Wednesday, December 11, 2024

Sot, ora 18.00, Shqipëri-Hungani. I frikshëm bilanci i golave 0-19. Historike, kush nga shqiptarët ia shënon golin e parë hungarezëve, sot në “Elbasan Arena”!

Lexo

“Nuk e di se cili, por unë kam shpresë se të dielen do të jetë një shqiptar që do t’ia shënojë golin e parë Hungarisë, sepse deri më sot Hungaria është i vetmi vend i Europës Jug-Qendrore dhe i Ballkanit, së cilës Shqipëria nuk i ka shënuar asnjë gol. Dhe, për t’ia shënuar golin e parë Hungarisë, që përveç të tjerave do të jetë gol i Kupës së Botës, them se mjaftojnë dy gjëra.”, thotë për panorama Sport, i mirënjohuri i gazetarisë sportive, Besnik Dizdari në specialen e tij përgatitur për pragndeshjen, Shqipëri-Hungari, që luhet sot në “Ebasan Arena” duke filluar nga ora 18.00

E para, të harrojmë humbjen “katastrofale” 1-4 me Poloninë. Dhe e dyta, të jemi të vendosur se nuk durohet më, kur kujtojmë se janë 75 vjet me radhë që Shqipëria nuk i ka shënuar ende asnjë gol Hungarisë! Nuk i ka shënuar as në “premierën” e saj “hungareze”, atë të Budapestit të 20 gushtit 1947 kur ka humbur 0-3. Ndeshje që qe zhvilluar vetëm tri ditë mbas ndeshjes Hungaria – Bullgaria, që t’i merrte mendtë me shifrat 9-0 për hungarezët. E ndeshja e parë Hungari – Shqipëri ishte saktësisht kjo:

KAMPIONATI BALLKANIK HUNGARIA – SHQIPËRIA 3-0
20 gusht 1947, Budapest.
GOLAT: Zsolnai 7’, Egresi 25’, Deak 53’.
HUNGARIA: Grosics, Bologh II, Szucs, Laborcz, Nagymomarosi, Zakarias, Egresi, Hidegkuti, Deak, Zsolnai (Zsengeller 58’), Hegedus. TRAJNER: G.Tibor.
SHQIPËRIA: Poselli, Dibra, Fagu, Spahiu, Shaqiri, Llambi, Parapani, Teliti, Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: L.Brocic.

E Shqipëria nuk i ka shënuar gol Hungarisë as më 23 maj 1948, kur në Tiranë ndodhi Shqipëria – Hungaria 0-0! Ngjarje kjo që na thotë se Hungaria brenda një dite të vetme pra, luante dy ndeshje zyrtare në rang kombëtareje: 2-1 ndaj Çekosllovakisë në Budapest dhe 0-0 me Shqipërinë në Tiranë. Siç kam shkruar me kohë, Shqipëria e Hungaria 0-0 e Tiranës që vinte mbas fitores së bujshme 1-0 në Bukuresht ndaj Rumanisë të djemve të trajnerit Adem Karapici, Shqipëria kishte kulmin e saj, i pambërritur ende deri vetëm para nja pesë vitesh (2016) nga pikëpamja historike. Ndeshja e Tiranës thuhet se luhej para 40.000 shikuesve të ngjeshur njëri përmbi tjetrin, se ndryshe nuk mund të merret me mend, shifër që e japin po kaq të gjitha gazetat e Tiranës, ndërsa arkivi hungarez e jep 35.000. Në tribunë janë edhe udhëheqësi i vendit Enver Hoxha e dr. Omer Nishani si dhe Koçi Xoxe në daljen e tij të fundit në një veprimtari publike, sepse mbas pak do të arrestohej dhe do të vritej. Duke qenë se kjo është ndeshja e vetme moshumbëse e Shqipërisë ndaj Hungarisë, po e rikujtojmë edhe një herë:

SHQIPËRIA – HUNGARIA 0-0
23 maj 1948, Tiranë, st. kombëtar “Qemal Stafa”.
SHQIPËRIA: Poselli, Dibra, Spahiu, Llambi, Fagu, Vathi, Parapani (Z.Gjinali 74’), Kavaja, L.Boriçi, Biçaku, Mirashi. TRAJNER: Adem Karapici.
HUNGARIA: Toth; Kovacs, Kispeter, Konya; Horvath, Zakarias; Illovszky, Kubala, Szilagyi, Keszthelyi, Pinter (Szabo 50’). TRAJNER: Galloëich Tibor (delegon në Tiranë trajnerin Kiraj)
GJYQTAR: Leo Lemesic (Jugosllavi).
SHIKUES: 40.000.

