Saturday, April 20, 2024

Pragndeshjet me Moldavinë & Ishujve Faroe për ‘EURO 2024’, trajneri i kombëtares Silvinjo kërkon lojë të bukur dhe 6 pikë të plota

Lexo

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Junior, doli këtë të hënë në një konferencë për media në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku ka folur për listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, si edhe për objektivat e kuqezinjve për këto dy sfida, që janë gjashtë pikët.

Tekniku brazilian, i cili debutoi në pankinën kuqezi më 27 mars kundër Polonisë, foli për 26 zgjedhjet e tij, ndërsa komentoi edhe mungesën e Klaus Gjasulës për dy sfidat e rëndësishme. Ndërsa iu përgjigj interesit të gazetarëve, trajneri Sylvinho foli edhe për dy rikthimet në kampin kuqezi, Muçi e Sadiku. lojën që pritet të zhvillojë Kombëtarja ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, situatën me dy portierët, Strakosha e Berisha si edhe foli për debutimin në ‘Air Albania’ kundër ekipit moldav më 17 qershor.

Si është gjendja e skuadrës dhe lojtarëve në këtë grumbullim? – Është një moment paksa delikat. Siç e thatë edhe ju, është fundi i sezonit. Lojtarët mund të jenë pak të ngarkuar, por kjo është pjesë e punës. Ne kemi folur gjatë kësaj kohe me të gjithë lojtarët, kemi takuar shumë prej tyre dhe është një situatë që duhet menaxhuar sa më mirë. Duhet menaxhuar volumi i punës dhe intensiteti, në mënyrë që lojtari të jetë 100% kur të zbresë në fushën e lojës. Për këtë arsye ne kemi zgjedhur 26 lojtarë dhe duhet thjesht një menaxhim i mirë.

A është Shqipëria më lart se Moldavia dhe Ishujt Faroe? – I njohim më mirë lojtarët. Ka qenë një periudhë jo e lehtë pune, prej dy muajsh. Ndeshja kundër Polonisë ishte teke dhe me kalimin e ditëve arritëm t’i njohim lojtarët më mirë. Tani jemi në një situatë ndryshe, kemi dy ndeshje të ndryshme dhe pas kaq ditësh pune me stafin, mund të them që jam i kënaqur me listën që kemi përpiluar që ishte me 27 lojtarë, por tashmë për shkak të mungesës së Gjasulës kemi 26 lojtarë. Jam i kënaqur që kemi një grup të ri dhe më pëlqen kjo gjë. Kemi një përzierje lojtarësh të rinj dhe me eksperiencë, si edhe 2-3 elementë të tjerë që mendoj se do të na ndihmojnë në këto dy ndeshje. Tani e njoh më mirë skuadrën, krahasuar me periudhën kur kishim ndeshjen e parë kundër Polonisë.

A kemi mundësi t’i fitojmë këto dy ndeshje? – I kemi të gjitha mundësitë për të marrë fitore në këto dy ndeshje. Përveç lojës së bukur, duam edhe 6 pikët. Por, fusha do të na tregojë se sa do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Sigurisht rezultatin nuk mund ta kontrollojmë, por ne kemi një rrugë të gjatë përpara, me 7 finale. Që të gjitha ndeshje që janë për t’u fituar. Është e rëndësishme që të bëjmë lojë të mirë dhe të marrim pikë. Kam në mendje vetëm ndeshjen me Moldavinë dhe më pas do të mendojmë për ndeshjet e tjera. Duhet të marrim sa më shumë pikë. Dëshira është e madhe për të shkuar në finalet e EURO 2024. Kemi një ekip të mirë dhe jam i bindur që më 17 qershor, kur unë të bëj debutimin tim në Shqipëri përballëve tifozëve tanë, ata do të na mbështesin që ne të marrim tre pikët nga kjo ndeshje e radhës.

A do të luajmë në sulm kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, duke qenë se janë grumbulluar edhe Muçi e Sadiku?- Kemi një grumbullim ndryshe këtë herë, ndryshe nga Polonia. Do t’i përshtatemi kundërshtarit. Muçi vjen në një formë shumë të mirë në grumbullim, është një sulmues që luan shumë mirë mes linjave, në hapësirë, pasime filtruese. E meriton që të jetë këtu me ne dhe të ndihmojë skuadrën. E njëjta gjë për Sadikun, kam folur me të edhe më herët, përpara grumbullimit të parë. E njeh shumë mirë zonën dhe golin dhe mund të na ndihmojë në këto dy ndeshje dhe prandaj e kemi thirrur. Është e rëndësishme të bëjmë lojë të bukur, por ne luajmë për tre pikët. U kam thënë edhe lojtarëve, ndeshja nuk fitohet nga një çast apo moment, por fitohet nga ajo që ti ndërton gjatë 90 minutave. Jam i kënaqur me këtë listë që kemi aktualisht. Duhet të fitojmë me Moldavinë dhe më pas të mendojmë ndeshjet e tjera. Ju e dini situatën në grup. Por unë jam i bindur, për lojën që mund të bëjmë, ekipin dhe lojtarët që do të zbresin në fushë janë ata që do të jenë në 100% të mundësive të tyre. Duhet të bëjmë një ndeshje sa më të mirë në sy të tifozëve tanë.

