Thursday, April 25, 2024

(Prononcimi) E pafalshme, nga 2-0 për Vllazninë, Erzeni barazon në limitin e shtesës me penallti në 2-2. Josa, analizon sfidën, nuk ka pretendime për penalltinë e dhënë në fund

Lexo

Edhe pse kryeson me rezultat të pastër, 2-0, e pafalshme që Vllaznia nuk arrin ta mbajë avantazhin. Kjo, pasi Erzeni e barazon me dy gola shënuar në pesëmbëdhjetë minutat e fundit, ku i dyti erdhi në limitin e  minutave shtesë përmes pikës së bardhë të penalties. Edhe pse pati reagime të shumta nga kuqeblutë e fushës dhe tifozët në tribunat e “Loro Boriçit”, për teknikun e Vllaznisë, Mirel Josa, akordimi i penalltisë ishte një vendim i drejtë nga arbitra Rustja.

“Duhet të kapësh lojën në të gjithë fragmentet e saj. Në pjesën e parë nuk ishim ata që duhej sa i përket mbështetjes tonë në sulm, me futjen e një sulmuesi tjetër patëm më shumë rrjedhshmëri, arritëm të shënonim dy golat dhe kjo ishte edhe problemi. Nuk mund të thuash çështje fati, ishte një tensionim në minutat e fundit, se ndeshja në fund të fundit përfundon e mund të përfundonte edhe 2-1 por aty duhej të ishte një rreshtim më i mirë sidomos për lojtarët që duhet të shkojnë të bëjnë presion te topi kur nxirret nga zona. Problemi ishte që u godit nga lojtari i Erzenit dhe ra në dorën e futbollistit tonë, nuk kemi çfarë të themi. Në fund të ndeshjes një herë e merr rezultatin, një herë e humb atë. Nuk mendoj se është problem fizik, më tepër tensionim në ato momente të lojës se duhet të zgjidhim më mirë problemin, se ndeshja ishte pothuajse në duart tona.

Kur them stabilitet, ka të bëjë me lojtarët që kam pasur jashtë për arsye dëmtimi. Dalëngadalë donim t’i rikuperonim se kanë humbur ritëm loje e hyjnë me një ritëm tjetër, siç mund të themi aktivizimi i Boshnjakut e Jonuzit, i cili për mendimin tim ishte në gjendje të mirë se pauza ishte më e shkurtër. Boshnjaku duhej të ishte pak më lart, por nuk i vë faj se ishte momenti i parë që u aktivizua që pas dëmtimit të gjatë që ka pasur. Por ne stabilizimin e lojës do e tregojmë edhe në ndeshje të tjera se çdo stabilitet vjen me rritjen e gjendjes fizike dhe marrjen e minutave të lojës.

Pretendimet duhet t’ia rrisim ne vetes me nivelin e lojës. Normalisht unë kam thënë që nuk ka ndeshje jashtë e brenda, e vazhdoj t’i qëndroj. Ndeshjen me Erzenin e kishim parashikuar të vështirë sepse kjo skuadër e tregoi nga java në javë rritjen e saj dhe nuk është problemi se luajtëm dhe sot duhej të merrnim tre pikët. Siç u luajt sot, edhe në ndeshje të tjera, problemi është menaxhimi i situatave të veçanta të lojës, se nuk mund të flas as për titull e as për shumë probleme të tjera. Se titulli është diçka që vjen duke marrë tre pikët, por kur sheh atë mund të skuadrës, të dy skuadrat u munduan. Ata ishin më të qartë në pjesën e parë e ne në të dytën, ne duhej të ishim më të qartë në menaxhimin e situatave të lojës. Nuk dua t’i futem arbitrimit i cili sipas meje nuk kishte asnjë problem.

Me Liridonin unë nuk e kam llogaritur dhe nuk e llogaris pa mbaruar kjo fazë e kampionatit tani, sepse fundja e fundit ka bërë një pauzë shumë të gjatë. Ka të bëjë me dëmtimin e tij, sot ai plotëson 8 javë që nga krisja e këmbës me Kukësin, ndaj nuk e llogarisim se duhet të llogarisim edhe gjendjen fizike të tij. Ai fillon stërvitjen të hënën, por ka të tjerë që japin 100% në stërvitje e ndeshje, ndaj jemi munduar ta mbulojmë atë vend deri diku me mënyrën tonë të lojës. Por është normalisht një lojtar i rëndësishëm, do të presim derisa të vijë në gjendjen e duhur fizike”, tha ndër të tjera në prononcimin e dhënë “Oversport”, menjëherë pas ndeshjes, tekniku kuqeblu, Mirel Josa.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img