Saturday, July 27, 2024

Presidenti i KF Shkumbinit ” shkrin ” ekipin pas disfatës në fazën e Play off

Lexo

Dy ditë pasi “KF Shkumbini ” shpërdoroi shansin në fazën e Play off për të finalizuar  ngjitjen në Kategorinë e Parë, ka reaguar Presidenti Ali Kasa. Humbjen e ekipit të financuar prej tij, Presidenti Kasa dhe komuniteti i Bashkisë Peqin e  kanë  përjetuar jashtëzakonisht keq. Presidenti Kasa është trishtuar së tepërmi dhe  shprehet se ndjen dhimbje të madhe në shpirt nga zhgënjimi që i la performanca e dobët e “KF Shkumbinit ” në Play off.

“Investuam gjithçka duhet për ekipin dhe stafin gjatë këtij edicioni futbollistik. Futbollistëve dhe stafit u krijuam kushte të shkëlqyera ekonomiko-financiare. Madje grumbullimet e ekipit para çdo ndeshje u kthyen në traditë dhe rezultatet pozitive janë shoqëruar me premio. Ishim plotësisht të bindur se do ngjiteshim një kategori më lart dhe për t’i motivuar edhe më shumë futbollistët dhe stafin për arritjen e suksesit në fazën e Play off vunë në dispozicion një Çek me vlerë 50 mijë euro. Por  as kjo nuk pati efektin e pritshëm pozitiv. Në Play off, fatkeqësisht jo të gjithë lojtarët kanë bindur  me lojën e tyre. Madje sipas Presidentit Ali Kasa të paktë tre mbrojtës dhe dy lojtarë të reparteve të tjerë në ndeshjen e fundit me KF Luftëtari nuk kanë respektuar aspak detyrat e ngarkuara nga trajneri i cili me shumë takt dhe zgjuarsi është përpjekur ti rikthejë në rolet e tyre në lojë. Por ata i kanë injoruar përpjekjet e stafit teknik për të kryer detyrat e ngarkuara. Kjo situatë ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë dhe pavarësisht zëvendësimeve fitorja e kundështarit ishte me rezultat të pabesueshëm edhe për vetë KF Luftëtari.”, thotë për Veriu Sport, presidenti i KF Shkumbini, Ali Kasa.

Më tej, njëshi i klubit peqinas, vijon: “Performanca e dobët dhe mos zbatimi i detyrave të ngarkuara  nga stafi teknik në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” prej shumicës së futbollistëve të “KF Shkumbinit” është ngjarja më e hidhur dhe më skandaloze që kam përjetur si financues i këtij klubi futbolli. Finishi i garës qe fatal. Kjo dyshoj se ndodhi në mos gabofsha për shkak të disa pazarxhinjve në rradhët e ekipit. Këtë dyshim e përforcojnë deklarimet e trajnerit Stavri Nica i cili ka përjetuar momente të vështira drejtimi në pankinë gjatë ndeshjes ndaj KF Luftëtarit kur sipas tij disa futbollistë nuk i bindeshin orientimeve të tij. Madje disa futbollistë kanë provokuar edhe incidente me kolegët e ekipit të tyre gjatë pjesës së dytë duke i krijuar kushte tepër favorizuese kundërshtarit dhe fundi ishte ai që askush nga ne nuk e imagjinonte . KF Shkumbini u mund thellë 0-3 për mungesë impenjimi të disa futbollistëve, loja e të cilëve u lexua qartë  nga të gjithë dhe që i kushtoi shtrenjtë para së gjithash qytetit të Peqinit dhe KF Shkumbinit. Në një situatë të tillë të krijuar për shkak të disa “pazarxhinjve” në rradhët e ekipit pas konsultimeve të shumta me stafin vendosa ta “shkrij ” të gjithë ekipin.  Më vjen keq që për shkak të tre, katër apo maksimumi pesë futbollistëve të “shkrijmë” një ekip por ky ishte sygjerim i stafit teknik, i specialistëve të shquar të futbollit, i bashkëpunëtorëve të mi dhe i miqve që duan që futbollit në qytetin e Peqinit ti rikthehet shkëlqimi i dikurshëm. E kam marrë me shumë seriozitet e dëshirë fuqizimin e KF Shkumbinit dhe do e mbështes realisht fuqishëm financiarisht. Kemi hedhur hapat e para dhe kemi fituar eksperiencë të mjaftueshme për të bërë më të mirën. Dështimin nuk e kishim menduar kurrë në hapat e para të kësaj sipërmarrje, por ai do na vlejë shumë për të ardhmen. Është eksperiencë e hidhur por gjithsesi ne kemi plot arritje për të cilat kemi arësye të krenohemi. Së pari ringjallën shpresën se KF Shkumbini jo vetëm që mbijetoi kur askush nuk besonte më, por së shpejti ky klub futbolli do kthehet në një model për të gjithë. Së shpejti do ketë një kompleks sportiv modern stërvitje, më pas vijnë suprizat e tjera. Jam i bindur se shumë shpejt para Festimeve kushtuar 100 vjetorit të KF Shkumbinit nga Peqini do kemi vetëm lajme pozitive. Kjo që ndodhi është ajo që nuk dua as ta kujtoj e as ta komentoj më kurrë. Tani na mbetet të shohim nga e ardhmja dhe të fillojmë sa më shpejt nga puna serioze me njerëz dinjitozë që duhet të punojnë e sakrifikojnë në maksimum për ti realizuar objektivat e përcaktuara sipas detyrimeve kontraktuale.”, u shreh Presidenti i KF Shkumbinit, Ali Kasa.

Fatmir POPJA

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img