Odise Roshi, pse nuk është pjesë e listës? – Roshi është një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren. Nuk është në këto dy ndeshje, por kjo nuk do të thotë që në shtator nuk do të jetë me ne. E kam takuar përpara disa kohësh, kam folur me të. Është një lojtar shumë i aftë në krahun e djathtë, por në këtë moment kemi edhe lojtarë të tjerë që mund të luajnë në atë rol dhe kam menduar t’u jap mundësinë lojtarëve të tjerë. Roshi është një lojtar në monitorim, ashtu sikurse edhe shumë lojtarë të tjerë që kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares.

A e ka trajneri një zgjidhje që Shqipëria të luajë lojë më të hapur? – Për të arritur kualifikimin kemi përpara 7 ndeshje dhe ju them edhe lojtarëve që nuk ka ekipe të vogla përballë. Të gjithë lojtarët janë njësoj. Gjithçka do të varet nga ne. Ne do të luajmë me 100% të mundësive tona ndaj çdo rivali, nuk ka rëndësi se cili është dhe ku luhet ndeshja. Duhet të jemi në 100% të kapaciteteve tona në çdo ndeshje. Është puna e trajnerit që të mobilizojë sa më shumë lojtarët. Luajmë kundër Moldavisë që nuk ka pësuar humbje, ka një ekip të mirë, me emra të rëndësishëm në organikë. Jam i bindur që edhe ata mendojnë që ne nuk jemi një skuadër e vogël. E shoh një ndeshje të vështirë, duhet të luftojmë deri në fund. Nuk kemi sfida të lehta. Duhet të gjejmë hapësira që të çajmë mbrojtjen dhe të shënojmë. Duhet të bëjmë edhe ndonjë ndryshim në lojë për shkak të mungesës së Gjasulës.

Do të zëvendësohet Gjasula? – Nuk do të ketë ndryshime në listë. Pas largimit të Gjasulës së dëmtuar, nuk do të bëjmë asnjë ndryshim. Për këtë arsye kishim thirrur 27 lojtarë dhe bëmë një listë të madhe. Është një moment i vështirë sepse disa lojtarë vijnë nga pushimet ose pas një sezoni të gjatë. Dua të jap një mesazh për Kumbullën, i cili pësoi dëmtimin me Romën. Në ndeshjen kundër Polonisë bëri një paraqitje të mirë dhe do na mungojë një lojtar si ai. Uroj që të rikuperohet sa më shpejt dhe të rikthehet në fushën e lojës.

Ndryshimi i lojës – Kjo është puna e një trajneri, është e drejtë pyetja për kohën, do të punojmë për disa ditë bashkë. Është një moment delikat, qershori nuk është i lehtë, por nuk është problem. Duhet të vazhdojmë punën, kemi lojtarë të rëndësishëm, të fortë dhe mendoj se koha në dispozicion nuk është një problem. Mund të bëjmë ndonjë ndryshim, por më shumë se sa një ekip mbrojtës apo një ekip sulmues, e rëndësishme në futboll është ekuilibri i skuadrës. Nëse ti shënon tre gola, por ke pësuar 4, atëherë e ke humbur ndeshjen. Është e rëndësishme të shënosh tre gola, por të mos pësosh asnjë. Ky është futbolli, ekuilibër, më shumë se një skuadër ofensive apo defensive. Mendoj se i kemi lojtarët e duhur dhe me eksperiencë për të ndërtuar një skuadër të fortë në aspektin mbrojtës, por edhe në aspektin sulmues. Unë mendoj se kemi kohën e duhur për të bërë ndryshimet që nevojiten.

