Friday, April 19, 2024

Pragndeshja Vllaznia-Partizani, tekniku Brdariç vlerëson kundërshtarin, por ka besim tek fitorja

Lexo

Për njëshin e pankikës kuqeblu, gjermano-kroatin Tomas Brdariç, sfida që do të luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës për llogari të javës së 26-të të Superligës së futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Partizanit është mjaft e rëndësishme. Madje, tekniku kuqeblu e quan ndeshje të madhe, pasi përballë ka një skuadër me emër dhe pretendentë për trofe. Gjatë konferencës për shtyp të dhënë në sallën e konferencave të stadiumit “Loro Boriçi” një ditë përpara ndeshjes, Brdariç bëri një panoramë të përgjithshme për kampionatin, gjendjes e skuadrës së tij, mungesat e titullarëve, rikthimin e brazilianit Da Silva, shortin e gjysëmfinaleve të Kupës së Shqipërisë dhe proçesin e Liçensimit të Vllaznisë në Kupat e Europës.

“Ne punojmë çdo herë me qëllim dhe duam të përballemi nesër me Partizanin se është ndeshje e madhe dhe jemi të përqendruar këtë javë se të kaluarën nuk kishim ndeshje. Këtë javë kemi punuar shumë mirë dhe nesër është një ndeshje kërkuese. Ishte një rrugëtim i gjatë se kampionati nisi me vonesë, ishte përgatitje e gjatë dhe ishte shumë e vështirë që të nisnim këtë aktivitet. Por kemi bërë një turne të mirë deri në fazën e tretë dhe në të patëm disa vështirësi, por e kaluam dhe u kthyem të fortë pas këtyre ndeshjeve ku nuk treguam rezultate të mira, u përmirësuam dhe tani jemi kthyer.

Ne jemi një skuadër e re, jemi konkurrues këtë vit, është proces që të çosh të gjithë lojtarët në nivele të larta. Për mua nuk ka rëndësi kush luan në formacionin titullar, të gjithë duhet të tregojnë që e duan vendin. Normalisht që disa humbasin ndeshje për shkak kartonësh e dëmtimesh. Fatmirësisht nuk kemi pasur shumë dëmtime, nesër është një ndeshje në procesin tonë dhe do të hedhim në fushë 11 lojtarë që janë të motivuar. Do të jetë Kruja në vend të Gurishtës dhe jam i sigurt se do të luajë e do ta zëvendësojë shumë mirë. Imami u kthye shumë shpejt në fushë dhe ai është përsëri i dëmtuar sepse nuk ishte në 100% e tij kur u kthye dhe është mëkat se ndjejmë mungesën e tij. Mendoj se ka nevojë për pak më shumë kohë të kthehet por do e rikuperojmë mungesën me lojtarë të tjerë, ai nuk do të luajë nesër. Për mua nuk është i rëndësishëm bilanci ndaj Partizanit. Për mua është një ekip në majë të kampionatit dhe duhet ta marrim seriozisht. Duhet të japim maksimumin që të fitojmë se është një skuadër me shumë eksperiencë, ka trajnerin me shumë eksperiencë dhe lojtarë që në të kaluarën kanë arritur rezultate. Kanë stil të mirë kompakt loje dhe duhet të tregojmë një paraqitje të mirë dhe që jemi në gjendje të fitojmë. Rikthimi i Da Silvës është pozitiv, ai është një lojtar shumë i mirë, ka ndihmuar ekipin. Por ndoshta është herët për të, ka lojtarë të tjerë që janë më të gatshëm se ai, do të vendosim nesër se çfarë do të bëjmë.

Sa i përket shortit të Kupës, fillimisht është pozitive që luajmë në shtëpi, nuk udhëtojmë në një stadium tjetër. Do të përballemi me Laçin se është katërshja e fundit dhe çdo ekip është i aftë të fitojë këtë turne pasi kanë arritur në këtë pikë me rezultate të mira. Por fokusi është Partizani dhe pas tij do të kemi fokusin te Laçi.

Ndërsa për liçensimin mendoj se ne duhet ta kemi mendjen te performanca në fushë, çdo gjë që ndodh jashtë, secili duhet të bëjë punën e vet. Di që Albani e Voltana po bëjnë gjithçka, e po shkojmë në këtë situatë që mund të luajmë dhe është pozitive e më pëlqen, se është e rëndësishme për të gjithë shkodranët e tifozët e Vllaznisë dhe është lajm i mirë. Nuk është ende 100%, por jemi në drejtim të mirë.”, ka përfunduar trajneri kuqeblu, Tomas Brdariç gjatë konferencës për shtyp të dhënë në pragndeshjen, Vllaznia-Partizani.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img