të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë edhe për periudhën në vazhdim? “Më është bërë shpesh kjo pyetje dhe e kam theksuar se e kam mendjen vetem tek Vllaznia. Është e vertetë që kontrata ime mbaron në maj, pra në fund të sezonit, por nuk e kam mendjen tek fundi i kontatës dhe as tek ofertat. Realisht kam pasë oferta edhe në janar, sidomos nga ekipe jashtë që nëse do të kisha qënë i lirë, ndoshta edhe mund të kisha lëzizë për efekt të anës financiare. Por unë e kam theksu që dua të mbaroj sezonin me Vllazninë dhe shpresoj të mbyllë një sezon pozitiv, me sukses duke realizuar objektivat tona, pastaj në fund të shohim. Kam pasë disa kontakte me drejtuesit që më kanë thënë për rinovim, por thjeshtë fjalë, por edhe jo shumë gjëra konkrete”, thekson Gurishta.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img