Saturday, July 27, 2024

Prandeshja, Vllaznia-Kukësi. Çështja “Hakaj”, shqetëson kampin kuqeblu. Opinionet e të ftuarve, Kujtim Shaba, Mhill Shkëmbi, Altin Xhahysa në panelin e emisionit Studio Sport-RTSH Shkodra

Lexo

Vllaznia luan të shtunën ndeshjen e parë të kampionatit të sezonit të ri futbollistik duke pritur në shtëpi Kukësin. Pikërisht  atmosfera në kampin kuqeblu në prag të fillimit të kampionatit, ishte fokusi kryesor i emisionit Studio Sport, transmetuar mbrëmjen e së mërkurës në ekranin e RTSH Shkodra drejtuar nga gazetari sportiv, Gaspër Marku.

Mes të tjerave, ajo që konsiderohet shqetësuese në kampin kuqeblu është çështja Hakaj, ku kapiteni kuqeblu, ndër lojtarët kryesor të formacionit kuqeblu, nuk pritet të jetë në formacion për ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e Kukësit.

I dëmtuar më herët në një duel gjatë seancës stërvitore me kolegun Dragoshi, Hakaj kaloi një periudhë dëmtimi, pas së cilës ai nuk u pa në fushën e lojës gjatë ndeshjeve miqësore. Periudhë kjo, e cila duket se nuk ka shkuar fort mirë në raportet e tij me stafin teknik, i cili ndërsa Hakaj deklaronte se e ka kaluar dëmtimin, madje duke qënë i gatshëm të ishte në fushë që në miqësoren me Tiranën, nga sa shikohet nuk e ka në planet e aktivizimit as në ndeshjen e parë zyrtare me Kukësi, ndeshje kjo që luhet këtë të shtunë në “Loro Boriçi”.

Situata në fjalë është komentuar në emisionin Studio Sport-RTSH Shkodra, ku të ftuarit në panel: Kujtim Shaba, ish futbollist dhe ish drejtues i KF Vllaznia për 8 vite, Mhill Shkëmbi, specialist gjykimi dhe vëzhgues i FSHF, si dhe Altin Xhahysa, ish futbollist, aktualisht trajner i Tërbinit të Pukës, mes të tjerave, dhanë këto opinione:

Kujtim Shaba(Ish futbollist dhe ish drejtues i KF Vllaznia):

“Ka dy gjana këtu, nëse Hakaj ka kenë i gatshëm të luante edhe në miqësoren me Tiranën si dhe me Dinamon në vazhdim, dhe është i gatshëm të luajë 90-të minuta edhe për ndeshjen e radhës me Kukësin, është një pikpyetje shumë e madhe. Hakaj, ose do të marrin gjobë nëse ka thy rregulloren(në fakt, unë nuk di se ka bërë ndonjë gjë, po them kot, sepse aludoj), ose duhet të luajë në formacion. Hakaj, nga kapiten nuk është as në formacion, kjo duhet shikuar seriozisht. Hakaj, për mendimin tim, është një lojtar i padiskutueshëm, është në tre-katër lojtarët që tek Vllaznia janë lidera të skuadrës”.

Mhill Shkëmbi(Ish arbitër futbolli-vëzhgues i FSHF-së):

“Mosqënia në formacion e Hakajt, nëse ai është i gatshëm në 100 për qindëshin e tij për lojë, e dëmton Vllazninë, nuk bëhet fjalë për atë punë. Tamam, me të drejtë theksoi edhe Shaba, që edhe kapiten, edhe në formën e duhur, dhe të mos jetë në fushën e lojës, nuk është normale. Një gjë të tillë mendoj se duhet ta kenë marrë në analizë edhe drejtuesit, nëse ka thy disiplinën, apo diçka tjetër dhe duan ta kalojnë në këtë mënyrë, është e drejta e tyre.”

Altin Xhahysa(Ish futbollist-Trajner i Tërbunit):

“Stafi, duhet të merret shumë tek kjo pjesë, duke ditë se është një lojtar i vjetër, lojtar i pjekur. Problemet, që ka klubi, e mira është të zgjidhen brenda përbrenda, pa daljen e tyre në publik. Normalisht, që është një trajner, është një zëvendës, një drejtor, pra duhet të jenë shumë të kujdesshëm tek kjo pjesë. Çdo ekip ka probleme, as që diskutohet, por një situatë e tillë në fillim të sezonit, për mendimim tim nuk është gjë e mirë, nuk i shërben skuadrës.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img