Thursday, April 25, 2024

(Intervista) Emocionet e Edi Rejes. Sot, ora 20:45, miqësorja, Shqipëri-Itali: Kundër Italisë sfidoj zemrën time!

Lexo

Edy Reja

“Jam 77 vjeç, por kur të dëgjoj himnin e Mameli-it do të përlotem”. Edy Reja në intervistën e dhënë për “Il Messaggero” nuk fsheh emocionet që do t’i dhurojë dueli me Italinë e tij, të cilën për 90’ do ta ketë kundërshtare. Komisari teknik i Shqipërisë, i rritur nga një familje italiane me lidhje mjaft të forta me Slloveninë (qyteza ku ka lindur, Vipulzano,  i përket shtetit slloven), thotë se për një natë do të jetë kundër “zemrës së tij”.

Reja le ta nisim nga shumë larg, ju s’keni veshur kurrë fanellën e kaltër kur ishit lojtar. Numëroni 123 ndeshje në Serie A me ekipe si Spal-i dhe Palermo…

Të them të drejtën unë atë fanellë e kam veshur më shumë krenari. Ishte e U-23-it, në atë kohë ishte hapi i fundit para se të kalohej në Kombëtaren e madhe. Në 1967 luajta si titullar në Nottingham në një ndeshje mes Anglisë dhe Italisë. Humbëm 1-0 por kujtoj se në atë ekip isha së bashku me Anastasi-n dhe Bob Vieri. Ishin edhe shumë lojtarë të Cagliari-t dhe Fiorentina-s, ekipe që në ato vite kishin fituar titullin kampion.

Ëndrra juaj mbaroi në City Ground të Nottingham-it…

Pësova një dëmtim në gju. Dëmtova meniskun dhe ligamentet. Në atë kohë një problem i tillë nuk kalohej kollaj. Për mua ishte një goditje e rëndë pasi ai dëmtim më largoi nga Milani i Nereo Rocco-s. Humba një shans që të vjen një herë në jetë.

Pas këtij episodi keni luajtur edhe për dhjetë vite. Keni qenë pjesë e skuadrave si Alessandria dhe Benevento përpara se të nisnit karrierën si trajner.

I përkas Botës së futbollit. Prandaj vazhdoj edhe sot e kësaj dite. Entuziazmi nuk më mungon kurrë, ai është karburanti im.

Trajneri është një punë që e keni bërë mirë pasi ju kanë afruar plot 23 skuadra vendase dhe të huaja. Mes tyre ndodhet dhe një përfaqësuese.

Nesë nuk ke rezultat atëherë askush nuk të dhuron një kontratë. Për këtë motiv jam krenar për karrierën time. Kam stërvitur kudo, nga Serie D në atë A, nga Hajduk në Kroaci deri tani në Shqipëri dhe kam patur presidentë kërkues si De Laurentiis dhe Claudio Lotitto.

Me fjalë të tjera nuk i frikësoheni zërave që flasin për Gigi Di Biagio-n si pasuesin tuaj te Shqipëria. Çfarë projekti do t’i propozoni Dukës?

Do ta pyes thejsht çfarë do të bëjë në vazhdim. Ai është një njeri i futbollit përveç se një sipërmarrës i suksesshëm. Ka një pozicion dhe në UEFA. Ai di gjithçka dhe njeh dhe pasionin tim. Në disa aspekte më kujton Percassi-n, presidentin e Atalanta-s. I cili ka ecur në rrugën e biznesit por që në rini ka qenë edhe futbollist.

E ardhmja e futbollit në Shqipëri?  

Projekti shqiptar është në shina. Dy miqësoret e fundit që kemi luajtur në Abu Dhabi kundër Arabisë Saudite dhe në Marbella kundër Katarit kemi arritur respektivisht një barazim 1-1 dhe një humbje 1-0. Në këto dy takime kemi afruar lojtarë të kampionatit shqiptar, të cilët ende nuk kanë intensitetin dhe “djallëzinë” e duhur për ndeshjet ndërkombëtare.

Shqipëria për shumë pak nuk arriti kualifikimin historik në play-off për Botërorin e Katarit.

Mos ma kujtoni atë gol që pësuam në minutat e fundit në takimin kundër Polonisë. Mund të ishim ne sot në vend të atyre në Katar. Për pak sa nuk arritëm të bënim diçka të madhe në një grup të fituar nga Anglia ku kemi lënë pas ekipe si Hungaria. Ju e patë sa vlen kjo e fundit me paraqitjen e bërë në Nations League. Prandaj them që gjithçka është në shina na duhet të vazhdojmë të punojmë.

Një vështirësi më shumë për ju në këtë rrugëtim mund të konsiderohet dhe fakti se ju duhet të bëni xhiron e Europës për të ndjekur lojtarët e shumtë që luajnë jashtë…

Së fundmi kam qenë me fat pasi shumë prej tyre luajnë në Itali. Berisha, Ismajli, Hysaj, Kumbulla dhe Bajrami janë disa emra. Në këtë aspket them se  problemi i madh i Kombëtares qëndron tek koha e pakët që kemi për të kolauduar lojën tonë. Për këtë motiv them se duhet punuar mbi një grup të konsoliduar lojtarësh, i cili duhet pasuruar herë pas here  më elementë të ndryshëm.

Mancini u penalizuar jo pak se i besoi shumë grupit të konsoliduar në Europian.

Herë pas herë ne trajnerët jemi dhe mirënjohës. Edhe mua më ka ndodhur. Ai ndërtoi një grup të madh në Europianin e fituar në Angli. Në mos gaboj të njëjtin gabim bëri edhe Lippi.

Morali i fabulës është se tani po nis një Botëror pa Italinë. Çfarë mendimi keni?

Është një diskutim i gjatë. Në këtë aspekt them se ka ndikuar shumë edhe numri i lojtarëve të huaj në Serie A. Për këtë argument mendoj se është thënë shumë kam dëgjuar disa që pohojnë se Mancini nuk kupton asgjë nga futboolli. Kjo është e tepërt. Më lini të them se i tepërt është zhvillimi i një Botërori në Katar në dimër. Ky është një skandal.

Mendoni dhe ju se luhen shumë ndeshje?

Po, duhen riparë kalendarët. Mekanizmi i kualifikueseve duhet rishikuar. Gjithsesi kjo nuk është puna ime, për këtë janë drejtuesit e federatave të ndryshme. Unë shikoj se ka shumë dëmtime.

Mbase Uefa dhe Fifa po tërhiqen më shumë nga spektakli…

Nuk e di. Kam vënë re se pas pandemisë publiku është shtuar dhe është më entuziast. Shikoni ndeshjen Shqipëri-Itali, janë mbaruar të gjitha biletat.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img