E Shqipëria nuk i ka shënuar gol Hungarisë as më 24 shtator 1950. Ishte dita e “kataklizmit” të futbollit: Hungaria – Shqipëria 12-0! Rekord i pashlyeshëm hungarez kundër Shqipërisë. Dihet, 12-0 edhe ngaqë në ngushticën e Dardaneleve ngjet episodi i paprecedent i arratisjes së dy lojtarëve tejet të rëndësishëm, Bahri Kavaja e Muhamet (Bule) Vathi! Ajo ka qenë ndeshja e gjitha e Ferenc Pushkashit legjendar. Vështrojeni:

HUNGARIA – SHQIPËRIA 12-0
Budapest, 24.09.1950.
GOLAT: 1-0 Puskas 18’, 2-0 Budai 33’, 3-0 Puskas 36’, 4-0 Palotas 39’, 5-0 Kocsis 42’, 6-0 Palotas 50’, 7-0 Budai 52’, 8-0 Kocsis 53’, 9-0 Budai 60’, 10-0 Budai 65’, 11-0 Puskas 81’, 12-0 Puskas 82’.
HUNGARIA: Grosics (Geller 73’) – Kovacs II, Börzsey, Toth III – Kovacs I, Bozsik – Budai, Kocsis, Palotas, Puskas, Babolcsay. TRAJNER: Gusztav Sebes.
SHQIPËRIA: Vogli (Maliqati 53’) – Dibra (R.Laçej 23’), B.Boriçi, Shaqiri – Spahiu, Llambi – Parapani, Gjinali, L.Boriçi, Jareci, Bakalli. TRAJNER: Ludovik Jakova.
GJYQTAR: V.Nemcovky (Çekosllovaki).
SHIKUES: 38.000.

Kështu pra. Shqipëria nuk i ka shënuar gol Hungarisë as mbas 58 vjetëve, në 2008, Hungaria – Shqipëria 2-0. As më 2009 Shqipëria – Hungaria 0- 1 dhe as më 2014 Hungaria – Shqipëria 1-0 Kjo do të thotë se Shqipëria në 6 ndeshjet e saj që ka luajtur me Hungarinë ka humbur 5 herë dhe ka barazuar vetëm 1 herë. Por ajo çka është më e rëndësishme, Shqipëria në tërësi nuk i ka shënuar asnjë gol Hungarisë.

Ky golavarazh nuk durohet më. Është 0-19! E nesër është dita për t’i shënuar golin e parë Hungarisë. Dhe nëse i shënojmë, se si më është mbushur mendja që ky do të jetë goli i fitores së parë të Shqipërisë ndaj Hungarisë, çka do të thoshte që Shqipëria të ngjitet e treta e grupit e mandej kushedi se çfarë ndryshimesh të bukura mund të ndodhin…

Po mirë, si mund të shënohet goli i parë shqiptar ndaj Hungarisë që na qenka “goli i fitores” po të parë? Shumë “thjesht”: Siç thashë, të harrohet 1-4 i Polonisë. E mandej? Mandej e merr fjalën po autori i këtyre radhëve “bixarre” të historisë, duke u thënë futbollistëve të sotëm se në të vërtetë, Shqipëria i ka “shënuar” gol Hungarisë. Janë disa ndeshje prej të cilave po veçoj ato që për asokohe kanë qenë tejet “të mëdha”, ngaqë në të vërtetë në to skuadrat kanë pasur edhe lojtarë të kombëtareve të Hungarisë e Shqipërisë. Janë:
1948: Tirana – Budapesti 1- 2 e 3-1;
1950: Partizani – Minatorët e Hungarisë 1-1;
1951: Puna e Tiranës – Sindikatat e Hungarisë 2-1 e 3-1;
Puna e Shkodrës – Sindikatat e Hungarisë 3-3;
1953: Hungaria – Shqipëria 4-3 (Festivali i Rinisë);
1955: Dinamo – Dozha e Budapestit 1-1;
1963: Partizani – Honved I Kasposhvrit 0-4 e 0-1 (Hanoi);
2004: SK Tirana – Ferencvarosh 2-3 e 1-0;
2010: Zalaegerzeg – SK Tirana 0-1;
2012: Skënderbeu – Debrecen 1-0;
2016: Partizani – Ferencvarosh 1-1 e 1-1;
2019:KF Kukësi – Debrecen 1-1.

Vërtet, mund të nxitin këto ndeshje edhe golash shqiptarë, për të shënuar sot Kombëtarja e Shqipërisë golin e saj të parë kombëtares së Hungarisë? Ndoshta…. Historia vlen edhe për këtë… Sot, pra, do të mësojmë se cili shqiptar “do t’ia shënojë” golin e parë Hungarisë, golin e fitores së parë të Shqipërisë ndaj saj. Do të jetë më i rëndësishmi në këtë histori, sepse përveç të tjerave, do të jetë gol i Kupës së Botës. Forca pra!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img