Saturday, May 4, 2024

Presidenti Pëllumbi: Niveli i volejbollit të femrave po rritet. Vllaznia-Tirana dhuroi shumë emocione, pikë më pikë, siç i ka hije edhe Shkodrës në volejboll.

Lexo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi i kishte zgjedhur këtë fundjavë qytetin e Shkodrës për të ndjekur nga afër një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit të Superligës së femrave, atë Vllaznia-Tirana. Nën shoqërinë e Presidentit të Vllaznisë në volejboll femra, Florian Zekja, nga tribuna VIP ku ishte vendosur, ai shijoi me të vertetë një ndeshje plot ritëm, luftë të fortë sportive dhe cilësi, çka ia shtoi së tepërmi emocionet kësaj sfide.

Duke folur për mediat pas ndeshjes, presidenti Pëllumbi shprehu kënaqësinë që cilësia e volejbollit të femrave po rritet, dhe këtë tregoi më së miri edhe përballja, Vllaznia-Tirana.

“Kampionati i femrave sa po vjen dhe po bëhet edhe më i fortë, për të vazhduar me takimet eleminatore të Kupës dhe fazën e dytë, që do të finalizohet edhe me Play-Offin. Ky nivel që po shofim nga ndeshja në ndeshje na jep shumë optimizëm për të ardhmen, sepse ashtu si edhe ju po e transmetoni po na fal shumë emocione. Sidomos emocionet në qytetin e Shkodrës janë shumë të mëdha. Pamvarësisht se ndeshja doli me rezultat 3-0, por ndeshja ishte me shumë emocione, pikë më pikë, siç i ka hije edhe Shkodrës në volejboll.”, tha presidenti Pëllumbi.

I pyetur për pjesëmarrjen e dy ekipeve të kampionatit shqiptar, Vllaznia dhe Tirana, në Kupën Pavarësia që zhvillohet nga 26-28 në Prishtinë, presidenti Pëllumbi tha:

“Kemi marrë disi nisma këtë vitë, jo vetem Kupa Pavarësia, por edhe në nivel klubesh. Në vivel ekipesh kombëtare e patëm zhvilluar, por ajo që është më e rëndësishme që edhe klubet duhet të përfaqësohen për mbarë kombin, ndaj e kemi marrë këtë nismë, por në fillim të vitit tjetër do të fillojë edhe Liga “Gjergj Kastrioti” me katër ekipe shqiptare dhe katër ekipe të Kosovës, për të parë më tej se ku do të arrijmë.”

Ndërsa, i pyetur për pjesëmarrjen e volejbollisteve të huaja në kampionatin shqiptar, kreu i Federatës Shqiptare të Volejbollit, dha këtë përgjigje: “Ajo që vlen për t’u përmendur është se ne sot, në volejbollin e femrave kemi një masivitet shumë të madh, sidomos këto vitet e fundit. Por, e rëndësishme është se përpos masivitetit, duhet që edhe të ngrejmë cilësinë e sportisteve. Ardhja e lojtareve të huaja, do të thoja se duke ndërthurur kulturat e vendeve të ndryshme, edhe neve duhet të mësojmë nga kulturat e tyre. Volejbolli shqiptar ka qënë në lartësi gjithmonë, jo në lartësi siç jemi mësuar ne ta shohim, por sportist nuk bëhesh vetëm për një ditë, ndaj duhet të durojmë dhe të presim derisa gjërat të jenë në vendin e tyre.”

Në mbyllje, Pëllumbi, i rikthehet përsëri Shkodrës. “Unë në Shkodër vij gjithmonë me dëshirë, sepse ajo që falin sportdashësit shkodranë është e mahnitshme, sidomos në këto vitet e fundit, ku në Lojrat me Dorë kanë filluar të largohen sportdashësit, por ngritja e nivelit, siç e thashë do t’i afrojë sportdashësit në sallat e lojrave me dorë, gjithmonë cilësia sjellë edhe sportdashësit. Kështu, që, ajo që unë do të falenderoja sot, por jo vetem, është edhe media, të cilat në mënyrë të veçantë i japin një vend të rëndësishëm volejbollit shqiptar.”, theksoi njëshi i FSHV-së, Erli Pëllumbi, ndërsa në lidhje me pretendentët për titull, shtoi se ”është shumë shpejt për të menduar një gjë të tillë, por të gjitha së bashku janë pretendent për titull.”

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img