Tuesday, April 30, 2024

Pritej të firmoste paraditen e së martës me Vllazninë, por Brdariç fluturon drejt Gjermanisë…?!?

Lexo

Takimi rreth tre orësh i mbrëmjes së hënës mes sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferi dhe sekretarit Blendi Dibra nga njëra anë dhe trajnerit Thomas Brdariç shoqëruar nga menaxheri i tij Uliks Kotrri nga ana tjetër u tha se u mbyll me sukses. Një gjë të tillë e konfirmuan vetë të dy palët, si Xhaferi dhe Brdariç duke sqaruar se kanë mbetur vetem dy pika të papërfillshme për t’u diskutuar paraditen e së martës dhe më pas  për të kaluar direkt tek firma e kontratës, që nga sa u tha nga vetë Xhaferi do të ishte me afat një vjeçar.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. E marta ka sjellë informacione kontradiktore. Jo vetëm që nuk ka ardhur firma mbi kontratë, por palët as që janë takuar fare me njëri tjetrin. Madje, çuditërisht, pikërisht në orën që do të zhvillohej takimi një foto e postuar nga aeroporti gjerman bën me dije se Brdariç se nuk gjendej në Shkodër, por në Gjermani. Burime pranë tij informojnë se krejt pa pritur, Brdariç ka pronotuar rreth orës 04.00 të mëngjesit online biletën e fluturimit për në Gjermani.

Një veprim i tillë nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e klubit shkodran, të cilët ndonëse akoma nuk janë prononcuar zyrtarisht, për to një gjë e tillë nuk duhet të ndodhte në këtë mënyrë. Vetëm një arsye madhore personale apo familjare mund ta kishte detyruar trajnerin të ndërmerrte këtë fluturim të çuditshëm. Mediatikisht qarkullon një version se Brdariç ka udhëtuar drejt Gjermanisë për arsye dokumentacioni, por një gjë e tillë nuk është se ka ndonjë logjikë argumentuese duke lënë vend për dyshime të ndonjë plani tjetër.

Gjithsesi, edhe pse në opinionin sportiv shkodran me të drejtë ka hije dyshuese nga kjo lëvizje e papritur e Brdariçit drejt Gjermanisë, gjithnjë nga informacionet që vijnë rreth trajnerit, thuhet se ai mund të rikthehet përsëri në Shkodër ditën e shtunë duke mundësuar takimin e lënë përgjysëm rreth fatit të firmës së tij edhe për një vit në krye të Vllaznisë.  Deri atëherë duhet pritur, e shtuna nuk është larg, por realisht nuk ka edhe shumë kohë për të humbur pasi skuadra duhet të jetë sa më shpejt gati për fillimin e proçesit stervitor për ndeshjet europiane.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img