Tuesday, April 23, 2024

Prag miqësorja me Italinë/ Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë shtypi: Të tregojmë që po rritemi dhe kemi vlera

Lexo

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja dhe kapiteni Etrit Berisha dolën mbrëmjen e sotme në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës miqësore me Italinë, që do të zhvillohet nesër në ora 20:45 në stadiumin“Air Albania”.

Tekniku italian komentoi rëndësinë e kësaj ndeshje, ndërsa zbuloi edhe skemën me të cilën do të luajë Shqipëria nesër. Ai shpreson që në këtë sfidë të marrë përgjigjen që Kombëtarja ka pasur rritje, ndërsa tha se nesër do të jetë një italian që pret të fitojë Shqipëria.

Rëndësia e sfidës – Në një ndeshje të tillë, përtej rezultatit mua më intereson më shumë loja, por edhe fakti që uroj që këtë herë uroj që këtë herë edhe episodet të jenë në krahun tonë, sepse herët e fundit na kanë ndëshkuar shumë. Për ne kjo ndeshje me Italinë ka shumë rëndësi, është një test me shumë vlera dhe duhet të tregojmë që kjo skuadër po rritet dhe ka shumë vlera. Uroj të tregojmë që kemi bërë disa hapa përpara. Më vjen keq që nuk do të kemi disa lojtarë në grumbullim, sepse klubet nuk na lejojnë, por kemi edhe shumë lojtarë të rinj që janë shumë interesantë dhe që kanë bërë mirë në stërvitje dhe në miqësoret e fundit. Shpresoj shumë që edhe ata do të tregojnë në fushë për të rrëmbyer mundësinë dhe për të treguar vlerat e tyre në këtë miqësore.

Skema dhe cilët lojtarë do të luajnë nesër-  Lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës do të japin 100% dhe kam shumë besim te lojtarët që kam grumbulluar. Sa i përket modulit, do të jetë 3-5-2 sepse është një modul që ka treguar se na jep siguri dhe garanci. Patjetër që gjatë ndeshjes edhe mund të ndryshojmë, i kemi lojtarët e duhur në dispozicion për t’i përdorur edhe me një modul tjetër, por nuk shoh arsye për ta bërë këtë ndryshim, sidomos ndaj Italisë. Gjithsesi formacioni mbetet për t’u parë dhe për t’u vendosur nese do të ketë risi dhe emra të rinj. Do tē kemi shumë mungesa, nga lojtarë me eksperiencë të cilët do të doja t’i kisha si Cikalleshi, Balaj, Gjimshiti, i cili është mungesë shumë e rëndësishme. Ndërsa për ata që do të luajnë, besoj se do të japin më të mirën.

Për të shtuar diçka për skemën, e kam bërë te Napoli, kam luajtur me 3-5-2 15 vite më parë dhe shkoi gjithçka mirë. Tani Conte dhe Mancini përdorin të njëjtin modul dhe quhen inovatorë, ndërsa mua më quanin atëherë se nuk mund të funksionojë mirë skuadra me këtë modul. Por me këtë rreshtim unë kam pasur rezultate shumë të mira dikur dhe më ka çuar larg. I kam bërë komplimentat e mia Mançinit sepse ka pasur guximin për të ndryshuar mënyrën e lojës, për të gjetur ekuilibrin e duhur me ekipin e tij, ashtu siç edhe ne kemi gjetur ekuilibrin tonë me këtë skemë. Kështu që nuk kemi pse ndryshojmë sepse na jep garancinë e duhur.

Keqardhje qê Italia nuk është në Botëror?– Mancini është duke punuar për të ardhmen dhe për të arritur edhe objektiva të rëndësishëm që duhet thënë që i meritojnë. U zhgënjeva shumë që Italia nuk ia doli të shkonte në finalet e Katarit. Më vjen keq për Mancinin sepse nuk e meritonte të përfundonte Italia jashtë Botërorit. Por më vjen mirë që trajneri pranoi të vazhdojë projektin dhe jam i bindur që do të bëjë një punë shumë të mirë. Shoh që ka ftuar shumë të rinj, të cilët do të ketë mundësi t’i ftojë edhe në miqësoren nesër. Ka shumë lojtarë të mirë.

Bajrami dhe Asllani dhe skema 3-5-2 – Bajrami dhe Asllani janë dy lojtarë që mund të luajnë bashkë dhe e kanë bërë këtë në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit. Ata mund të bashkëjetojnë shumë mirë nga minuta e parë, por janë dy lojtarë të ndryshëm dhe kanë nevojë për të pasur garanci, apo mbështetje nga pas e nga krahët. Bajrami është më shumë fantazist, që shikon nga sulmi, ndërsa Asllani është tipi mesfushor qendre, ndaj jam i bindur që me mbështetjen e duhur, mund të bashkëpunojnë shumë mirë.

Italian që luan kundër Italisë apo ‘shqiptar’ tashmë? – Unë jam italian në fund të ditës dhe kur nuk luan Shqipëria, bëj tifo gjithmonë për Italinë. Sigurisht që nesër mos prisni të bëj tifo për Italinë, pasi dua të shoh Shqipërinë të luajë bukur e të fitojë. Do të jetë një festë nesër dhe u emocionova shumë, që në momentin kur presidenti Duka më tha se do të luajmë ndaj Italisë. Nesër do të shijoj shumë himnin e Italisë, por edhe të Shqipërisë.

Rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe kundër Italisë? – Unë shpresoj që jo. Vetëm dje është kompletuar grupi dhe unë kam besim që futbollistët do të bëjnë maksimumin, për të dhuruar një paraqitje bindëse në fushë. Pres të marr konfirmimet që skuadra ka pësuar rritje.

Kundërshtari i duhur për të parë ecurinë e skuadrës? – Të presim dhe të shohim, por besoj se kemi stimujt e duhur për të bërë një paraqitje bindëse ndaj Italisë. Folëm shumë për cilësitë e kundërshtarit, por kjo është nga ato ndeshje që mund të na japë përgjigje shumë të mira sa i takon rritjes së skuadrës.

Pse Italia nuk është në Botëror? –  Është një moment negativ për futbollin dhe analiza duhet bërë e thellë. Kohët e fundit skuadrat kryesore italiane si Juventusi, Interi e Milani kanë gjithnjë e më pak italianë në skuadër dhe nuk ofrojnë më atë bllokun e zakonshëm prej 6-7 lojtarësh për kombëtaren. Te Italia shpesh kemi parë lojtarë të talentuar, por pa eksperiencë ndërkombëtare, pa luajtur në nivele të tilla si Champions League. Mancini ka bërë një punë të shkëlqyer në fakt, ndonëse me eliminatoret e Botërorit nuk i ka ecur, pasi ka pasur edhe fatin kundër. Shpresoj që të vijojë me punën e mirë dhe shumë shpejt të rikthejë Italinë aty ku e ka vendin.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img