Thursday, April 25, 2024

Shkodra mirëpret projektin e FSHF-së, “Uniforma Ime”. ZV.Presidenti Arben Dervishaj, garanton mbështetje të gjithanshme për futbollin shkodran të moshave

Lexo

“Uniforma Ime”, projekti i ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit që parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas për çdo fëmije që luan futboll në gjithë vendin, ishte i pranishëm pasditen e së hënës në qytetin e Shkodrës.

Me qindra fëmijë përfaqësues të ekipeve të moshave të Akademisë së Futbollit Vllaznia, si dhe të të gjitha Akademive të Futbollit që janë pjesë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër së bashku me trajnerët dhe prindërit e tyre ishin të pranishëm në mjediset e stadiumit “Reshit Rusi” ku u zhvillua ceremonia e prezantimit të këtij projekti.

Krahas presidentit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Lazër Matija, drejtuesit e Zyrës Rajonale të FSHF-së Shkodër, Hysen Zmijani dhe Klazër Shkëmbi, trajnerit të ekipit kombëtar U-19 Armando Cungu, drejtorit të Akademisë Vllaznia, Alban Hasani, ishin ftuar për të marrë pjesë edhe figura të njohura të futbollit shkodran në vite, mes të cilëve spikatin edhe emrat e Ilir Kepër dhe Agron Likës që kishin ardhur nga Belgjika dhe Gjermania.

Pas një parade me futbollistë, femra dhe meshkuj të ekipeve të moshave, të pranishit i ka përshëndetur  Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj. “Projekti në fjalë është një iniciativë tejet vitale për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, pasi Federata e Futbollit duke nisur që nga ky sezon do të garantojë për të gjithë fëmijët që luajnë futboll nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet pa asnjë pagesë. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.”, tha ndër të tjera zoti Dervishaj.

Në vijim, Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj theksoi për FSHF-në, një nga shtyllat kryesore të strategjisë së lançuar vetëm pak muaj më parë ka qenë zhvillimi i futbollit të fëmijëve. Ashtu siç fëmijët janë e ardhmja e një kombi, dhe futbolli i fëmijëve është e ardhmja e futbollit shqiptarë. Pa këtë futboll fëmijësh ne nuk do të kemi ekipe të rriturish, nuk do të kemi një ekip Kombëtar cilësor. Bazuar në këtë  strategji Federata është fokusuar në tre drejtime, duke nisur nga krijimi i një infrastrukture sa më moderne për zhvillimin e stërvitjes dhe ndeshjeve të fëmijëve, dhe këtë e kemi lançuar më parë me projektin e 100 fushave që do t’i ndërtojmë në bashkëpunim me njësitë e pushtetit lokal brenda një 5-vjeçari.

Sipas Dervishajt, krahas projektit të realizuar më herët, ‘Topi Yt’, që konsiston dhënien e topave pa pagesë për çdo ekip të rriturish e fëmijësh, kemi vijuar me uljen e kostove për zhvillimin e garës nëpërmjet pagesës nga buxheti i FSHF-së të gjithë arbitrave, delegatëve e vëzhguesve dhe tani po lançojmë këtë projekt të ri që quhet ‘Uniforma Ime’.

“Duke filluar muaji shtator asnjë fëmijë që luan futboll në Shqipëri nuk do të ketë nevojë të blejë uniforma, por do të përfitojë falas setin e plotë, duke nisur nga çanta, uniforma e lojës, uniforma e stërvitjes, komplet tutash dhe fëshe stërvitjeje. Të gjitha këto fëmijët do t’i marrin falas pa asnjë shpërblim pasi do të përballohen nga buxheti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Nga ky projekt përfitojnë rreth 15 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë. FSHF ka parashikuar këtë vit 1 milion euro që do të jetë për këtë projekt. Natyrisht që ky buxhet do të vazhdojë të rritet, sepse qëllimi kryesor i Federatës është masivizimi dhe rritja e futbollit amator. Ne kemi synim që të shtojmë numrin e futbollistëve dhe fëmijëve që luajnë futboll, nga 15 mijë në 30 mijë brenda një 10-vjeçari dhe çdo fëmijë që do të kërkojë të luajë futboll, pra do të jetë pjesë e ekipeve, uniformën do ta ketë falas gjithmonë”, tha ndër të tjera, ZV.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe xhonglimet e dy prej talenteve të futbollit të moshave, Zaganjori dhe Krepi, ndërkohë që kanë përshëndetur edhe drejtori i Akademisë së Futbollit Vllaznia Alban Hasani, ish futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares Ilir Kepa, futbollistja e Vllaznisë dhe kapitene e kombëtares kuqeblu, Megi Doçi, Rrok Dodaj, në emër të prindërve të futbollistëve të moshave, të cilët falenderuan FSHF-në për mbështetjen e dhënë në bazën materiale.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img