Të dënuar për të fituar? – Të dënuar jo, është një fjalë e fortë, por jemi të detyruar patjetër. Duhet të marrim pikët tona në këtë rrugëtim, nëse bëjmë lojë të mirë, por nuk marrim pikat që na duhen, kjo nuk ka vlerë. Unë e kuptoj që ju mund të bëni llogaritë tuaja për pikët, nga shtatori në nëntor ne duhet të marrim pikët e nevojshme, luajmë në shtëpi dhe kemi mundësitë dhe duhet të fitojmë ndeshjet në shtëpi. Por luajmë ndaj një skuadre që ka të njëjtat synime. Në terma afatgjatë, nëse ne fitojmë dy ndeshjet tani dhe humbasim ndeshjet e tjera, jemi jashtë. Rruga është pak e gjatë deri në fund, jam dakord që duhet të marrim sa më shumë pikë dhe për këtë synim punojmë dhe punojmë fortë madje. Por është e vështirë të thuash 4, 6, 3 pikë, pasi nuk i dihet kurrë. Dëshira jonë është që të fitojmë të dyja ndeshjet dhe të marrim 6 pikët, por edhe kundërshtarët tanë kanë të njëjtat synime. Nuk e di nëse e keni parë javën e fundit të Bundesligës, ishte një çmenduri. Po shikoja disa ndeshje njëkohësisht dhe ajo që ndodhi është e vështirë për t’u shpjeguar. Ti mendon se në letër ndeshja është kështu, por në fushë është diçka krejt tjetër. Ne duhet të punojmë shumë me lojtarët tanë, ata që zbresin në fushën e lojës duhet të japin 100%, shto edhe faktin që luhet para tifozëve tanë rriten shanset për të fituar ndeshjen. Ndeshja fitohet në fushë, nuk fitohet jashtë. Punojmë shumë për atë 90-minutësh dhe jam i bindur se takimet që kemi bërë me lojtarët nëpër Europë te klubet apo edhe vendimi për të jetuar këtu, ka qenë gjëja e duhur. Këtu kupton atmosferën që ke përreth dhe pastaj ua transmeton lojtarëve. Jemi të bindur se na duhen pikët, e nisim me Moldavinë, ndeshje e vështirë, por mendoj se i kemi shanset të fitojmë nëse bëjmë gjithçka mirë.

Situata me dy portierët, Strakosha dhe Berisha – Situata e dy portierëve, Strakoshës dhe Berishës, është thuajse e njëjtë për aktivizimin që ata kanë pasur. Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për Kombëtaren faktikisht, qoftë në fushën e lojës qoftë jashtë saj. Ata kanë eksperiencë shumë të madhe. Kur të nisë grumbullimi dhe kur ata të jenë këtu duke u stërvitur me skuadrën, atëherë fusha do të na tregojë se në çfarë situate, pra forme fizike apo psikologjike do të jenë. Atëherë do të shohim se kush do të luajë. Situata është pothuasje e njëjtë për të dy. Strakosha vjen nga një dëmtim i pësuar pak kohë më parë dhe unë kam folur edhe me doktorin e stafin mjekësor. Më kanë siguruar që ai nuk ka probleme, është rikthyer në klub dhe është stërvitur normalisht me skuadën atje. Ka qenë me Brentford ndeshjen e fundit. Jam i kënaqur që i kemi të dy me ne, mund të na ndihmojnë shumë. Do i shohim në çfarë gjendje janë gjatë këtyre 10 ditëve. Kemi edhe Kastratin, që ka bërë një sezon të mirë, si dhe Simon Simonin. Është një portier i ri, flitet shumë mirë për të. E kam ndjekur dhe është lojtar shumë interesant, po ashtu si Adrian Bajrami dhe Mario Mitaj që janë lojtarë të rinj me të cilët kemi nevojë të përgatitim të ardhmen. Edhe ata marrin eksperiencë me kombëtaren dhe japin për ekipin. Unë i kam dobësi lojtarët e rinj dhe përpiqem t’i ndihmoj.

A do ishit dakord të fitonit me një lojë jo të bukur? – Për mua është “OK” nëse bëjmë lojë të mirë dhe marrim tre pikët. Ne këtë synojmë, këtë duam, për këtë punojmë. Gjithsesi futbolli është i çuditshëm. Ne do të punojmë shumë për të pasur një skuadër që zbret në fushën e lojës me zemër, me shpirt dhe dëshirë të madhe për të marrë tre pikët, por edhe me një lojë të bukur.

Mungesa e lojtarëve nga kampionati ‘Abissnet Superiore’ – Ne përgatisim listën duke pasur parasysh lojtarët që janë më në formë dhe për dy ndeshjet specifike me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Për mua dhe stafin tim nuk ka rëndësi se ku luan një lojtar, në Shqipëri, Poloni apo Brazil. Nuk ka aspak rëndësi fare, ne duam gjithmonë më të mirën për Kombëtaren, për skuadrën, për Federatën. Më i rëndësishmi është ekulibri i një ekipi.

Presion në ndeshjen kundër Moldavisë sepse luani në stadiumin ‘Air Albania’ me tifozë shqiptarë? – Është një ndjesi shumë e bukur që ta luaj këtë ndeshje dhe mezi pres që ajo të vijë. Nuk e shoh si presion faktin që luaj ndeshjen e parë si trajner para tifozëve shqiptarë. Siç e dini, unë jetoj në Tiranë, dhe çdo mëngjes sa herë kaloj te stadiumi, sa herë e shoh atë stadium të bukur, mezi pres që të vijë ndeshja dhe të kem mundësi të futem në fushë dhe të shijoj ndeshjen bashkë me ekipin të japim maksimumin përballë tifozëve shqiptarë. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje shumë të bukur.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img